ROMAN ESEISTIK ME STIL TË VEÇANTË

05 shkurt 2024 | 11:34

Shkruar nga: Adil Pireva

Shkrimtarët e shquar kanë stil të veçantë shkrimi dhe studiuesi, por edhe lexuesi i pasionuar dhe i talentuar mund të dallojnë shkrimin letrar të akëcilit poet apo romansier edhe pa e parë emrin e mbiemrin e autorit të poezisë apo romanit. Edhe poeti e romansieri Fehmi Pireva ka mbërritur të krijojë dhe të formësojë stilin e tij të dallueshëm. Ky stil fillimisht është formësuar gradualisht në katër përmbledhjet poezive për fëmijë dhe të rritur – Albumi i hënës, poezi për fëmijë, botuar më 2015, Kjo mjegull, poezi për të rritur, botuar më 2016, Piktori i qiellit, poezi për fëmijë, botuar më 2017, Dashuri e qelqtë, poezi për të rritur, botuar. Më 2018, Libri me shije Çokollate, poezi për fëmijë, botuar më 2021,dhe pastaj në pesë romanet për të rritur /Prerja e frikës, botuar më 2019, Nëpunësi i Kuvendit, botuar më 2022,Vdekja nga letrat, botuar më 2023, Qentë e Gërmisë, botuar më 2023 dhe romani i fundit Ura mbi Ibër, botuar më 2024. Romanet e Fehmi Pirevës nuk kanë ndonjë vëllim të madh, mesatarisht 120 deri 140 faqe të librit të botuar, por janë tërheqëse për lexuesit dhe lexohen, siç thuhet, me një frymë, pikërisht iu përgjigjen romaneve të xhepit të letërsive të mëdha amerikane, angleze e franceze, që lexuesit e pasionuar i marrin në xhep për t’i lexuar në autobusë apo trena gjatë udhëtimeve për në punë apo gjatë kthimeve nga puna.

Këto romane janë të përshtatshme të botohen edhe në vazhdime në gazeta e revista, si fejtone shumë atraktive. Tema e këtij romani është qyteti i Mitrovicës me krajatat e saja dhe të popullit shqiptar gjatë shekujve. Qytet i vjetër që nga koha ilire, i pagëzuar me emrin e perëndeshës ilire Dhemetra, me kuptim Nëna tokë, pastaj me emrin e Shën Dhimitrit, Shën Mitri, që përfundon në Mitri. Qyteti shtrihet brenda tre lumeje: Iber, Lushta dhe Sitnica. Kalaja e Zveçanit, një raritet historik, i ndërtuar nga një fis ilir. ndër më atraktivët për turistë. Pushtimi i Perandorisë romake e bën Mitrovicën qytet metalesh, duke nxjerrë metalet e arit dhe argjendit nga xeherorja e Trepçës. Mitrovica gjatë shekujve përjeton pushtime të pareshtura, të njëpasnjëshme. Përjeton asimilime, tkurrje. Pas rënies së Bizantit vjen pushtimi otoman, gjatë të cilit mbi lumin Ibër ngrihet një vig druri, i cili pastaj bëhet një urë druri më e fuqishme, e tek më vonë ndërtohet me gurë e metal, e qëndrueshme për të kaluar makinat e rënda. Isa Boletini me komitët e vet ia kthen pushkën Turqisë. Kryengritjet dhe luftërat kundër pashallarëve turq dhe gjeneralëve serbë krijuan urrejtje të shqiptarëve kundër pushtuesve, sidomos kundër pushtuesve serbë. Përderisa urrejtja e shqiptarëve ishte e natyrshme, urrejtja e serbëve pushtues kundër shqiptarëve të pushtuar ishte patologjike dhe sadiste.

Shfaqet rivaliteti i turqve dhe austro hungarezëve për tokat shqiptare. Çdo pushtim nuk është i mirëseardhur, por pushtimi austriak paraqitet nga autori më qytetërues, respekton dhe vlerëson kombin shqiptar, hap shkollat shqipe, preferon administratën shqipe. Në kundërshtim të papajtueshëm me pushtimet turke dhe serbe, të cilat qenë gjenocide, masakruese dhe asimiluese, që praktikojnë ndërrimin me dhunë të feve, kombeve. Pas luftës së Dytë Botërore, komunistët jugosllavë shpallen një harmoni të rreme njerëzore e kombëtare nëpërmjet parullës Bashkim Vëllazërim. Por, ujku qimen e ndërron, por hujin kurrë, thotë një fjalë popullore. Përmes një figure kriminale të Rankoviqit, Serbia pretendon që Jugosllavinë ta bëjë Serbi dhe gjithë popujt jugosllavë t/i asimilojë në serbë. Ndërkaq, për shqiptarët vazhdoi aty ku e kishte lënë Kralevina. Autori i romanit gjen mundësinë që nëpërmjet të një dashurie platonike të dy të rinjve idealistë të krijojë një pikë afrimi ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Femra serbe, Jelena dhe shqiptari Hysni dashurohen marrëzisht dhe duan të martohen.

Por gjaku ujë nuk bëhet. Babai vajzës kishte rrahur babanë e djalit dhe kishte vrarë gjyshin e tij. Andaj, nuk kishte sesi të pajtoheshin të dy familjet që të martoheshin këta të rinj. Duke mos gjetur asnjë shteg, vajza varë veten, pikërisht në urën mbi Ibër dhe përfundon në lumin Ibër, kurse shqiptari Hysni tretet diku në Anadollin e pushtuesit shekullor turk. Romani Ura mbi Iber na i përkujton të gjitha legjendat e urave shqiptare, si Urën e Fshejtë, Urën me tri harqe e Ismail Kadaresë dhe urat e tjera ballkanike. Ngjashmëritë nuk përjashtohen, por përplotësojnë njëra tjetrën. Romani Ura mbi Iber pa dyshim është ndër romanet më të mira në letërsinë shqipe. Andaj duhet të përkthehet patjetër në anglisht dhe frëngjisht që të na prezantojë denjësisht në letërsinë botërore. Jam krenar që pas autorit isha lexuesi i parë i këtij romani dhe shfrytëzova rastin të shkruaj këto mbresa të mia.

Prishtinë, janar, 2024.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në vitin 1990 vajzat shqiptare, të cilat kishin kaluar vite…