(Prishtinë, 11 janar 2011)
Roli i Nazim Gafurrit në ndërkombëtarizimin e masakrës së Bozhiqit 1921
Nga: Muhamet Pirraku
“Armiqtë nuk do të arrijnë të më vrasin: e para, para se ta hapi shkollën shqipe, e dyta, i kam shtruar vetës për detyrë të bëhem kurban i popullit tim, lirisë dhe bashkimit demokratik!” (betimi i Nazim Gafurrit, kur vendosi ta linte tregtinë për pasurim, për t’iu përkushtuar jetës politike)
***
Ploja serbe mbi qenien shqiptare të Prapashticës e të Keçekollës e gjetkë në “festën” e Bozhiqit serb, prej 7-10 janarit 1921, pati për uverturë vrasjen e mbi 20 vetave, krerë me autoritet midis masave të popullit në mbarë Gallapin e Llapin nga viti 1919. Mirëpo, këtu nuk kemi vend të përmendim emrat e martirëve dhe të kriminelëve qeveritarë serbo-jugosllav, një për një, por as të thellohemi në përmasat e masakrës, por të fokusohemi vetëm në kontributin e Nazimit në ndërkombëtarizimin e asaj që rezultoi me ndalimin e vazhdimit të saj në mbarë Gallapin e Llapin, nën maskën “e dënimit të kaçakëve dhe të jatakëve të tyre!”.
Sipas të dhënave që Nazim Gafurri ia dërgoi Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Bozhiqin e vitrit 1921 ushtria, xhandarmëria dhe paramilitarët qeveritar serbo-jugosllav në fshatrat Prapashticë, Keçekollë dhe në dy-tri fshatra periferike, masakruan 802 shqiptarë – burra, gra, pleq e fëmijë – kurse sipas të dhënave të tjera për Shoqatën e Kombeve, në Prapashticë, Keçekollë dhe në disa fshatra të tjera të Gallapit e Llapit, serbo-jugosllavët “për Festën e bozhiqit 1921, therën 1020 shqiptarë: burra, djem, gra, vajza, plaka, pleq e fëmijë.
Dy gjëra dihen me saktësi: Pushtuesi gjakësor i kurseu vetëm familjet e bashkëpunëtoreve të xhandarmërisë dhe pa intervenimin e Nazim Gafurrit, përmasat e Masakrës serbe të Bozhiqit 1921 do t’i jepnin fund substancës shqiptare të Gallapit e të Llapit me pasoja të përjetshme për shqiptarësinë e Kosovës e më gjerë.
Meqë Masakra e Bozhiqit në Gallap u zbatua në kushte të shtetrrethimit ushtarak e policor të hekurt dhe mizor, të vënë më 6 Janar, në Natën e Bozhiqit në mbarë viset e Qarkut të Kosovës e më gjerë, nën maskën ”Çarmatosja e popullsisë mbështetëse e Lëvizjes Kaçake”, informatat gojore për masakrën do të arrijnë në Prishtinë vetëm pas datës 8 Janar kur ishin zbatuar vrasjet masive të rreth 200 meshkujve nga 10-80 vjeç dhe kur turma e grave me fëmijë të shastisur kishte arritur në Mramuer e Marec.
Nazim Gafurri, me të dëgjuar për masakrën, meqë nga Prishtina nuk mund të bënte as një telefonatë, me shpejtësi dhe me një çmim krejt simbolik, e shiti një Han reprezentativ që e kishte në qendrën e Prishtinës dhe mësyu trenin në Fushë Kosovë, me qëllim të shkonte në Shkup, pikërisht në selinë e Organizatës politike kombëtare shqiptare në robërinë jugosllave, por me emrin arab, “Xhemijeti”, që shqip do të thoshte “Bashkimi”, i ngritur më 18 fhjetor 1919.
Në dalje të Prishtinës një shok ia ndaloi “pajtonin”, e informoi se xhandarmëria ia kishin vu pritën për ta vrarë dhe e ktheu prapa. Mirëpo, Nazimi nuk hoqi dorë nga synimet, dhe qëndroi në shtëpi vetëm derisa e veshi “ferexhenë” e gruas, dhe mësyu Lypjanin. Sapo arriti në stacionin e trenit, e hoqi “ferexhenë” dhe pajtonxhisë i kërkoi falje: “Ta vura jetën në rrezik, por Zoti i falë ata që janë në shërbim të popullit!”. I dha para dy herë më shumë se çmimin e goditur, “ferexhenë” e la në ulësen e pajtonit, e me shpejtësi iu qep shkallëve për në tren.
Nga kujtesa e shënuar në Prishtinë, Gallap, Llap, Drenicë e Rrafsh të Kosovës e Anamoravë, por edhe nga burimet e shkruara, dihet saktësisht se në Shkup Nazimi fillimisht shkoi në selinë e “Xhemijetit”. Dihet se këso kohe kryetar nominal i “Xhemijetit” ishte politikani shqiptar më markanti i kohës, Nexhib bej Draga, (1868- 18 Maj 1921), por drejtues faktik ishte i vëllai i tij, uragani më brilant i kombit, Ferat bej Graga (1880-1944), të cilin Nazimi e ndiqte me besnikëri si askush tjetër.
