River Plate ndihmon të pastrehët
Ndërsa Europa vuan temperatura të larta në nivele rekord dhe nuk kanë munguar shumë viktimat nga i nxehti, në Argjentinë po regjistrohet i ftohti më i keq i vitit.
Pikërisht për këtë, një nga skuadrat më të njohura të futbollit në Amerikën e jugut, River Plejt ka vendosur të hapë dyert e stadiumit për të ndihmuar të pastrehët.
Ekipi argjentinas mikpriti me dhjetëra persona në nevojë që flinin rrugëve, ndërsa u ofroi atyre veshje dhe ushqim të ngrohtë për të përballuar acarin e madh. Në orët e para të së enjtes në Buenos Aires, termometri arriti për disa kohë, nën nivelin e zero gradëve.
Tifozët e River Plejt iu bashkuan iniciativës sociale duke ndihmuar qindra të pastrehë dhe duke ofruar mbështetje materiale për ata këtë muaj.
Vitin e fundit Buenos Aires ka regjistruar një numër rekord të pastrehësh. Zhvlerësimi i monedhës dhe inflacioni ka bërë që të paktën 8 mijë persona të humbin shtëpitë. Një gjest të mirë edhe pse të vogël, e ka bërë River Plejt.
Kampionët e Amerikës së jugut dhe nënkampionët e botës do rikthehen muajin e ardhshëm në fushë, për startin e Ligës argjentinase.