Rohani viziton Evropën, pasiguri për marrëveshjen bërthamore
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, planifikon të vizitojë Austrinë dhe Zvicrën, muajin e ardhshëm, në kohën e pasigurive për të ardhmen e marrëveshjes bërthamore midis Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore.
Muajin e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe ka rivënë sanksione ekonomike kundër Iranit.
Nënshkrueset e tjera të marrëveshjes: Britania, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania kanë thënë se do të mbeten të përkushtuara ndaj saj, për aq kohë sa e respekton edhe Irani.
Teherani, ditë më parë, tha se ka nisur procesin e rritjes së kapacitetit për të pasuruar uranium, në rast se marrëveshja, që e kufizon aktivitetin e tij bërthamor, kolapson.
Rohani pritet të qëndrojë në Zvicër më 2 dhe 3 korrik për të biseduar me presidentin e këtij vendi, Alain Berset, dhe zyrtarë të tjerë, tha Qeveria zvicerane.
Më 4 korrik, presidenti iranian do të takohet me homologun e tij austriak, Aleksander Van der Bellen, dhe kancelarin Sebastian Kurz në Vjenë, ka cituar agjencia e lajmeve “DPA” një burim në zyrën presidenciale në Austri. (Rel)