Rizvanolli tregon tri përfitimet që ka Kosova nga marrëveshja me MCC-në për energjinë
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se projekti i MCC-së për energjinë pritet të nënshkruhet më 27 korrik në Kongresin Amerikan.
“Marrëveshja nënshkruhet në Kongresin amerikan në praninë e kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani dhe kongresistëve amerikanë nga Komiteti për Punë të Jashtme”, ka thënë Rizvanolli për RTK-në.
Rizvanolli thotë se më pas projekti duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës dhe ajo shpreson që kjo gjë të bëhet para pushimeve.
“Shpresoj dhe besoj se do ta kemi mbështetjen e të gjitha partive parlamentare për një ratifikim të shpejtë në mënyrë që të fillojë zbatimi sa më i shpejtë i projektit”, ka thënë ministrja Rizvanolli.
Ajo thotë se shpreson që projekti të fillojë të implementohet brenda dy vjetëve e që ai do të zgjasë rreth pesë vjet.
Ministrja ka treguar edhe përfitimet që, sipas saj, sjell projekti për energjinë.
“Benefitet afatshkurta të projektit janë: Bateritë ndihmojnë në stabilizim të sistemit të energjisë. Pra do të kemi furnizim më cilësor me energji. E dyta, bateritë ndihmojnë në akumulimin e energjisë në kohën kur ajo nuk na duhet dhe të njëjtën e shfrytëzojmë gjatë ditës kur ka kërkesa më të mëdha për energji. Këto bateri janë shumë të rëndësishme pasi na ndihmojnë të shfrytëzojmë më shumë burime të energjisë së ripërtëritshme”, ka thënë Rizvanolli.