Rogova: Rikthimi në Superligë, primar
Dardan Rogova ka thënë për “Epokën e re” se Vëllaznimi synim kryesor ka rikthimin në Superligë, kurse ‘hyzmetin’ do t’ia bëjë edhe garës për Kupë, ku në çerekfinale do ta ketë përballë skuadrën e Dritës.
KF Vëllaznimi është në garë për t’u rikthyer në IPKO Superligën e Kosovës në futboll ani pse rezultatet e arritura në sezonin vjeshtor nuk kanë qenë edhe aq të mira. Kjo skuadër është kualifikuar edhe në çerekfinale të Kupës, por sulmuesi Dardan Rogova ka thënë për “Epokën e re” se synim primar i skuadrës kuqezi është rikthimi në elitë. “Synimi ynë primar është rikthimi në Superligë, por do të përgatitemi në maksimum të kalojmë tutje edhe për Kupë. Kemi skuadër që nuk dorëzohet përballë asnjë kundërshtari”, ka thënë Rogova.
Duke folur për kundërshtarin në fazën e çerekfinales së Kupës, sulmuesi e pranon se do të jetë vështirë ndaj kampionëve aktualë por, sipas tij, edhe Dritën e pret një punë shumë e vështirë në ndeshjen që zhvillohet në Gjakovë. “Normalisht se nuk do ta kemi aspak të lehtë, pasi kundërshtar në çerekfinale e kemi skuadrën e Dritës, e cila nuk do ta ketë të lehtë për faktin se stadiumi do të jetë i stërmbushur dhe ne jemi të fortë si vendës”, ka shtuar ai.
Sulmuesi që është ndër lojtarët me përvojën më të madhe në skuadrën gjakovare foli edhe për rezultatet e arritura në sezonin vjeshtor, duke pranuar se pritshmeritë kanë qenë më të mëdha. “Vetë fakti që jemi në pozitën e pestë në tabelë tregon që s’kemi arritur rezultate pozitive dhe nuk i kemi arritur synimet që kishim në fillim të kampionatit. Në pranverë do të jetë krejt ndryshe, pasi do të sjellim përforcime dhe do të jemi ndër favoritet kryesor për t’u rikthyer në Superligë”, ka deklaruar ai.
Sulmuesi Dardan Rogova ka folur për ish-trajnerin e Vëllaznimit, Gani Sejdiun dhe trajnerin aktual Ismet Munishin. “Shumë respekt për trajnerin Gani Sejdiu pasi ka bërë një punë të shkëlqyeshme, por fati i ka munguar. Me ardhjen e Ismetit besoj se do jetë ndryshe për vetë faktin se ligji i futbollit është që kur ndryshohet trajneri normal shumë gjera ndryshojnë në atë klub”, ka shtuar Rogova. Skuadra e Vëllaznimit nga Gjakova sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e pestë me 29 pikë, ku nga 16 ndeshje ka regjistruar tetë fitore, pesë barazime dhe tri humbje.
/Veton ZYMBERI/