
Rohde e quan hap të duhur dërgimin e Projektligjit për KPK-në në Komisionin e Venecias
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde e ka mirëpritur vendimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca për ta dërguar Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës në Komisionin e Venecias.
Sipas Rohdes ky veprim do të sigurojë që ligji të jetë në harmoni me standardet e Bashkimit Evropian (BE).
“Vërtet lëvizja e duhur. Ndjekja e rekomandimeve të Komisionit të Venecias të KiE-së do të sigurojë që ligji të jetë në sinkron me standardet evropiane”, ka shkruar ai në “Twitter”.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës, ka njoftuar të dielën se Konjufca ka kërkuar opinion të tërësishëm mbi projektligjin pasi drafti është ndryshuar që nga vlerësimi i Komisionit të Venecias.
“Në përputhje me përgjegjësitë e tij kushtetuese, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka dërguar për mendim në Komisionin e Venecias Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës. I njëjti është proceduar në Kuvend ditë më parë nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Duke qenë se drafti ka pësuar ndryshime që nga vlerësimi i Komisionit të Venecias, kryetari Konjufca ka kërkuar opinion për projektligjin në tërësi, duke e konsideruar si vendimtare në arritjen e objektivit për reformim të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe adresimit të shqetësimeve dhe çështjeve të ngritura më parë. Si shtet anëtar i Komisionit të Venecias, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të parimeve themelore të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, është thënë në njoftimin e Kuvendit.
Indeeed the right move. Following the recommendations of the CoE’s Venice Commission will ensure that the Law is in sync with European standards https://t.co/Z9Ogxzzy9Q
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) July 31, 2023