Roli i gruas shqiptare ndër vite
Xhevahire Krasniqi-Podvorica, PhD. kandidat
Historia dhe të dhënat faktike që ajo na ofron, të cilave ne gjithmonë duhet referuar, tregon se një barrë të rëndësishme në ndodhitë e shumta shoqërore dhe ndryshimet që ka pësuar ajo, e ka bartë gruaja kurse elozhet, lavdet dhe meritat pothuajse gjithmonë i ka korrë e gëzuar burri. Kjo nga vetë fakti se gruaja është trajtuar si qenie e dorës së dytë, si një pjesë e familjes e cila është e destinuar për të lindë, për të shërbyer burrin dhe për t’iu nënshtruar atij. Kjo dukuri, nuk duhet habitur, nuk ka qenë e pranishme vetëm te shqiptarët dhe as te ballkanasit. Këtu te ne kjo dukuri është zvarritur më gjatë ndër vite por si e këtillë ka ekzistuar edhe në vende tjera ndërsa në disa shoqëri akoma vazhdon të dominojë.
Nëse iu kthehemi prapë të dhënave historike, do vërejmë se të drejtën e votës, si në Evropë po ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gratë e kanë fituar relativisht vonë, gjatë shekullit të kaluar, që nuk është shumë larg. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se ato, jo rrallë, nuk kanë ndikuar në vetë rrjedhat e historisë a janë bërë pjesë e rëndësishme, për mos me thënë ndër faktorët kryesor të saj. Në të vërtetë, shikuar nga një këndvështrim tjetër, shumë më domethënës, shumë më të natyrshëm dhe më human, gruaja nuk duhet trajtuar, dhe nuk është trajtuar gjithmonë vetëm si një objekt a një qenie e cila duhet të ketë dhe të bartë atributet të cilat i përmendëm më lart; ajo është një qenie e ndjeshme, subtile dhe intelektuale e cila është pjesë e rëndësishme dhe e barabartë e çdo shoqërie. Ajo është nënë, dhuruese jo vetëm e dashurisë, kujdesit dhe jetës por është, në saje të atributeve që përmendëm dhe bukurisë femërore, edhe frymëzim i sa e sa artistëve të të gjitha gjinive, gjithandej nëpër botë, ndër shekuj. Duke filluar prej krijimeve më të hershme popullore-artistike dhe deri te artistët më të mëdhenj nga e kaluara e deri në ditët e sotme, gruaja si femër dhe nënë, kanë qenë model i krijimeve më të bukura të skulptorëve, piktorëve, kompozitorëve e regjisorëve më të shquar dhe më të njohur të botës.
Megjithëse në shikim të parë duket se gruaja te ne shqiptarët nuk është trajtuar si duhet dhe sa duhet si pjesë e rëndësishme dhe e dobishme e shoqërisë, nëse iu referohemi këngëve popullore, rrëfimeve gojore por edhe vetë historisë, ajo, pra femra shqiptare, qoftë si vajzë e re, nënë e përkushtuar a motër e gatshme për tu sakrifikuar për të vëllanë dhe jo vetëm, ka gëzuar respektin e duhur dhe mirënjohjen e madhe prej njerëzve të mençur dhe artistëve e rrëfimtarëve popullor, duke u shndërruar kështu në modele admirimi e referimi për brezat e ri.
Nëse i kemi parasysh rrethanat historike në të cilat është zhvilluar shoqëria shqiptare dhe sfidat me të cilat është ballafaquar ndër vite, veçanërisht me përzierjen e kulturave të ndryshme ndër shekuj, si pasojë e okupimeve të gjata, atëherë del se edhe gruaja shqiptare, ka reflektuar një mençuri të madhe, një ndjenjë sakrifice për familjen, mjedisin e kombin por edhe gatishmëri që të gjitha atributet fizike e intelektuale ti shkrijë në favor të një mirëqenie të përbashkët, duke u sakrifikuar por edhe duke luftuar për të drejtat jo vetëm të saja si pjesë e shoqërisë por edhe e të gjithë kombit, që jo rrallë kanosej të zhbëhej tërësisht.
