‘Roli i grave për tejkalimin e sfidave në Ballkanin Perëndimor nuk njihet mjaftueshëm’
Me rastin e 25-vjetorit të Deklaratës së Pekinit dhe Platformës për Veprim, LRGEJL dhe UN Women janë duke mbajtur Konferencën Ndërkombëtare “Pekini+25: Analizë Rajonale për Ballkanin Perëndimor”.
Kjo konferencë është pjesë e nismës afatgjate të mbështetur nga Qeveria suedeze me qëllim të përkrahjes së përpjekjeve për ndërtimin e paqes në Kosovë dhe në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Thirrjet për mbështetje domethënëse për fuqizimin e gruas dhe barazi gjinore në rajonet pas konfliktit siç është Ballkani Perëndimor janë të nevojshme sepse gratë kanë dëshmuar se janë nxitëse të paqes, që është shumë e nevojshme në rajonin tonë me paqe të brishtë, demokraci të pakonsoliduar dhe sfida të reja të rrezikshme të sigurisë që kërcënojnë t’i dëmtojnë arritjet për paqe të njëzet viteve të fundit.
Edita Tahiri, kryesuese e Lobit Rajonal të Grave në Evropën Juglindore (LRGEJL), ka thënë se rajoni i Ballkanit është harruar dhe është lënë në hije. Ajo ka thënë se ky rajon në të kaluarën ka kaluar nëpër tragjedi e lufta, prandaj sipas saj roli i grave në tejkalimin e sfidave duke punuar për ndërtim të paqes dhe pajtim nuk po njihen mjaftueshëm.
Tahiri ka thënë se është koha për fuqinë e grave në Ballkan e më gjerë, pasi sipas saj vetëm barazia gjinore mund të sjellë një të ardhme të sigurt, zhvillim dhe përfshirje gjinore si dhe shoqëri të drejtë.
Ndërsa Alia El Yassir, shefe e UN Women për Evropë dhe Azi Qendrore, ka thënë se UN Women e vlerëson lartë rolin e grave për paqe, stabilitet dhe prosperitet.
Ajo ka thënë se do të vazhdojnë së fuqizuari mbështetjen për gratë në rajonet pas konflikteve sepse ato kanë kaluar nëpër një sfidë shumë më komplekse.
Yassiri ka siguruar se UN Women do ta vazhdojë partneritetin me Lobin Rajonal të Grave (LRGEJL), duke lavdëruar punën e këtij lobi.
“Jemi krenarë me punën e përkushtuar të LRGEJL-së për agjendën e grave, paqes dhe sigurisë dhe presim që Deklarata e Pekinit+25 dhe Rezoluta 1325+20 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të sjellë ndryshime rrënjësore për të arritur barazi gjinore”, ka thënë ajo.
Pjesëmarrësit në këtë konferencë janë duke diskutuar për arritjet dhe sfidat në fuqizimin e gruas dhe barazinë gjinore në Ballkanin Perëndimor gjatë 25 viteve të fundit që nga miratimi i Platformës së Pekinit, me përqendrim në vendimmarrje, ndërtim të paqes, siguri dhe drejtësi, ku gratë ballafaqohen me sfida specifike duke pasur parasysh kontekstin e rajonit pas konfliktit.
Gjetjet që do të dalin nga kjo konferencë do të gjenerojnë rekomandime për mbylljen e hendekut në barazi gjinore në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do të ofrojnë kontribut rajonal për Deklaratën e Pekinit+25 dhe Rezolutën 1325+20 të Këshillit të Sigurimit të KB-së, të harmonizuar me agjendat e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030 dhe fushatën e UN Women ‘”Gjenerata e Barazisë”.
Viti 2020 do të shënojë 25-vjetorin e Deklaratës së Pekinit dhe Platformës për Veprim, 20vjetorin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gra, Paqe dhe Siguri (UNSCR 1325) si dhe arritjen pesëvjeçare drejt realizimit të Agjendës 2030 të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm (OZHQ-të).
Gratë konsiderojnë se këta përvjetorë paraqesin momentum kritik për ta përshpejtuar zbatimin e objektivave të tyre të përbashkëta për fuqizimin kuptimplotë të grave dhe barazi gjinore dhe për kontributin e saj drejt ndërtimit të një të ardhmeje paqësore, demokratike, të qëndrueshme, të begatë evropiane dhe euro-atlantike të rajonit.
Gratë poashtu janë duke theksuar një nevojë urgjente për vlerësimin e sfidave aktuale që ndikojnë në zbatimin e këtyre platformave të rëndësishme në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që ende është duke u ballafaquar me paqe të papërfunduar, demokraci të brishtë, korrupsion dhe papunësi.
Kjo konferencë ndërkombëtarë ka bërë bashkë gra lidere në politikë dhe shoqëri civile, anëtare të parlamentit, qeveri, qeveri lokale, eksperte kombëtare dhe ndërkombëtare për barazi gjinore dhe fuqizim të grave, Komitetin drejtues të LRGEJL-së, të gjitha anëtarët e shteteve ku LRGEJL është e përqendruar (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, Serbia) dhe përfaqësuese ndërkombëtare nga UN Women, Ambasada Suedeze në Kosovë, agjenci të tjera të OKB-së dhe organizata ndërkombëtare.
Lobi Rajonal i Grave në Evropën Juglindore (LRGEJL) vazhdimisht bën thirrje për bashkëpunim të shtuar mes grave nga Ballkani Perëndimor dhe fuqizim të rritur të grave në qeverisje demokratike dhe procese të ndërtimit të paqes.
/Epoka e re/