Roma mposhti Porton, kualifikimi vendoset në Portugali
12 shkurt 2019
| 23:00
Roma ka fituar 2-1 ndeshjen e parë të 1/8-ave të Champions League të luajtur në shtëpi kundër Portos.
Protagonisti i takimit ka qenë 19-vjeçari Nicolo Zaniolo, i cili ka realizuar të dy golat e verdhekuqve dhe është bërë futbollisti më i ri italian që shënon dy gola në një ndeshje të Champions League.
Ka qenë një paraqitje ëndrrash për ish-talentin e Interit, i cili ka gjetur golin e tij të parë në Champions me goditjen e parë në portë në minutën e 70-të dhe gjashtë minuta më vonë ka realizuar edhe të dytin për verdhekuqtë.
Festa e vendasve është prishur 11 minuta para fundit, kur Adrian ka fiksuar rezultatin në 2-1. Ky gol i portugezëve mund të rezultojë vendimtar në ndeshjen e kthimit që do të luhet 6 marsin e ardhshëm në Portugali.