Rodri: Williams e Yamal na kanë ‘infektuar’ me stilin e tyre
Së bashku me “Pancerat” e Gjermanisë janë skuadra më në formë, në këtë Kampionat Evropian të futbollit, me “Furinë e Kuqe” spanjolle, që ka arritur të fitojë me rezultatin spektakolar, 4 me 1, përballë “Kryqtarëve” të Gjeorgjisë, në “RheinEnergieStadion”, të Këlnit, duke siguruar kështu avancimin për në fazën e ardhshme të “Euro 2024”.
Pas përfundimit të sfidës, disa fjalë për mediat i tha edhe lideri i mesfushës së “La Furia Roja”, Rodri, i cili është shprehur se dyshja Nico Williams dhe Lamine Yamal me rininë dhe pafajshmërinë e tyre kanë “infektuar” të gjithë ambientin e Spanjës.
“Ata të dy janë shumë të rëndësishëm për ne, na kanë ‘infektuar’ me rininë dhe pafajshmërinë e tyre. Kjo është shumë e rëndësishme. Williams realizoi një supergol, ndërsa Yamal pati disa mundësi, por nuk ia doli. Megjithatë, besoj se e ka ruajtur golin për ndeshjen me Gjermaninë”, ka thënë Rodri.