Roma e Romulit, sot e gjithë botës
Dibran Demaku
Roma. Kryeqyteti i Italisë. Kryeqyteti i Perandorisë. Kryeqyteti i lashtësisë. I asaj lashtësie që shkon përtej reales. Kalon përtej reales e hyn në legjendë. E legjenda thotë: Romuli e Remi ishin vëllezër binjakë. Pas lindjes së tyre dikush i vë në një lloj arke dhe i hedh në valët e lumit. Mbase në valët e lumit Tiber! Vala e lumit i merr me vete dhe dikur i nxjerrë në breg të lumit, apo në hyrjen e një shpelle. E në shpellë gjendet ujkonja me këlyshët e vet. Ujkonja i ushqen me qumësht edhe dy vëllezërit duke menduar se janë këlyshët e saj. Ata, vëllezërit Romuli e Remi, e rrisin shtatin me qumështin e ujkonjës. Pas një kohe ata i gjen dhe i merr një shenjtore. Kur rriten, Romuli themelon Romën dhe aty sjell vëllanë, Remin. Kështu thotë legjenda në është për t’i besuar. Po ne shqiptarët themelimin e qytetit të Romës ia dedikojmë një luftëtari që kishte marrë pjesë në luftimet e Trojës. Ai luftëtar quhej Ene. Pas humbjes së luftës së Trojës, Eneu ishte shpërngulur në brigjet e ishullit që atëherë quhej me një emër tjetër e që sot quhet Itali. Eneu me suitën e tij kishte zbarkuar pikërisht aty ku ndodhet sot qyteti i Romës dhe e kishte themeluar atë. Edhe kjo i takon legjendës, në është për t’i besuar.
Roma, ky qytet i lashtësisë njerëzore, i themeluar ashtu ose kështu, u ka bërë ballë stuhive shekullore duke u ikur legjendave dhe ajo sot është reale dhe e prekshme. Dhe unë me time shoqe dhe me time bijë kemi fluturuar nga Hamburgu i Gjermanisë dhe kemi ardhur këtu. Gjatë katër ditëve sa do të qëndrojmë, do ta shohim dhe ta prekim Romën, që renditet në një nga shtatë mrekullitë e botës.
Në mëngjesin e një korrikut, pas një gjumi të rehatshëm në njërin nga hotelet e shumtë të Romës, unë, ime shoqe dhe ime bijë iu bashkuam lumit të gjatë të turistëve që kishin zbritur në Romë nga e gjithë bota. Nën rrezet e praruara të diellit mëngjesor, Roma me tërë lashtësinë e vet kishte marrë ngjyrim përrallor. Lumi i gjatë i turistëve nga e gjithë bota ishte drejtuar tek ajo që mund të quhet mrekulli e mendjes dhe e dorës njerëzore e që e ka emrin amfiteatër antik. Me këtë emër njihet në shumë gjuhë të botës, edhe në gjuhën tonë shqipe. Ndërkaq ai njihet edhe si Koloseu.
Pasi kemi prerë biletat dhe kemi pritur bukur gjatë, kemi kaluar portën kryesore dhe kemi hyrë brenda në amfiteatër. Ime bijë, e mrekulluar me ato pamje madhështore të amfiteatrit, thërret: – Kjo qenka vetë mrekulli! Vetëm nuk po mund ta akceptoj me mendjen time se si kanë arritur njerëzit para shumë e shumë shekujsh të ndërtojnë diçka kaq madhështore. Vërtet amfiteatri, muret e tij të larta dhe me mijëra labirinte, më shumë se reales, i ngjante legjendës. Lumi i gjatë i njerëzve ishte shpërndarë gjithandej labirinteve të amfiteatrit dhe mendja njerëzore nuk mund ta përcaktonte se sa njerëz ishin brenda. Me siguri se numri i turistëve e kishte kaluar numrin e spektatorëve që kishin paraparë projektuesit e tij e që, sipas shënimeve të ndryshme, nëpër muret e amfiteatrit thuhej që numri i tyre ishte shtatëdhjetë mijë. Turistët e mrekulluar nga amfiteatri antik dhe labirintet e tij bënin filmime dhe fotografi. Thuajse që të gjithë kishin dëshirë që pasi të iknin nga këtu, të merrnin me vete filmime dhe fotografi nga çdo kënd dhe cep i amfiteatrit. Sipas shënimeve në muret e tij, idenë për ngritjen e tij e kishte dhënë perandori i kohës me emrin Fllavio, me të cilin identifikohej amfiteatri. Derisa kaloje nëpër ato labirinte patjetër të shkonin në mendje edhe luftërat që kishin zhvilluar për jetë a vdekje gladiatorët në arenën e amfiteatrit. Mendja të shkonte edhe te vuajtjet njerëzore për ndërtimin e tij. Sa djersë e gjak ishin derdhur nën themelet dhe muret e tij. Por, kohët ishin të tjera dhe njerëzit, gjithashtu. Ata kishin derdhur djersë e gjak për ngritjen e tij e ne tash ecim nëpër këto mure dhe labirinte që kishin ngritur ata. Dhe gjithsesi, krahas mrekullisë që ndiejmë kur i shohim muret dhe labirintet e amfiteatrit, ndiejmë edhe dhimbje për gjakun dhe djersën e derdhur të ndërtuesve sepse, tekefundit, edhe mrekullia edhe dhimbja janë njerëzore.
