Rizvanolli thotë se po përflitet për raste që me qëllim janë ndalur blloqet e prodhimit të rrymës
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se është duke u përfolur se ka pasur raste, kur është ndalur me qëllim prodhimi i rrymës në blloqe për interesa të caktuara.
Gjatë raportimit në Komisionin Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rizvanolli ka thënë se kanë dyshime se një gjë e tillë ka ndodhur edhe gjatë verës.
“Dikujt i konvenon që blloku të ndalët për shkak te lëndës së parë, përflitet që ka pasur raste që i kanë ndalë blloqet. Kjo si gabim me qëllim. Kemi pasur një dyshim që një gjë e tillë të ketë ndodhur edhe gjatë verës”, ka deklaruar Rizvanolli.
Duke raportuar për krizën energjetike, Rizvanolli ka deklaruar se Kosova ka tejkaluar çmimin e importit të energjisë elektrike për vetëm dy muaj.
Ajo ka thënë se vetëm për periudhën nëntor-dhjetor, për importin e rrymës janë harxhuar mbi 12 milionë euro.
“ZRrE-ja ka hapur kërkesën e shqyrtimit të jashtëzakonshme të tarifave dje në përputhje me obligimet ligjore duke qenë se shpenzimet e operatorëve janë shumë më të larta sesa ka qenë e parashikuar. Shpenzimet e importit kanë arritur në 12 milion për periudhën nëntor-dhjetor, teksa ka qenë e paraparë që për tërë vitin të shpenzohen jo më shumë se 12 milionë për import”, ka thënë ajo.
Më tutje, Rizvanolli ka thënë se çmimet e importit të energjisë elektrike për kilovat janë deri pesëfish më të larta se a çmimet që operojnë aktualisht në treg.
“Aktualisht energjia elektrike gjatë ditës shitet me çmimin prej 7 cent për kilovat, përderisa çmimet e importit janë minimalisht katër, pesëfish më të larta dhe është çështje kohe derisa një kompania do të mundet që ta përballojë këtë. Probleme kemi edhe nga ana e KOSST-it për shkak që nuk janë kryer pagesat nga ana e KEDS-it dhe KEK-ut për tarifat dhe për blerjen e energjisë nga ana e KOSST-it me çmime të larta për shërbime të balancimit të sistemit”, ka thënë Rizvanolli.
Kosova së fundmi është prekur nga kriza energjetike. Kryeministri Albin Kurti ditë më parë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u ka bërë thirrje ministrave që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për t’u siguruar rryma për qytetarët.