Roma ra, por a do të bie Perëndimi që njohim sot?
Nga: The Economist (titulli origjinal: Rome fell. Will the modern-day West follow suit?)
Deklinizmi [rënia] është sërish në modë. Teksa përkeqësohen marrëdhëniet mes Amerikës dhe Kinës, çdo herë e më i famshëm po bëhet studimi i fillimit të fundit të epokave të hershme të hegjemonisë. Po shtohen librat që parashikojnë ngritjen e pandalshme të autokratëve të fortë dhe vdekjen e demokracisë. Flitet shumë për “kurthin e Tukididit”: pashmangshmërinë e përplasjes midis një fuqie në rritje dhe një fuqie ekzistuese, kjo pasi – në shekullin e pestë para Krishtit – Athina e sfidoi Spartën.
Libri i vogël provokues – Why Empires Fall [Pse bien perandoritë] nga John Rapley dhe Peter Heather – e përshtat këtë qasje me gërshetime prej një novele. Libri bën krahasime mes Perëndimit të vitit 1999 – në zenitin e besimin ndaj tij – dhe të Romës saktësisht 1600 vjet më parë, asaj të vitit 399 – disa dekada para rënies së perandorisë.
Pjesa më interesante e rrëfimit ka të bëjë me Romën. Ekonomisti politik John Rapley dhe historiani Peter Heather, e kundërshtojnë analizën e njohur që daton që nga Edward Gibboni për perandorinë në rënien graduale – pothuajse që nga fillimi i saj, nën Augustin. Roma, argumentojnë ata, ishte po aq e fortë sa kurrë më parë në fund të shekullit të pestë pas Krishtit. Perandoria pa dyshim që ishte e gjerë dhe nganjëherë e grisur, por u mbajt në këmbë duke zgjedhur kryesisht të huajt e talentuar, duke ua dhënë pushtetin komandantëve të fortë dhe duke bërë marrëveshje me armiqtë e mundshëm. Megjithatë, brenda një dekade Roma i kishte larguar legjionet e veta nga Britania (autorët këtë tërheqje e quajnë Brexit-i i parë). Më pak se një shekull më vonë, bie perandori i fundit perëndimor, Romul Augustuli.