E kaluara jonë është përplot me histori sakrificash të grave të cilat hynë në analet e historisë duke u shndërruar kështu në modele të gruas luftëtare për të drejtat e vendit e popullit dhe në frymëzim të këngëtarëve e artistëve më të njohur të kombit; Mbretëresha Teutë, Tringë Smajli, Shotë Galica, Dora D’Istria, Musine Kokallari dhe të tjera, të një fushe tjetër veprimi, të shumta në numër sa nuk mund të përmenden të gjitha ndërsa për nga rëndësia e vlera që kanë, është shumë e vështirë të veçohen. Por, fundi i fundit, janë nënat tona, të gjitha, pa veçuar asnjërën prej tyre të cilat me vetëmohim, të dashura, të heshtura e punëtore, linden, rritën e ngritën, edukuan e drejtuan breza e breza të tërë duke u sakrifikuar si nëna të mira, si amvise të shkëlqyera, si punëtore e bashkëshorte shembullore, që më në fund padrejtësisht të vlerësohen: të papunësuara. Thuajse puna e tyre në shtëpi, në kuzhinë e oda të burrave, në ara e livadhe, duke rritë fëmijët, nuk ka qenë punë. Thuajse ato, vetëm pse nuk e patën mundësinë të realizojnë të drejtën e tyre për t’u punësuar në institucione e ndërmarrje shtetërore, duhet cilësuar sitë papuna, të pa punësuara, të painkuadruara…
Dhe më vonë erdhi një kohë tjetër. Një kohë e ngritjes graduale të saj në shoqëri dhe në plotësimin e mozaikut të quajtur shoqëri kosovare, duke filluar prej viteve gjashtëdhjeta e këtej. Vite kur kjo, gruaja shqiptare e Kosovës filloi të kërkojë dhe realizojë të drejtat e saja dhe të radhitet krahas burrave në të gjitha mjediset, në të gjitha fushat e veprimit politik, shoqëror, ekonomik e të tjera.. Të drejta këto të cilat realizoi pjesërisht, për shkak të paragjykimeve të cilat akoma nuk janë shuar tërësisht, për shkak të luftës së pa kompromis për pushtet, egoizmit dhe prepotencës mashkullore të njohur në këto anë të Ballkanit por edhe për shkak të angazhimit të ngathët e herë-herë edhe inekzistent të vetë grave dhe shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Pas rënies së sistemit monist, shpërbërjes së ish shtetit Jugosllav dhe veçanërisht pas çlirimit të Kosovës nga pushtuesit serb, gjërat ndryshuan për të mirë por jo me dinamiken e duhur dhe të domosdoshme për realizimin e procesit të barazisë në mes gjinive. Në të vërtetë, falë ndikimit, për mos thënë imponimit, të vendeve perëndimore për ndryshimin e legjislaturës së mëparshme për përfaqësimin adekuat të femrës në organet vendimmarrëse, pozita e saj në shoqëri u përmirësua dukshëm por jo në nivelin e duhur. Sidoqoftë, pas luftës së fundit, ku femrat shqiptare, sa me pushkë në dorë, sanë forma tjera në logjistikë, dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm, pozita e gruas u përmirësua mjaft andaj sot me të drejtë mund të thuhet se ajo gëzon mundësinë e përfaqësimit në organet e administratës, në forume politike, në institucione shtetërore dhe në të gjitha sferat tjera ku kontributi i saj vlerësohet lart.
Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Katerina Josipi, Nexhmije Pagarusha, Inva Mula, Ermonela Jaho, Rita Ora, Dua Lipa, Eliza Dushku, Bebe Rexha, Majlinda Kelmendi me shoqet nga Peja, Mimoza Thaçi si një grua e suksesshme ne fushën e biznesit, sa e sa vajza e gra të reja të shoqërisë civile dhe shumë të tjera, janë vetëm disa prej femrave shqiptare të cilat e bënë historinë, secila në mënyrën e vet dhe falë afiniteteve a sakrificave të tyre. Duke ardhë këtej në histori, tjera emra, të grave të vyeshme, brenda trojeve shqiptare të Ballkanit por edhe jashtë këtyre përkufizimeve, ishin dhe janë akoma akterë të rëndësishëm dhe shumë aktiv në bërjen e politikave kombëtare, në promovimin e vlerave kulturore e shkencore me prefiks kombëtar por edhe në forma tjera të veprimit për të çuar tutje çështjen shqiptare.
Këtu në Kosovë, kohëve të fundit, gëzon fakti se në të gjitha institucionet, publike e private, në organet e politik bërjes, në institucionet e arsimit, shkencës, kulturës, sportit, ekonomisë dhe të tjera, gratë janë shtylla vertebrale, janë inspirimi dhe motivimi për tu ngritur e rilindur, pas një periudhe të gjatë ecje, ndër shekuj, për tu radhitur krahas botës së qytetëruar perëndimore. Janë mijëra arsimtare, infermiere, mjeke, administratore, punëtore në fabrika e aktiviste të shoqërisë civile, nxënëse e studente të cilat janë krenaria e pasuria e këtij vendi.
Një njeri i mençur i Kosovës, e kam dëgjuar prej të parëve tanë, shumë vite më parë, i pyetur se kurë Kosova do ecë përpara dhe do të zhvillohet si popujt tjerë të lirë, kishte thënë: – Atëherë kur femra shqiptare të përfaqësohet krahas burrave në Parlament!” Ky njeri i mençur, megjithëse i pashkolluar, shikuar nga aspekti i sotëm kohorë dhe konstelacionet e sotme socio politike, del se paska pas të drejtë dhe se paska qenë një parashikues shumë i zoti. Sepse, sot, kur në Kosovë jemi të përfaqësuar, krahas deputetëve të respektuar meshkuj, edhe nga deputete, kryesisht vajza e gra të reja, vetë Kuvendi i Kosovës ka marrë një pamje tërësisht tjetër, është më aktiv, më i respektueshëm, më efikas dhe gjithsesi më sharmant.
Në të vërtetë sharmin, edukatën qytetare, njohuritë profesionale, oratorinë e jashtëzakonshme, elokuencën gjatë veprimeve politike dhe gatishmërinë për të shprehur edhe mendime ndryshe, jokonformiste dhe jogjithmonë sipas interesave të liderëve partiakë a grupeve tjera të interesit, të cilin e kanë sjellë, Vjosa Osmani, Besa Gaxherri, Vlora Çitaku, Xhevahire Izmaku, Blerta Deliu etj, ka ndikuar që edhe vetë skena partiake-politike të fisnikërohet dhe të frymojë më lirshëm por me një sens më të theksuar të përgjegjësisë ndaj fjalës së thënë dhe ndaj obligimeve ndaj detyrave që priten të kryejnë. Këto zonja, të ardhura prej institucioneve të ndryshme të ekonomisë, kulturës, arsimit a shoqërisë civile, kanë sjellë një realitet tëri, plot energji dhe shpresë se proceset e demokratizimit të shoqërisë kosovare do të avancohen edhe më tej edhe më shpejt. Fundi fundit, për të qenë të sinqertë dhe të drejtë, duhet apostrofuar faktin të cilin shumica prej nesh, për fat të keq e anashkalojmë shpesh herë: janë gjyshet e nënat tona të cilat, duke filluar prej ninullave aq të bukura dhe aq fisnikëruese, të cilat na këndonin sanë ambientet e shtëpive tona të vogla, duke na përkundë në djepat e braktisur tashmë, po aq edhe në ara e livadhe ku shkonin për të korrë e për të kryer punë tjera të fushës, janë pra ato të cilat na stimuluan e motivuan për mos me u ndalë kurrë. Dhe e bënin këtë ashtu të heshtura, të vyeshme e të dashura, me plotë kurajë, besim e vetëmohim. Ashtu siç dinin vetëm ato, engjëjt tanë.