Nazim Gafurri e informoi Kryesinë e “Xhemijetit” për gjakderdhjen e llahtarshme në Gallap dhe kërkoi që ajo të alarmonte udhëheqjet e partive opozitare, demokratike e socialiste jugosllave për masakrën që pushteti e kishte filluar në Gallap. Brenda orës e gjeti telegrafistin Hasan Gjinolli nga Gjilani, të cilin e njihte nga fëmijëria, si të guximshëm (Nazimi ishte nipash i Gjilanit), dhe me ndihmën e tij i telegrafoi Ministrit të Luftës në Beograd, duke iu kërcënuar se për këtë krim të panjohur në histori mbi popullsinë civile, duke masakruar fëmijë në djep, gra shtatzëna, vajza e nëna me fëmijë në gji, plaka e pleq e të pamundur e burra të paarmatosur, “… do ta informojë edhe Shoqatën e Kombeve dhe shtypin botëror…!”
Nazim Gafurri ishte lexues i parapaguar i gazetës “Hak” (Drejtësia), organ i “Xhemijetit”, një buletin besnik i rrjedhave politike kombëtare shqiptare nën Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene, që nga numri i parë, më 23 Janar 1920, deri në të fundit, më 10 dhjetor 1924, ditë që bie në ditën kobzezë të kthimit të Ahmet bej Zogollit në Shqipëri me ndihmën e Beogradit. Gazeta “Hak” doli në gjuhë të dhunshme për shqiptarët: turqisht e serbisht, por frymoi vetëm shqip, qartë, më mirë se akëcila gazetë shqipe e sotme.
Nazim Gafurri nga tashti do të shoqërohej nga mësimdhënësi i “Medresës së Madhe të Kral Aleksandrës”, Feriz Bajrami, me përvojë në gazetari nga periudha osmane, kurse tashti edhe gazetar redaktor i gazetës “Agimi i Socializmit” (“Socijalistiçka zora”), serbisht e turqisht, por që frymonte fuqimisht njerëzisht, e lexues i parapaguar i së cilës ishte edhe Gafurri, shumë i afër me socialistët që nga periudha osmane.
Në redaksinë e gazetës “Hak”, Nazimin e priti kryeredaktori përgjegjës, sanxhakasi i shquar dhe i guximshëm, Hasan Sabri Ibraimi, mik besnik i Açif haxhì Ahmet Blytë Pazarit, sekretar i “Xhemijetit”, vet nderi i kombit shqiptar. Në këtë takim Nazimi kërkoi që “Hak” t’i përkushtohet pasqyrimit të Masakrës së Bozhiqit 1921 në Gallap e Llap, kurse të dhënat faktike për masakrën, shpenzimet e botimit dhe honorarin për autorin do t’i mbulonte paraprakisht. Në Shkup, Nazimi arriti të merrte kontakt edhe së paku me dy përfaqësi diplomatike evropiane, pikërisht me atë të Francës dhe të Anglisë, të cilat do të ndihmojnë për dërgimin e komisionit të Shoqatës së Kombeve në vendin e krimit.
Nazim Gafurri i obligoi Hasan Sabriun dhe Feriz Bajramin që t’u shkruanin gazetave me vokacion “demokratike” e ”socialiste” në vend dhe në botë. Për punën me rrezik për jetën e tyre u la “amanet” të gjitha parat që i mori nga shitja e hanit, të cilin nga tashti prishtinasit dhe populli mbarë e quajtën “Hani i Dekës”.
Veprimi aq i përkushtuar i Nazimit, duke mos kursyer mallin dhe duke vu në rrezik permanent jetën e tij dhe të familjes për interesa të jetës së shqiptarësisë së Kosovës, bëri që masakra masive e 8 dhe 9 janarit, në Prapashticë e Keçekollë, të mos vazhdonte në fshatrat periferike të Gallapit e të Llapit, sipas planifikimit që dirigjohej me të shtëna topi nga “Maja e Meçegllavës”.
Realisht, me 10 dhe 11 Janar 1921 do të vazhdohet me vrasje të disa individëve, madje edhe në fshatin Koliq, në të cilin në ditën e krimit më monstruoz në Prapashticë e Keçekollë, po zhvillohej një dasmë me “300 krushq”, numër ky i ekzagjeruar. Vazhdimi i vrasjeve tashti ishte vetëm për interesa individuale të komandantëve, me qëllim t’i venin në lëvizje krerët dhe hoxhallarët të mblidhnin “Parat e bardha për ditë të zeza!”, madje edhe stolitë e arit nga qafa e grave, për ta blerë jetën e meshkujve të paarmatosur.
Këtu tashti kërkohet të saktësojmë edhe faktin se pasqyrimi që do t’i bëjë gazeta “Hak” Masakrës së Bozhiqit 1921, mbi bazë të të dhënave që i siguroi dhe i sistematizoi martiri i kombit, Nazim Gafurri, duke i evidentuar edhe emrat, moshën dhe gjininë e pjesës më të madhe të të masakruarve e të karbonizuarve në zjarrin e vatrës së lindjes, është burimi më i saktë për këtë gjakderdhje shqiptare nga mizoria serbe-jugosllave.
