Rizvanolli: Skema për efiçencë të energjisë do të zgjerohet
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se synojnë që në vitet e ardhshme ta zgjerojnë skemën për efiçencë të energjisë elektrike, pasi ajo e vitit të kaluar ishte treguar e suksesshme.
Me anë të këtij projekti qytetarët që do të përfitojnë, do të subvencionohen për 45 për qind të shumës së shpenzuar për izolim të shtëpisë, izolim të kulmit dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme.
Në rastet kur shtëpia është në bashkëpronësi të çiftit ose në pronësi të gruas është paraparë edhe një bonus prej 5 për qind, raporton “Ekonomia Online”.
Në lansimin e thirrjes së dytë publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”, Rizvanolli është shprehur e kënaqur me skemën e vitit të kaluar, për të cilën konsideron se nuk ka pasur ankesa nga qytetarët.
“Një vit pas, skema e kaluar jo vetëm që kaloi pa probleme, pa asnjë ankesë nga qytetarët, mirëpo ishte aq e suksesshme sa do të mbahet mend gjatë. Në vitet e ardhshme plani është që kjo skemë të vazhdohet përmes një sistemi më të vetëqëndrueshëm të financimit në të cilin Fondi është duke punuar me përkrahjen e partnerëve zhvilluar për të zhvilluar dhe për të zgjedhur një model të financimit”, ka thënë ajo.
Ndërsa Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë, ka thënë se përveç kursimeve financiare, masat do të luajnë rol të rëndësishme edhe në përmirësimin e ajrit të pastër.
E për impaktin e masave të efiçencës së energjisë nga thirrja e parë publike, ka folur edhe drejtori i ri menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi.
“Në thirrjen e parë publike të vitit të kaluar të shpallur ne gusht të viti 2023, 2150 familje kanë përfituar nga masat e efiçiencës dhe kemi realizuar duke përmirësuar kushtet e tyre të jetesës edhe duke ulur faturat e energjisë elektrike. Nga një investim total i njësive familjare prej 18 milionë euro ne kemi subvencionuar shumën prej rreth 8 milionë euro, rreth 45 për qind të investimit total… për t’i ilustruar impaktin e masave të efiçencës së energjisë nga thirrja e parë publike, ekipi jonë e inxhinierëve ka bërë një analizë preliminare dhe rezulton se nga të gjitha masat e realizuar nga ato shtëpi, kemi izoluar rreth 600 mijë metra katror të sipërfaqeve të mureve të jashtme, kemi bërë 90 mijë kilometra katror të sipërfaqeve të kulmeve dhe kemi ndërruar rreth 13 mije metra katror të dritareve dhe dyerve të jashtme. Përmes këtyre masave pritet që konsumi i energjisë për metër katror në vit të reduktohet nga 155 kilovat orë, në rreth 111 kilovat orë për këto shtëpi”, ka thënë ai.
Ndërsa, drejtori i operacioneve për Fondin e Kosovës për Efiçencë të Energjisë, Petrit Ahmeti, ka treguar për kushtet që duhen plotësuar për të përfituar nga këto masa.
“Shtëpia duhet të jetë e banuar dhe duhet të jetë e lidhur me distribuimin e energjisë elektrike përmes kompanive operuese në Republikën e Kosovës dhe përmes platformës E-Kosova. Qytetarët do ta kuptojnë se a janë kualifikuar në këtë subvencionim. Si dhe t’i plotësojnë kriteret si kriteri i konsumit të energjisë, qytetarët duhet të kenë konsumim minimal prej 250 kilovatëve orë për muaj për 21 muaj brenda dy viteve të fundit. Për rastet e shtëpive që janë të regjistruar vetëm nga 1 shkurti, kriteri paraprak nuk vlen në këto raste tek shtëpitë e reja duhet të konfirmohet apo të dërgohet një faturë të pagesës së energjisë elektrike”, ka thënë ai.
Aplikimi për të përfituar nga këto masa përfshinë: Hapjen e llogarisë në e-Kosova, verifikimi i konsumimit të energjisë përmes kësaj platforme, nëse kalojnë kriterin e konsumit të energjisë, të angazhojnë një auditor të energjisë i cili do të bëjë raportin e thjeshtëzuar të auditimit, pasi të marrin këtë raport të thjeshtëzuar të auditimit, mund të fillojnë aplikimin në e-Kosova, duke plotësuar të gjitha fushoret dhe duke ngarkuar raportin e auditimit.
Procesi i aplikimit do të hapet nesër (e martë).