Roman për luftën në Kosovë, për dhunimet e vajzave dhe të grave

20 prill 2022 | 11:14

Ky roman është botuar para tetëmbëdhjetë vjetësh në Tiranë. Po ribotohet në Kosovë pa asnjë plotësim. Po botohet për arsye se asnjë kopje e tij nuk gjendet në asnjë librari. Po botohet sepse për këtë temë vazhdohet të flitet. Po botohet sepse për luftën dhe për masakrat po shkruhet pak. Për dhunimet, edhe më pak. Kur është botuar romani për herë të parë, lufta përmendej vetëm në medie, në shtëpi, në institucione, në kafene. Nuk shkruheshin libra për luftën.

Për këtë roman, menjëherë pas botimit, u shkruan dhjetëra recensione nga Hysen Matoshi, Fadil Grajçevci, Resmije Kryeziu, Agim Vinca, Rexhep Qosja, Rrustem Berisha, Bedri Zyberaj, Rushit Ramabaja, Rusana Bejleri, Myrvete Dreshaj, Isa Sulçevsi, Ylldije Sulka, Kosovare Krasniqi e nga shumë të tjerë. Fragmente të romanit janë përkthyer dhe botuar në Rumani. Po me temën e këtij romani studiues të huaj kanë paraqitur kumtesa në konferenca shkencore ndërkombëtare dhe në tezat e doktoratave kanë trajtuar temën dhe motivet e tij.

Plagët e luftës së Kosovës ende janë të freskëta. Janë të shumta. Disa i shohim, disa të tjera i ndiejmë dhe na mundojnë shumë sa herë që rrëfehet për to. Profesoresha, studiuesja, prozatorja Shefkije Islamaj, disa vjet pas luftës ka shkruar dhe botuar një roman për luftën e Kosovës. Në të nuk është vetëm një temë. Në të janë dhjetëra tema. Në të nuk është vetëm një personazhe. Në të janë dhjetëra personazhe.

Por, njëra e ka fatin më të rëndë se të gjitha të tjerat dhe të gjithë të tjerët. Ajo ka fatin e mijëra grave të Kosovës të cilat gjatë kohës së luftës janë dhunuar nga milicët dhe ushtarët serbë. Romani nuk është shkruar vetëm për të dhe për barrën e saj (shtatzëninë e dhunshme). Është shkruar për gratë e dhunuara të Kosovës të cilat, pavarësisht se përpiqen ta harrojnë të kaluarën, atë e kanë të kapur për trupi, për shpirti. I rëndon shumë fatkeqësia.

Gjendja e tyre psikike dhe emocionale, rrëfimet e tyre për dhunimin, na plandosin. Rrëfimi për Buten nga narratorja, nga familjarët e saj për të dhe ato pak fjalë të saj për vetveten, na trishtojnë. Vajza dhe gra si Butja, Kosova ka shumë. Pak prej tyre flasin, shumë të tjera heshtin. Ata që duan të mësojnë për luftën e Kosovës dhe për disa ndodhi të saj, duhet ta lexojnë këtë roman të mbushur me dëshmi. Kujdes: Nuk rekomandohet të lexohet nga personat e ndjeshëm dhe nën moshën tetëmbëdhjetë vjeçe.

Armagedoni

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK)  në takimin e 283-të, të…