RIZA DACI-PASARDHËS I DENJË I KËNGËS DHE MELOSIT TË DERVISH SHAQËS
Nju Jork, 27, mars: Besim Muhadri
Sot në Nju Jork, në moshën 71 vjeçare ka ndërruar jetë Rapsodi i mirënjohur kosovar, Riza Miftar Daci.
I lindur në fshatin Irzniq të komunës së Deçanit me 3 maj të vitit 1949, rapsodi i mirënjohur kosovar, Riza Daci, pasardhës dhe interpretues i denjë i këngës dhe melosit të Dervish Shaqës e të Shaqë Avdisë, i cili që nga viti 1986 jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht në Bronx të Nju Jorkut.
Kënga dhe zëri i Riza Dacit, prej një rapsodi të lindur, i interpretimit të këngës e pastër shqipe, jehoi për dekada me radhë në oda burrash kudo në Kosovë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo i dha forcë e mbështetje idelave të lirisë së atdheut, duke i bërë njerëzit të ndiheshin më krenarë për historinë e tyre të derdhur tash në tela sharkie, që me aq mjeshtëri diti ta qëndiste Riza Daci, ky burrë i vogël me shtat, por i madh me zemër dhe me një fuqi marramendëse të zërit, që herë të duket se po këndon vetë legjenda e folklorit shqiptar, Dervish Shaqa. Megjithatë, në zërin e Riza Dacit ka diçka të veçantë, sepse ai nuk mundohet të imitjojë askënd, sepse kishte lindur këngëtar dhe zëri i tij ishte vërtet i veçantë.
Gjatë karrirerës së tij pesëdhjetëvjeçare, Riza Daci ka kënduar me këngëtarë të shquar të melosit popullor, si më Shaqë Avdinë, Zekë Lushin, Lan Dobrën etj.
Rapsodi Riza Daci e pranonte se Dervish Shaqën, Shaqë Avdinë dhe Isen Ukën i ka pasur idolë të këngës dhe se është munduar të këndojë në melos të tyre. Mirëpo, mund të them me shumë bindje se zëri i Riza Dacit nganjëherë i kalon edhe përmasat e tyre. Ai ka një zë të njëjtë me atë Dervish Shaqës.
I brengosur që kënga folklorike me kalimin e kohës po vjen duke u harruar dhe madje edhe duke u bastarduar, Riza Daci disa porosi: “Porosia ime është që të ruhet e të mos harrohet kanga foklorike. Nuk jam tash me u kthye prapa e me thanë se duhet të ngjallet e të dominojë vetëm folklori. Por po them të mos harrohet, të ruhet e të kultivohet në suaza të mundësive se e di që tash janë në modë zhanre të reja, kangë të reja. Mirëpo nuk duhet harruar se folklori dhe kanga folklorike e kanë mbajtur gjallë shpirtin e popullit tonë, historinë tonë, të kaluarën tonë të lavdishme që e ka transmetuar nëpër breza dhe kjo ka sjellë deri te koha e re, te liria e vendit. Shumë këngë historike e heroike kanë ndikuar tek brezat e tërë që ta ruajnë e ta mbajnë gjallë frymën e luftës për liri e pavarësi të vendit tonë. Kanga folklorike, ajo që është kënduar e që është thurur me temel, ka qenë bazament i fortë i artit tonë muzikor por edhe i aspekteve të tjera të jetës e të përpjekjeve tona të vazhdueshme për me ardhë deri ku kemi ardhë sot. Prandaj po them të vazhdohet me të renë, por në asnjë mënyrë mos ta harrojmë të vjetrën, të kaluarën dhe historinë tonë të lavdishme, ku u flijuan dhe ranë heroikisht shumë burra të atdheut që sot i njeh historia e i ka përjetësue kanga në mënyrë aq besnike”, shprehej në mes tjerash Riza Daci në një itnervistë të bërë me të në gusht të vitit 2017.
Me shuarjen e tij, folklori ynë mbeti edhe pa njërin nga rapsodët tipik të kultivimit të këngës dhe melosit popullor shqiptar. Por, kënga dhe zëri i rapsodit Riza Daci do të mbeten gjatë në kujtesën popullore dhe të fonotekës së melosit popullor shqiptar.