Rizvanolli diskuton me sektorin privat lidhur me sigurinë e furnizimit me energji
Për të diskutuar lidhur me sigurinë e furnizimit me energji, tarifat e energjisë, rritjen e efiçencës energjetike, por edhe potencialet për energji të ripërtërishme, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar një forum diskutimi me temën “Çfarë dimri na pret sa i përket furnizimit me energji?”, në të cilën përveç përfaqësuesve të ndërmarrjeve private morën pjesë edhe akterë institucionalë përgjegjës për çështjet energjetike.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se konsumatorët në Kosovë duhet të kontribuojnë në shmangien e skenarëve më të këqij të mungesës së energjisë.
Ajo ka theksuar se objektivat kryesore të institucioneve të vendit përfshijnë reduktimin e konsumit të përgjithshëm, përmes stimulimit të kursimit të energjisë dhe rritjes së efiçencës energjetike.
Ministrja Rizvanolli ka thënë se lufta në Ukrainë ka ndikuar që tërë kontinenti evropian, përfshirë edhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të ballafaqohen me situatë të pasigurt për sa i përket furnizimit me energji elektrike.
Ajo ka paralajmëruar edhe shpalljen e ankandeve në muajt në vijim, për dhënie të licencave për kompanitë e interesuara për gjenerim të energjisë elektrike nga burimet e diellit dhe erës.
Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu, ka rikujtuar vendosjen e tarifave të reja të energjisë në shkurt të këtij viti, dhe mosngritjen e tarifave për bizneset, duke e vlerësuar atë si një vendim të drejtë, pavarësisht kundërshtimeve të mëdha.
Ai ka theksuar se ZRRE-ja vazhdon të insistojë në realizimin e të gjitha investimeve të parapara kapitale edhe në infrastrukturën e transmisionit edhe atë të furnizimit.
Fejzullahu ka paralajmëruar edhe lehtësimin e kritereve sa i përket licencimit të kapaciteteve gjeneruese për qëllime të vetëkonsumit.
Ai ka folur edhe për nevojën e përmbylljes së liberalizimit të tregut të energjisë, duke theksuar përfitimet të cilat do t’i kishin konsumatorët nga kalimi në treg të lirë.
Mimozë Veliu, analiste e Ekonomisë Qarkore në Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP), ka theksuar rëndësinë e foli për rëndësinë e fokusimit në aktivitete të ekonomisë qarkore, përfshirë edhe trajtimin sistematik të mbeturinave, duke ndikuar kështu edhe në aspektin ekologjik, por edhe në krijimin e kapaciteteve të reja energjetike.
Ilir Ibrahimi, përfaqësues i sektorit privat, shprehu shqetësimin e tij për furnizimin me energji për këtë dimër të ardhshëm.
Ai ka shtuar se furnizimi me energji është padyshim në rrezik dhe se institucionet duhet urgjentisht të adresojnë kërkesën e madhe, duke u fokusuar edhe në diversifikimin e burimeve të energjisë.