Rohde: Gjermania e përkushtuar për ta futur Kosovën në KiE, ecja përpara me Asociacionin do ta mundësojë këtë
Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ka folur për forcimin e sundimit të ligjit dhe përgatitjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, por ka theksuar se kjo nuk do të ndodhë pa ecur përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Pas një takimi me përfaqësues të organizatave joqeveritare IKD dhe FOL me të cilët tha se foli për përmirësimin e qasjes në drejtësi në përputhje me standardet e KiE, Rohde tha se Gjermania mbetet e përkushtuar për ta anëtarësuar Kosovën në KiE sa më parë. “Për ta forcuar sundimin e ligjit dhe për t’u përgatitur Kosova për Këshillin e Evropës ne do ta mbështesim projektin e përbashkët të Institutit të Kosovës për Drejtësi/FOL për ta përmirësuar qasjen në drejtësi në përputhje me standardet e KiE. Gjermania mbetet e përkushtuar për ta futur Kosovën në Këshill sa më shpejt. Ecja përpara me Asociacionin do ta bëjë këtë të ndodhë”, ka shkruar Rohde në “X”.