Roli i shoqërisë civile në proceset integruese, jetik për Kosovën
Komisioni për Integrime Evropiane ka mbajtur të mërkurën një takim të përbashkët me përfaqësues të shoqërisë civile, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe komunikimit në procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile: Venera Aqifi, nga “GIZ”, Albana Rexha nga “Demokraci plus”, Arbër Fetahu, përfaqësues i Grupit për Studime Politike dhe Juridike, Arben Kalaja nga instituti “Epik”, si dhe Visar Xhonbazi nga “D4D”, pasi folën për angazhimin dhe fushëveprimtarinë e organizatave që përfaqësonin, ata u angazhuan edhe për gjetjen e mënyrës më të mirë të bashkëpunimit me Komisionin.
Anëtarët e Komisionit falënderuan ata për pjesëmarrjen, dhe vlerësuan se me një bashkëpunim të ndërsjellë do të mund të bëhej më shumë në rrugën e integrimit.
Komisioni, po ashtu vlerësoi se roli i shoqërisë civile është jetik dhe i pazëvendësueshëm në të gjitha proceset integruese të vendit tonë.
Ndër gjërat që mund të bashkëpunohet me sukses u vlerësua mbikëqyrja e përbashkët e implementimit të ligjeve, si dhe miratimi i tyre e harmonizimi me ligjet e BE-së, ndërkaq, me theks të veçantë u vlerësua konsultimi i ndërsjellë dhe mbikëqyrje e përbashkët e zbatimit të marrëveshjes së MSA-së.
Të pranishmit në këtë takim, u zotuan se në të ardhme do të ketë bashkëpunim edhe më të ngushtë me qëllim të tejkalimit të sfidave që paraqet procesi i integrimit.