Roli i opozitës në dialog i pashmangshëm, thotë Tahiri
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se roli i opozitës në dialogun me Serbinë është i pashmangshëm.
Sipas tij, opozita duhet t’i bashkohet “ekipit kombëtar” për dialogun me Serbinë, sepse kjo “s’ka të bëjë me raport të brendshëm, por përballjen me dikë tjetër”.
Ai ka thënë se spektri politik në Kosovë duhet të kuptojë “se ky është momentumi ynë për këtë marrëveshje”.
Tahiri ka thënë se Kosovën në dialog do ta përfaqësojë Qeveria, ndërsa ka shtuar se do të propozohet edhe formimi i një komisioni në Kuvend për të mbikëqyrur procesin.
“Kryeministri Hoti ka rolin e vet në bazë të atij vendimi sikur që e ka rolin presidenti Thaçi sipas Kushtetutës. Nëse do të ketë marrëveshje më të madhe, ajo që dihet është se çdo marrëveshje kërkon 2/3 e votave në Kuvend. Roli i opozitës është i pashmangshëm. Do të ndodhë në çfarëdo votimi. Për këtë Hoti ka prezantuar një platformë të tij. Do të propozohet formimi i një komisioni ad-hoc parlamentar që të mbikëqyrë procesin. Duhet të raportojë para se të shkojë dhe pasi të kthehet kryeministri. Forumi i liderëve politikë mendoj se do të ketë fuqi vetëm po të jetë i plotë. Forumi i liderëve do të ketë rol konsultativ ku informohet para dhe pas epilogut. Kemi vendim të Gjykatës dhe duhet ta respektojmë edhe për pozicionin e Hotit dhe të Thaçit. Ajo që diskutohet është se kush do të shkojë. Normalisht që Qeveria negocion”, ka deklaruar Tahiri në Deskun e KOHËS.