Rodri: Viniciusin do ta votoja vetëm të tretin për ‘Topin e Artë’
Mesfushori i Manchester Cityt dhe Spanjës, Rodri ka folur tashmë për “Topin e Artë” dhe në veçanti për rivalin e tij, Vinicius Jr. Braziliani iu mohua “Topi i Artë” i vitit 2024, pavarësisht se konsiderohej si favorit dërrmues për të fituar, pasi në fund fitues ishte Rodri. Diferenca mes dy yjeve ishte shumë e ngushtë dhe tashmë për këtë situatë ka folur vet Rodri, i cili ka thënë se Vinin do ta votonte vetëm si të tretin.
“Unë do të votoja Dani Carvajalin për të dytin në ‘Topin e Artë’ 2024… dhe Vinicius Jr si të tretin”, ka thënë Rodri në intervistë për gazetën spanjolle “Cope”. Rodri nuk përmendi fare as Jude Bellingham, i cili performoi shkëlqyeshëm sezonin e kaluar dhe përfundoi i treti në garën zyrtare për “Topin e Artë”. Më tej Rodri deklaroi se ai e respekton Viniciusin pavarësisht një kënge ofenduese për lojtarin që po këndohej në festën e tij të “Topit të Artë”.
“Njerëzit duhet të kuptojnë sportin e shëndetshëm dhe se është një festë private, një moment feste. Asnjëherë nuk kam shpërfillur askënd. Kam respekt të jashtëzakonshëm për Vinicius dhe Real Madrid”, ka deklaruar Rodri.