Roli i kriptovalutave në financimin e terrorizmit

24 tetor 2023 | 08:17

Reuters

Roli i kriptovalutave në financimin e terrorizimit dhe grupeve militante është rikthyer në vëmendjen e opinionit, pas sulmeve vdekjeprurëse ndaj Izraelit nga militantët palestinezë të Hamasit.

Izraeli ka konfiskuar llogari të kriptovalutave që ka thënë se janë të lidhura me Hamasin. Ligjvënësit amerikanë i kanë bërë thirrje Qeverisë të parandalojë që Hamasi dhe bashkëpunëtorët e tij të përdorin kriptovaluta.

Por, kriptovalutat janë vetëm një mënyrë që grupet e dhunshme militante dhe grupet që cilësohen si organizata terroriste përdorin për të përfituar para.

Në këtë tekst mund të mësoni më shumë për rolin e kriptovalutave në financimin e terrorizmit:

Pse përdoren kriptovalutat në financimet e paligjshme?

Çdokush mund të hapë një llogari për kriptovaluta dhe jo gjithmonë duhet t’iu nënshtrohet kontrolleve, që zakonisht bëjnë bankat.

Adresat janë me pseudonime – të emëruara me shkronja dhe numra – që nënkupton se njerëzit mund të dërgojnë dhe pranojnë kriptovaluta pa zbuluar identitetin e tyre.

Teknologjia “blockchain” (shqip: blloqe zinxhir) mundëson operimin e kriptovalutës në aspektin digjital, përtej kufijve dhe nënkupton se mund të funksionojë si një sistem i pagesave të menjëhershme.

Në botë, kriptovalutat u nënshtrohen rregullave më pak specifike sesa financat tradicionale, edhe pse në disa rajone janë duke u vendosur rregulla të reja për monedhat virtuale.

Task Forca për Veprim Financiar (FATF), trupi botëror përgjegjës për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ka paralajmëruar se asetet e kriptovalutave “rrezikojnë të bëhen një strehë e sigurt për transaksionet financiare për kriminelët dhe terroristët”.

A mund të mos gjurmohen kriptovalutat?

Po, por jo gjithmonë.

Kriptovalutat sikurse Bitcoin dhe Ethereum kanë krijuar të dhëna të përhershme publike për transaksionet. Kjo nënkupton se është e mundur të shihen fondet që dërgohen në një adresë dhe në cilat adresa të tjera shkojnë kriptovalutat.

Është e vështirë për një person të jashtëm të identifikojë transaksionet në “blockchain”, por firmat që gjurmojnë të dhënat e kriptovalutave, kanë mjete për të gjurmuar fondet

Megjithatë, në mënyrë që të lidhen këto transaksione të kryera nga një person apo grup, hulumtuesit varen në informacionet që nuk regjistrohen në “blockchain”.

Shkëmbimet e kriptovalutave mund të regjistrojnë se cilat adresa i përkasin cilit konsumator dhe policia më pas mund të zbulojë se kush qëndron prapa atyre llogarive.

Përdoruesit e kriptovalutave mund të fshehin edhe më tej gjurmët e tyre duke përdorur “mixers” të kriptovalutave apo duke zhvendosur fondet në firma të tjera, ku mund të jetë e vështirë që të dallohen nga asetet e konsumatorëve të tjerë.

Sa përdoren kriptovalutat për financimin e terrorizmit?

Përgjigjen në këtë pyetje askush nuk e di me siguri.

Grupet militante përdorin metoda të ndryshme për të lëvizur paratë, përfshirë paratë e gatshme, bankat, kompanitë fiktive e organizata të bamirësisë si dhe rrjete joformale financiare. Sipas ekspertëve, kriptovalutat janë një pjesë e vogël.

Më 2022, një zyrtar i Kombeve të Bashkuara deklaroi se disa vjet më parë 5 për qind e sulmeve terroriste ishte vlerësuar se ishin financuar nga kriptovalutat, por sipas Bloomberg, kjo shifër mund të arrijë deri në 20 për qind.

Këtë vit, FATF tha se kriptovalutat paraqesin “rreziqe në rritje për financimin e terrorizmit”, por “shumica” e financimit për terrorizmin, ende përdorin monedha të rregullta.

Kur transaksionet për financime të paligjshme detektohen në kompani të kriptovalutave, kjo jo domosdo nënkupton se të gjitha transaksionet e asaj firme preken, thanë në një blog hulumtuesit e Chainalysis.

Chainalysis tha se financimi i terrorizmit “paraqet një fraksion të vogël prej më pak se 1 për qind të tregut të kriptovalutave ku zhvillohen aktivitete të paligjshme”.

Po format e tjera të financimit të paligjshëm?

Financimi i terrorizmit përbën një pjesë të vogël të përdorimit të kriptovalutave për aktivitete të paligjshme, ku përfshihen edhe mashtrimet, sulmet kibernetike dhe vjedhjet.

Krimet me kriptovaluta kapën një shifër rekord prej 20.1 miliardë dollarësh më 2022, tha Chainalysis. Në këtë shifër nuk përfshihen krimet sikurse pagesat për drogë.

Vjedhjet e kriptovalutave përmes sulmeve kibernetike po ashtu përbëjnë një burim të rëndësishëm financimi për Korenë e Veriut, sipas raporteve të OKB-së.

Disa banka në Mbretërinë e Bashkuar kanë frenuar qasjen e disa konsumatorëve në kriptovaluta për shkak të rritjes së mashtrimeve me këto monedha virtuale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve sot do të lansojë…