Roli dhe të drejtat e gruas shqiptare në kohën e Perandorisë Osmane
Për një kohë të gjatë gruaja osmane është parë si një qenie e cila ishte e zhytur në injorancë, që e kalonte kohën në shtëpi e që merrej nëpër këmbë. Por, studimet e bëra dekadat e fundit nxorën në dritë detaje…
Nga: Eduart Caka
Jeta e femrës në Perandorinë Osmane, veçanërisht në të drejtat që asaj i njihte ligji, ishte më e rregullt. Të gjitha këto kishin të drejtat që u garantoheshin nga shteti dhe në bazë të të cilave gëzonin privilegjet që u njihte ligji islam, siç ishin e drejta e trashëgimisë, e martesës, e divorcit etj. Përveç të drejtave në familje, si fejesa e martesa, por edhe trashëgimia, gruaja kishte të drejtë të menaxhonte të ardhurat e saj, të blinte ose shiste pronat, të shkonte në gjykatë për çështje të ndryshme dhe të merrte pjesë në angazhime shoqërore – si ndërtimi i vakëfeve ose drejtimi i tyre. Duke qenë se edhe gjeografia shqiptare ishte pjesë e Perandorisë Osmane, të njëjtat fenomene dhe angazhime të gruas në pjesë të ndryshme të perandorisë vërehet se kanë qenë të dukshme edhe në trojet shqiptare.
Mungesa e mjaftueshme e literaturës së nevojshme për të nxjerrë një panoramë të jetës së gruas në këtë kohë, përbën një pengesë në kuptimin e gjendjes së femrës shqiptare gjatë kësaj periudhe, por edhe për rolin dhe të drejtat që ajo gëzonte si në familje ashtu edhe në shoqëri. Në këtë kontekst, të vetmet burime që hedhin dritë në këtë çështje mund të konsiderohen dokumentet që gjenden pranë Arkivit Qendror të Shtetit.
Kështu, vendimet e regjistrave të gjykatave të periudhës osmane japin të dhëna të rëndësishme për sa i përket jetës, aktivitetit dhe të drejtave të gruas shqiptare gjatë periudhës në fjalë. Pjesa më e madhe e regjistrave u përket shekujve XVII, XVIII dhe XIX, të cilat mbartin të dhëna të mjaftueshme në lidhje me shoqërinë shqiptare gjatë kësaj periudhe. Kështu, në bazë të të dhënave arkivore të gjetura është e mundur që aktivitetin dhe të drejtat e gruas gjatë kësaj periudhe t’i ndajmë në dy kategori: në familje dhe në jetën shoqërore.
Të drejtat e gruas në familje: Familja përbën institucionin bërthamë të shoqërisë dhe në traditën shqiptare ajo zë një vend shumë të veçantë. Duke u bazuar në ligjin islam, mund të thuhet se edhe shteti osman i kushtoi një vëmendje të veçantë familjes duke i dhënë asaj të drejta të garantuara nga vetë institucionet perandorake.
Në rastin e gruas, ligji islam dhe për pasojë dhe ai osman i dhanë të drejta që për kohën përbënin një përparim të konsiderueshëm. Kështu, njëra ndër të drejtat themelore që i jepej femrës ishte ajo e trashëgimisë. Si mashkulli, ashtu edhe femra kishte të drejtën e pasurisë së trashëguar dhe e menaxhonte atë sipas dëshirës së saj. Ajo gëzonte të drejtën e të trashëguarit gjysmën e pjesës së mashkullit me të cilin kishte afërsi të barabartë farefisnore.
Në regjistrat e gjykatave janë të shumta aktet e trashëgimisë në të cilat theksohet që ndër përfituesit e pasurive të lëna ishin edhe femrat. Për shembull, në një dokument të vitit 1701 tregohet se zotëria me emrin Xhaferr nga Mallakastra, një funksionar i lartë në Perandorinë Osmane ishte vrarë në betejën e Nishit dhe pasuria e tij trashëgohet nga e shoqja zonja Aishe, dy djemtë Aliu dhe Ahmeti dhe vajza Hanemeja. Po në kuadër të trashëgimisë, duhet theksuar se e drejta e përfitimit nuk ishte e njëjtë si për mashkullin ashtu edhe për femrën dhe varionte sipas rasteve dhe dispozitave që ligji islam kishte për rastet e veçanta. Për shembull, kur një burrë vdiste dhe si trashëgimtare kishte vetëm gruan e tij, ajo kishte të drejtën të merrte vetëm një katërtën e pasurisë së lënë, ndërsa pjesa tjetër i kalonte thesarit të shtetit.