Nazim Gafurri, me mbështetje të plotë të “Xhemijetit” dhe të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me seli në Shkodër, arriti të sillte në vendin e krimit një komision që përfaqësonte “Shoqatën e Kombeve”. Ky komision, në prani të Nazim Gafurrit, midis të tjerave e hapi një varr masiv dhe konstatoi se aty ishin varrosur viktima gjinish e moshash të ndryshme të likuiduar me sadizëm. Konstatoi se mbi 50 shtëpi të Prapashticës e të Keçekollës ishin rrafshuar me zjarr dhe të thuash ishin shfarosur, por si gjithherë kur ishte fjala për gjenocidin ndaj shqiptarëve myslimanë, Serbo-Jugosllavia nuk u ndëshkua dhe as ndëshkohet sot nga Kombet e Bashkuara!?!
Përpjekja dhe sakrifica për ta ndriçuar Masakrën e Bozhiqit 1921, bëri që Nazim Gafurri përjetësisht të futet në zemrën e popullit. Do të mbështetet në vijimësi nga mendimtari më markant i kohës, Sheh Mehmet Sezai (1874-1947); do t’i vazhdojë përpjekjet politike demokratike, duke e mbështetur politikisht dhe materialisht fuqimisht, Lëvizjen e Rezistencës Kombëtare Shqiptare të Armatosur, e njohur në histori si “Lëvizja Kaçake 1918-1928”. Dy dajtë e Nazimit, doktor Fahriu dhe veprimtari politik Avni Gorani – Gjilani, që jetonin në Tiranë, e ftonin Nazimin të kalonte atje për ta shpëtuar kokën.
Në letrën e Doktor Fahriut, pak ditë para atentatit të dytë, të 11 marsit 1927, Nazimi ia preu qartë: ”Dajo, unë nipi yt, do të qëndrojë këtu dhe këtu do ta derdhi gjakun tim dhe këtu, në Kosovë, do të varrosem ose në ndonjë gropë, ose në varr, si dëshmi e përjetshme se isha, jetova dhe u përpoqa për popullin tim…!”
Nazim Gafurri do të vritet në atentatin e tretë të 7 majit 1928 dhe për vrasjen e tij do të shkruan me dhembje shtypi demokratik e komunist jugosllav, ballkanik e evropian, duke e quajtur, me pietet, Hero të Demokracisë!
Në jehonën e zisë kombëtare për vrasjen e Nazim Gafurrit, veprës patriotike të tij, i thuri kurorë në gjuhën shqipe dhe turke bardi i letërsisë shqipe me grafi arabe, Hafëz Imer Shemsiu. Poema e Shemsiut, “Nazmi Gafurri”, i ka 454 vargje dhe fillimisht u shpërnda si “ilahi , e cila në mjediset intime do të këndohet si këngë historike e përcjellë me sharki. Në trashëgiminë e thesarit tonë folkloristik të shkruar e jetësoi sekretari i Komunës së Bushatit (ish-Kamarani) në vitet e Luftës së Dytë Botërore, Riza Streli i Zhegocit, rapsod i shquar, dëshmor i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare, kurse shkrimin e parë afirmativ për jetën dhe veprën e Nazimit e botova në revistën studentore “Bota e Re” më 1975.
Të përfundojmë fare përmbledhur: Hulumtimin e kujtesës historike për Masakrën e Bozhiqit të vitit 1921 dhe për ndriçimin e veprimtarisë kombëtare të Nazim Gafurrit e nisa sapo u diplomova në histori. Ky aktivitet, aso kohe, nuk ishte punë pa rreziqe për mirëqenien personale dhe familjare. Për këtë fakt dëshmon Aktakuza nr.761/81, e Prokurorisë Publike, më 5 tetor 1981 dhe Aktgjykimin P.nr.405/81, i Gjyqit Komunal të Prishtinës, më 12 Nëntor 1981, e që ruhen në Arkivin historik të Prishtinës, ku fajësohem, përpos tjerash, edhe pse kisha jetësuar me shkrim kujtesën historike për Maskrën e Boshiqit 1921 në Gallap.
Nazim Gafurri kur u nis në rrugën për ndërkombëtarizimin e Masakrës së Bozhiqit 1921, i pat thënë pajtonxhisë: “… Zoti i falë ata që janë në shërbim të popullit!” Edhe mua më shpërbleu Zoti për përkushtimin, dhe në vitin 1976, pas shumë kërkimeve të mundimshme ia gjeta varrin Nazim Gafurrit, e në vijim të viteve të ’90-ta, përpos një pasqyrimi bukur shterues, më në fund, më 9 Tetor 1997, i përkrahur moralisht dhe materialisht nga disa idealistë të Prishtinës, ia ngritëm një monument graniti mbi varrin-Nderim i përjetshëm për atë që bëri për kombin shqiptar!