Rivotimi në Istog, KQZ-ja me rregulla shtesë për votuesit jashtë vendit
Votuesit jashtë Kosove që duan të marrin pjesë në rivotimin në Komunën e Istogut më 17 dhjetor përveç regjistrimit paraprak që e kanë bërë tani, duhet të dërgojnë edhe dëshmi shtesë për vendbanimin e tyre.
Ky është vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të shmangur parregullsitë e mundshme, të cilat edhe quan në rivotim Komunën e Istogut. “Votuesit e regjistruar suksesshëm për votim përmes postës për komunën e Istogut, të cilët kanë aplikuar për regjistrim prej datës 16 korrik deri me datën 23 gusht 2017, duhet të dërgojnë dëshmi zyrtare shtesë për adresën e vendbanimit jashtë Kosovës dhe numrin e telefonit kontaktues. Pas kësaj, këta votues do të kontaktohen për verifikim, me qëllim që të vërtetohet se a janë votues që kanë aplikuar suksesshëm dhe personalisht nga jashtë Kosovës”, është thënë në njoftimin e KQZ-së.
KQZ-ja ka bërë me dije se periudha e verifikimi dhe konfirmimit të votuesve jashtë Kosovës do të përfundojë më 6 dhjetor. “Votuesit jashtë Kosovës, që janë regjistruar suksesshëm për komunën e Istogut, të cilët nuk do të sjellin dëshmi zyrtare shtesë për adresën dhe numrin kontaktues të telefonit përgjatë datave 02.12.2017 deri më 06.12.2017, do të kthehen si votues në listën e votuesve brenda Kosovës, në qendrat e votimit sipas adresave të tyre në Regjistrin Qendror Civil. Periudha e verifikimi dhe konfirmimit të votuesve jashtë Kosovës ka filluar me datë 2 dhjetor dhe do të përfundojë me datën 6 dhjetor 2017”, është theksuar më tutje në njoftim.
Po ashtu KQZ-ja informon votuesit jashtë vendit se si mund t’i dërgojnë të dhënat e tyre përmes postes elektronike. “Vërtetimi apo dëshmi zyrtare mbi adresën tuaj, që vërteton se jetoni jashtë Kosovës, në shtetet përkatëse dhe numrin kontaktues të telefonit, ju mund ta dërgoni në adresat elektronike të skanuara, në email-at: [email protected], [email protected], dhe [email protected]. Gjithashtu, dëshminë zyrtare të adresës ku jetoni jashtë Kosovës dhe numrin kontaktues mund të na dërgoni edhe përmes postës, në adresë të KQZ-së (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Votimi Përmes Postës, K.P. 6 Kutia 351, 10 000 Prishtinë, Republika e Kosovës) dhe Përmes fax-it, në numrin: +381 (038) 213 200”, është thënë në njoftimin e KQZ-së.