Pas plot katër orësh vizitë lëmë prapa amfiteatrin dhe i drejtohemi pjesës së qytetit, disa gërmadhave të mbetura nga pjesa e qytetit ku dikur kishin jetuar perandorët e perandorisë më të madhe të të gjitha kohëve – Perandorisë Romake. Se kur dhe si ishin shembur ato ndërtesa, që tash më shumë ishin gërmadha, nuk kuptova. Në mendje më shkoi se do të ketë ndodhur ndonjë tërmet i fortë. Mbase ai tërmet e ka përgjysmuar edhe amfiteatrin antik. Duke kaluar nëpër ato gërmadha ku dikur kishin jetuar perandorët e ish-perandorisë, në mendje më shkoi ajo që dikur kishim mësuar në librat e historisë për Perandorinë në fjalë dhe për perandorët e saj. Një nga ata ishte çmendur dhe me çmendurinë e tij e kishte rrënuar gjysmën e qytetit të Romës. Ai kishte qenë perandori Neron i cili kishte dhënë urdhër që Roma të digjej. Në ato libra të historisë thuhej se me atë rast nga flakët e zjarrit ishte rrënuar thuajse gjysma e qytetit. Sido që të ketë ndodhur, pasardhësit e Neronit të çmendur ishin kujdesur ta ruanin atë çfarë mund të ruhej.
Pak më tej ndërtesave të dikurshme qeveritare, tashmë gërmadha, ndodheshin pallatet e perandorëve të ndryshëm, natyrisht edhe ato të rrënuara. Pamë dhe prekëm ish-pallatet e perandorit Fllavio, të perandorit August, të ciceronit etj. të gjitha këto ish-ndërtesa qeveritare dhe pallate perandorësh, të rrënuara, por të ruajtura, paraqisnin atraksion të vërtetë për turistët.
Në ditën tjetër vizituam Vatikanin dhe Selinë e Shenjtë. Sheshi i Shën Pjetrit si dhe katedralja madhështore e Selisë së Shenjtë, e mbushur me turistë nga e gjithë bota. Për fat të mirë, këtu, siç duket, s’kishte ndodhur asnjëherë ndonjë tërmet shkatërrues, apo nuk kishte arritur dora zjarrvënëse e Neronit. Katedralja e Shën Pjetrit, si Seli e Shenjtë, aty ku ka rezidencën Papa, ishte e mrekullueshme dhe madhështore. Pasi pamë ambientet e brendshme të katedrales, ime bijë shprehi dëshirë të ngjiteshim lart në kupolën e saj. Meqë deri në kupolën e katedrales mund të arrihej pasi të kesh ngjitur pesëqind e pesëdhjetë e një shkallët e saj, ime shoqe u tërhoq. Ime bijë dhe unë morëm rrugën e ngjitjes në majën e katedrales. Shkallët e ngjitjes vende-vende ishin të ngushta dhe disa që ia kishin mësyrë majës, ktheheshin prapa. Ime bijë dhe unë, së bashku me ne edhe shumë të tjerë, ia arritëm qëllimit. U ngjitëm në majë të katedrales dhe nga aty shihnim qytetin e Romës si në shuplakë të dorës. I shikonim edhe parqet e shumta të Vatikanit dhe të Romës. Pas kalimit të një dite në qytetin e Vatikanit dhe në Selinë e Shenjtë, u kthyem në dhomat tona të hotelit me metronë e qytetit. Roma (në të edhe Vatikani), përveç transportit mbitokësor, e ka edhe atë nëntokësor (metronë). Dhe metroja i ka dy linja që e përshkojnë Romën, si të thuash, në mënyrë horizontale dhe vertikale apo, si të thuash, veri-jug dhe lindje-perëndim. Kur po ktheheshim në hotel me metro, seç më shkoi në mendje transporti në Shqipëri dhe në Kosovë. Kohët e fundit kryeqytetet e të dyja shteteve shqiptare janë në kaos nga numri rekord i makinave. Dhe m’u kujtuan premtimet e politikanëve si në Tiranë e në Prishtinë, në kohë fushatash elektorale. Si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë politikanët në kohë fushatash elektorale premtojnë mrekulli. Një nga premtimet e tyre ishte edhe ndërtimi i linjave të tramvajit në Tiranë dhe në Prishtinë. Por premtimet i harrojnë dhe tramvaji assesi nuk arrin në Tiranë apo Prishtinë.
