Rohde: Normalizimi në mes të Kosovës dhe Serbisë përfshinë njohjen reciproke

14 qershor 2024 | 11:21

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka shkruar mbrëmë vonë në  platformën “X” pas deklaratave të ambasadorit të ShBA-së në Beograd, Chris Hill, i cili ka thënë se s’mendon që Serbia duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në BE.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se normalizimi në mes të Kosovës dhe Serbisë përfshinë njohjen reciproke.

“Vetëm sa për të rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të kancelarit gjerman Scholz gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi në qershor ’22 për normalizimin përfshirë njohjen reciproke. Kjo ende qëndron: Rruga është aty: Zbatim i plotë i marrëveshjeve të Brukselit/ Ohrit nga të dyja palët sa më parë”, ka shkruar Rohde.

Me këtë postim Rohde ka shpërndarë edhe lajmin me deklaratën e kancelarit Scholz.

“Një marrëveshje politike mes të dy vendeve është një kusht i rëndësishëm për investime dhe vende pune e me këtë edhe për perspektivën e të rinjve në Kosovë. E qartë është se marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së”, kishte thënë Scholz.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, ka komentuar rezultatin e…