Rohde në Krushë të Madhe: Kjo dhe masakrat tjera treguan se kishte ardhur koha që NATO të ndërhynte
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se masakrat si ajo në Krushë të Madhe të Rahovecit 25 vjet më parë treguar se kishte ardhur koha për ndërhyrjen e NATO-s.
Rohde ka folur për masakrën që la rreth 250 viktima dhe rreth 60 të zhdukur që prej atëherë, ndërsa tha se qëndrojnë pas vendimit se intervenimi ushtarak i NATO-s “ishte gjëja e duhur”.
“Kjo si dhe masakrat tjera, vetëm treguan se kishte ardhur koha tashmë që NATO të ndërhynte për ta shmangur atë tragjedi humanitare si dhe spastrimin etnik i cili po ndodhte këtu”, ka thënë Rohde.
Ambasadori gjerman ka kërkuar që autorët e kësaj masakre të dalin para drejtësisë.
“Shumica e atyre që i kanë kryer këto krime janë ende në arrati dhe krejt çka mund të them, është që kjo nuk do të duhej të lejohej”, ka thënë ai, duke uruar Kosova të anëtarësohet në BE sa më shpejt.
“Shpresoj që Kosova bashkë me të gjithë fqinjët e saj, së shpejti do t’i bashkohet familjes evropiane”, ka thënë ambasadori Rohde.