
Rizvanolli i kërkon ZRRE-së të mos shtrenjtohet rryma për konsumatorët më të vegjël
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se i ka propozuar Zyrës së Rregullatorit për Energji që të mos rritet çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojmë më pak se 800 kWh në muaj.
Ndërsa, për pjesën tjetër të konsumatorëve, Rizvanolli thotë se Ministria e Ekonomisë ka propozuar që konsumatorët të ndahen në sa më shumë kategori.
“Të mos trajtohet njëjtë për shembull, sikur dikush që shpenzon 1000 kWh në muaj, si dikush që shpenzon 3.000 kWh në muaj. Në këtë mënyrë, ne mbrojmë familjet sa më shumë që të jetë e mundur, pa e cenuar sigurinë e furnizimit dhe veçanërisht mbrojmë ata të cilët kanë nevojë më së shumti”, tha Rizvanolli në një video të pubikuar në Facebook.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.
Më herët gjatë ditës, Zyra e Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) ka thënë se tarifat e reja të rrymës pritet të hyjnë në fuqi më 1 maj.