Roma pranë falimentimit, nevojitet një plan shpëtimi
Partnerët e koalicionit në Itali janë takuar në përpjekje për të vendosur për një plan financiar shpëtimi për qytetin e Romës.
Borxhi 12 miliardë eurosh i kryeqytetit duhet ristrukturuar për të evituar falimentimin por Lega e Veriut dhe lëvizja Pesë Yjet, janë të ndarë në këtë pikë. Marrëdhëniet mes partnerëve janë përkeqësuar edhe si pasojë e akuzave për ryshfete, javën e shkuar. Borxhi i Romës, që daton prej 11 vitesh duhet rifinancuar me urgjencë për të evituar falimentimin në 2022.
Partnerët e koalicionit më herët kanë rënë dakord për një paketë shpëtimi që pret miratimin e qeverisë.
Por marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit u dëmtuan nga akuzat e javës së shkuar, se nënsekretari i Legës së Veriut, Armando Siri, ka marrë ryshfet nga një biznesmen sicilian me lidhje me mafien. Por, Mateo Salvini, zëvendëskryeministër dhe lider i Legës së Veriut, tani sugjeron se ndihma për Romën do të bënte që edhe qytetet e tjera që kanë probleme të ngjashme financiare, të kërkojnë ndërhyrje.