Rohde: Ky është lajmi i mirë dhe lajmi i keq nga raporti për anëtarësimin e Kosovës në KE

29 nëntor 2023 | 13:25

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka falënderuar ekspertët ligjorë për raportin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE), i cili është bërë publik dje.

Rohde ka shkruar në “X” se në këtë megjithatë ka një lajm të mirë dhe një të keq.

“Faleminderit për raportin e ekspertëve ligjorë të Këshillit të Evropës mbi përputhshmërinë e sistemit politik/juridik të Kosovës me standardet e KE-së. Lajmi i mirë: rregullat ligjore në përgjithësi janë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Lajmi i keq: Moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Deçan shënon ‘shkelje të qartë të sundimit të ligjit’”, ka shkruar ambasadori gjerman.

Më tutje, Rohde ka thënë se dy rekomandimet e para të raportit, si respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit dhe respektimin e pavarësisë së gjyqësorit.

“Ekspertët e cilësojnë Kosovën si një demokraci funksionale dhe e vlerësojnë kushtetutën e saj moderne me ‘garanci të forta për pavarësinë e gjyqësorit’. Por ata gjithashtu theksojnë kritikat ‘e ashpra’ ndaj përfaqësuesve dhe institucioneve gjyqësore nga politikanët në poste të larta. Kështu, 2 rekomandimet e para të raportit për Kosovën për sundimin e ligjit janë: 1. Zbatimi pa vonesa të mëtejshme i vendimeve të Deçanit. 2. Respektimi i plotë i pavarësisë së gjyqësorit përfshirë përmbajtjen nga kritikat e panevojshme që minojnë besimin në gjyqësor”, ka shkruar ambasadori gjerman.

Në përgjithësi, Rohde ka shkruar se “raporti nxjerr një pamje të përzier, duke treguar standarde të larta ligjore që nuk zbatohen gjithmonë plotësisht”.

“Është e qartë për mua se zbatimi urgjent – siç kërkohet vazhdimisht nga komuniteti ndërkombëtar – është i nevojshëm për të avancuar me sukses ofertën e anëtarësimit të Kosovës!”, ka shkruar Rohde. Kosova ka aplikuar në maj për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” nesër në Institutin Albanologjik…