Rodri, fitues i “Topit të Artë”
Mesfushori i Man Cityt dhe Spanjës, Rodri, është shpallur fitues i “Topit të Artë” për sezonin 2023/2024.
Spanjolli ishte i jashtëzakonshëm duke fituar në total pesë trofe me klubin dhe shtetin e tij. Rodrigo Hernandez Cascante fitoi në “Euro 2024” me Spanjën, ndërsa me Manchester Cityn fitoi titullin e Kampionit, Superkupën e Evropës për klube, kampionatin e Botës për klube. Ai kontribuoi me 12 gola dhe 14 asistime. Rodri mposhti në një garë të ngushtë yllin e Real Madridit, Vinicius Junior, që po ashtu kishte një sezon të shkëlqyer me klubin, por jo me vendin e tij.
“Një ditë, i thashë babait tim se do ta lë futbollin, ëndrra ime ka marrë fund. Por, ai më tha, vazhdo deri në fund. Tani sot, unë jam këtu, më duhet ta falënderoj. Tërë ditën sot më kanë shkruar shoqëria ime, duke më thënë se ‘futbolli fitoi sot’”, ka thënë Rodri. “Topi i Artë” te vajzat është fituar nga futbollistja e Barcelonës, Aitana Bonmati. Ajo e fitoi këtë çmim për herë të dytë në karrierën e saj. Trajneri më i mirë i vitit është shpallur italiani, Carlo Ancelotti, i cili ka fituar Superkupën e Spanjës, La Liga dhe Ligën e Kampionëve me Real Madridin sezonin e kaluar. Ndërsa trajnerja Emma Hayes është shpallur më e mira në botë. Selektorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u nderua me këtë çmim pas një sezoni të suksesshëm. Emiliano Martinez është shpallur portieri më i mirë në botë për të dytën herë me radhë. Klubi më i mirë për meshkuj u shpall Real Madridi, kurse për femra Barcelona. Ashtu si pritej, superylli spanjoll, Lamine Yamal e ka fituar trofeun “Kopa” në ceremoninë “Topi i Artë”. Ky trofe i ndahet futbollistit më të mirë të ri. Në listën e të nominuarve për “Topin e Artë” të sivjetmë ishte edhe Granit Xhaka. Futbollisti me prejardhje shqiptare u rendit i 16-ti në këtë listë, duke lënë prapa emra të mëdhenj të futbollit botëror.
RODRI, YOU WON IT! You're our 2024 Ballon d'Or! #ballondor @ChampionsLeague pic.twitter.com/z4Xwgp8s9T
— Ballon d'Or (@ballondor) October 28, 2024