Roma. Kryeqyteti i Italisë. Kryeqyteti i Perandorisë. Kryeqyteti i lashtësisë. Ngado që të kalosh ndeshesh me lashtësinë. Këtu një ndërtesë gjysmë e rrënuar, aty një gjysmëmuri kalaje. Atraksion i vërtetë për secilin që vjen këtu. Atraksion i vërtetë janë edhe katedralet e shumta, që tash janë caqe të vizitave të turistëve. Caqe të vizitave të turistëve janë edhe sheshet e rrugët karakteristike të ndërtuara në Romën e lashtë.
Ditën e tretë të qëndrimit tonë në Romë e nisëm me vizitën te fontana e ujit të fatit. Kështu disi quhet fontana e njohur e Romës, atraksion i vërtetë për turistët. Vetëm se ne këtë herë nuk patëm fat. Fontana ishte në renovim e ne as nuk e pamë ujin e fatit, as nuk hodhëm para të imta në të. Meqë fontana rinovohej, ia mësymë Katedrales Panteon. Një katedrale e njohur dhe shumë karakteristike me arkitekturën e saj. Pastaj vizituam sheshin “Spanja”. Në mes të sheshit një barkë simbol i Spanjës si dhe ngjitur me të “Shkallët spanjolle”. Ime bijë, që ka qenë në Barcelonë, më tregon se këto shkallë spanjolle në romë ngjajnë shumë me shkallët e Barcelonës. Edhe këtu turistë nga e gjithë bota. Ngjitemi në shkallët “spanjolle” dhe pasi kalojmë nëpër një rrugë, përpara na del vila e njohur “Villa Mediqi”. Kjo vilë dikur i takonte familjes Mediqi që, sipas qytetarëve të Romës, familja në fjalë ka bërë shumë për Romën. Ngjitur me vilën në fjalë fillon një nga parqet më të bukura të Romës. Është pasdite vonë dhe ne vendosim që orët e mbetura deri në mbrëmje t’i kalojmë në një shëtitje nëpër parkun e mrekullueshëm. Gjithandej turistë që shëtisin nëpër park me tingujt e muzikës së ndryshme që nxjerrin artistët me instrumentet e tyre.
Në ditën e katërt të qëndrimit në Romë, ime bijë dhe ime shoqe kanë dëshirë t’i vizitojmë lokalet e shitblerjeve, që në Romë janë të shumta. Aty gjenden lokale nga më të zakonshmet deri tek të jashtëzakonshmet. Kur them kështu e kam fjalën te lokalet me çmime të zakonshme deri tek ato me çmime të paarritshme për xhepat tanë. – Por, meqë jemi këtu, përse mos t’i shohim edhe ato! – më thotë me shaka ime bijë. Nuk më mbetet tjetër vetëm t’i bindem dëshirës së tyre.
Marrim metronë nga termini dhe zbresim në Spagna (që do të thotë Spajna). Nga aty zbresim në “Sheshin e popullit” dhe pastaj nisemi për rrugën “Via del Korsso”. “Via del Korsso” fillon nga “Sheshi i popullit” dhe përfundon në sheshin “Viktor Emanuelli i Dytë”, aty ku ndodhet edhe pallati i mermertë me emrin e perandorit në fjalë. Në të dyja anët e “Via del Korssos”, lokale të ndryshme të shitblerjeve. Aty gjen lokale të shitblerjeve me çmime të zakonshme si dhe lokale të shitblerjeve me çmime të jashtëzakonshme. Ime bijë dhe ime shoqe, meqë iu ka dhënë rasti, nuk duan t’u kalojë asgjë pa parë. Hyjmë e dalim nëpër lokale të shitblerjeve, diku vetëm sa për ta shuar kureshtjen, diku për të blerë diçka për vete dhe ndonjë dhuratë për të afërmit dhe për miqtë. Kur i ramë “Via del Korssos” në fund, u bë pasdite vonë. Dielli iu afrua perëndimit e neve s’na mbetet tjetër vetëm të kthehemi në hotel ta kalojmë natën e fundit në Romë. Rruga e kthimit në hotel kalon nga pjesa e vjetër e qytetit, aty ku ndodhet amfiteatri antik. E shikojmë edhe njëherë atë pjesë të qytetit dhe sikur i themi “mirëmbetsh” qytetit të Romës në të cilën kaluam katër ditë të paharrueshme.
Itali, 2012