Rivarroset gruaja nga Istogu që u ekshumua me kërkesë të familjes pas dyshimeve se s’ka vdekur nga COVID 19
Mesditen e sotme është rivarrosur 39-vjeçarja S.K. nga fshati Lluga i Istogut e cila ishte zhvarrosur për të iu bërë obduksioni. Zhvarrimi i saj është bërë me kërkesë të familjaëve të së ndjerës, pasi ata nuk besojnë se 39-vjeçarja ka vdekur nga infektimi me koronavirus.
Sot është rivarrosur 39-vjeçarja S.K. nga Istogu, e cila u raportua se vdiq pas prekjes nga virusi COVID-19.
Rivarrimi i 39-vjeçares është bërë në prani të familjes së ngushtë të së ndjerës.
Ndërkohë që zhvarrimi i saj ishte bërë në prani të policisë dhe njësitit të krimeve të prokurorisë.
39-vjeçarja ishte testuar për koronavirus dhe sipas IKSHPK-së kishte rezultuar pozitiv.
Por familjarët e saj kishin dyshime se ajo nuk ishte e prekur nga virusi, për këtë arsye kanë kërkuar që trupi i saj të dërgohet për obduksion.
Drejtori i Shëndetësisë në Istog, Mujë Osmanaj, kishte treguar për “Express”, se 39-vjeçarja kishte shkuar fillimisht në QKMF në Istog për kontrollë, më pas në Pejë ku kishte qëndruar dy ditë e së fundi në QKUK në Prishtinë ku edhe u operua.
“Me datën 09.04 e ndjera është lajmëruar në QKMF në Istog pasi kishte dhimbje lukthi. Ajo është trajtuar dhe transportuar për në emergjencë të spitalit të Pejës. Aty e kanë trajtuar dhe lëshuar për në shtëpi. Pas disa orësh është kthtyer prapë në QKMF në Istog. Mjeku i njëjtë i cili e kishte trajtuar herën e parë i ka dhënë injeksion dhe i ka pushu dhimbja. Ajo ka kërkuar të shkojë prap në Pejë. Atje ka qëndru deri natën mes 11 e 12 të prillit”, ka thënë Osmanaj.
Tutje, Osmanaj ka treguar se e ndjera me datë 12 prill është dërgu në QKUK.
“Me datë 12.04 pas mesnate është dërgu në QKUK ku është operuar per shkak të gjendjes rreziku per jetë si abdomen akut, por nuk ka arritur të mbijetojë. Para operimit sipas kirurgut janë marrë mostrat e analizave të cilat në mbrëmje kanë rezultuar pozitiv me Covid-19”, ka shtuar ai.
Sipas Osmanajt, familja nuk po pajtohet se e ndjera ishte e infektuar me coronavirus dhe ka këmbëngulur që ajo të zhvarroset dhe t’i bëhet obduksioni.
Rezultatet e obduksionit për 39-vjeçaren ende nuk kanë dalur.
Ndërkohë të gjithë familjarët dhe personat tjerë që kishin pasur kontakt me 39-vjeçaren nga Istogu, kanë rezultuar negativë në testimet për koronavirus.