Romancieri që është më afër Zotit se kushdo tjetër
Nga: Cal Revely-Calder / The Telegraph
Novela e re e Jon Fossesë është po aq e thjeshtë sa një përrallë biblike. Një natë, një burrë futet me makinë në një pyll, në fund të një rruge të heshtur. Ndalon makinën, del jashtë dhe ecën para drejt pemëve. Aty takohet me një prani ndriçuese – q shfaqet edhe si prindërit e tij, si një burrë me kostum dhe ndoshta si zë pëshpëritës – dhe në fund e përqafon atë. Të gjitha këto i rrëfen me ton të matur, sikur takimi të ishte i pashmangshëm. Libri A Shining ka vetëm 48 faqe.
Fosse, i cili javën e kaluar fitoi çmimin Nobel për Letërsi, nuk është aspak i panjohur. Për më shumë se 40 vjet ka shkruar në Nynorsk – në një nga dy gjuhët e Norvegjisë – dhe mund të jetë dramaturgu më i inskenuar i gjallë në Evropë. Por, në Britani, dramat e tij rrallë shihen në skenë dhe romanet e tij nisën të shfaqen vetëm pesë vjet më parë. Falë botimeve Fitzcarraldo dhe përkushtimit të përkthyesit Damion Searls, fama e Fossesë më në fund po rritet në këtë vend.
Fosse e ka quajtur Beckettin “babai i tij letrar” dhe stilet e tyre personale mund të duken njësoj. A Shining ka përsëritje pyetjesh, lëkundje mes mendimeve, përthyerje të imtësive të përditshme përmes një prizmi filozofik. Por, aty ku letërsia e Beckettit futet në vetvete dhe duket e pushtuar nga vetëdyshimi, ajo Fossesë ka një vrull të frikshëm, sikur nxitet nga një fuqi më e lartë. U konvertua në katolicizëm në vitin 2012, duke lënë pas vetes vitet e tij të paqëndrueshme; tashti shkruan romane, baza dhe materiali i të cilave është Zoti. Çdo roman në sekuencën e tij Septology (2019-21) – në të cilën shpërbëhen kujtimet e një njeriu – fillon me soditjen e një kryqi të pikturuar dhe përfundon me tregimtarin Asle duke u lutur.