Robertsoni flet për Carla del Ponten dhe gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson, ka folur për gjykimin ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Dhomat e Specializuara në Hagë. Në një intervistë për “Kallxo”, ai ka thënë se ky gjykim do të nxjerr një konstatim.
“Ky gjykim është një proces i cili do të shikojë çdo provë dhe do të nxjerrë një konstatim. Unë kam pasë punë me zonjën Carla Del Ponte, që ishte në krye të Tribunalit Ndërkombëtar për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Një zonjë shumë autoritative. Më bënte presion shumë të madh për të arrestuar dhe dorëzuar të akuzuarit për krime lufte”- ka thënë ai.
Ai tutje ka folur edhe për përshtypjet që ka për ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Kam qenë në promovimin e librit të tij autobiografik, që e pati në Londër. E mbajta një fjalim, ku thashë që ai duhet të shfrytëzojë talentet e tij të lidershipit. Ishte person i ndërlikuar me cilësi të liderit gjigand. Dhe kushedi, ndoshta mund të kthehet në skenë sërish një ditë”- ka theksuar Robertson.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, janë të akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.
Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.
Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.
Lordi George Robinson ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s nga viti 1999 deri në vitin 2003. Njëherësh ka qenë edhe Sekretar i Mbrojtjes në qeverinë britanike në kohën kur kjo qeveri drejtohej nga Tony Blair.