Romani epistolar

27 dhjetor 2023 | 15:28

David Lodge

Atë që nuk mund ta përballoj është se për një çast ajo njohu pretendimet e mia, pranoi të drejtat e mia. Gjë që më bën ta godas tavolinën me grusht…

Telefoni. Po cingëron. Prit.

Asgjë. Avari studentësh. Gjëja që më bën t’i ulërij hënës është mendimi se ajo është duke shkarravitur atje në Londër sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Thjesht dëshiroj ta di nëse e ka ngritur kokën për një çast nga bota e saj imagjinare dhe thotë…

Në fakt, sapo m’u kujtua diçka tjetër. Ajo mund të mos jetë duke shkarravitur sikur s’ka ndodhur asgjë. Mbase shkruan ca versione të ngjarjes në dhomën e mysafirëve. Ku ndonjëra nga heroinat e saj të mençura, të çuditshme, lëviz pazakonshëm kur sheh mbathjet e purpurta të ndonjë akademiku të ri arrogant. S’më duhet tash ai vështrimi yt, faleminderit – avash ia kam dalë të kuptoj ironinë. Ndonëse është ndryshe – ajo nuk po i shkruan privatisht një miku në ndonjë vend të largët. Ajo po u shkruan miqve të mi. Armiqve të mi. Kolegëve të mi. Stu­dentëve të mi…

Çfarë? A janë mbathjet e mia të purpurta? Sigurisht që nuk janë të purpurta! A s’di asgjë për shijen time? Por ajo mund ta thotë se ato janë të purpurta! Kështu bëjnë këta njerëz. Zbuku­rojnë, përmirësojnë të vërtetën – gënjejnë.

MICHAEL FRAYN, Mashtrimi (1989)

ROMANET E SHKRUARA në formë të letrave ishin jashtë­zakonisht të popullarizuar në shekullin e tetëmbëdhjetë. Roma­net epistolare të gjata, moralizuese, psikologjike dhe tunduese të Samuel Richardsonit, Pamela (1741) dhe Clarissa (1747), ishin pikë referimi në historinë e fiksionit evropian, duke fry­mëzuar shumë imitues si Rousseaunë (Helioza e re) dhe Lacloin (Lidhje të rrezikshme). Drafti i parë i Jane Austenit për veprën Ndjenjë dhe ndjeshmëri ishte në formë të letrave, por parashikimi i saj për rënien e romanit epi­stolar në shekullin e nëntëmbëdhjetë vërtet qe profetik. Në epokën e telefonit romani epistolar shkr­uhej rrallë, megjithatë, siç dëshmoi kohën e fundit vepra Mash­trimi e Michael Fraynit, ai nuk u zhduk krejtësisht dhe ia vlen të ruhet.

Shpikja e makinës së faksit provokoi ringjalljen e kësaj forme (titulli i storjes së Andrew Davies, Fakset e pista, 1990, qe shenjë paralajmëruese) por, përgjithësisht, romancieri modern episto­lar detyrohet t’i largojë korrespondentët në një distancë të kon­siderueshme që konvenca të duket e besueshme. Heroi i Fraynit, apo antiheroi, është akademik britanik tridhjetëvjeçar, i paemër, i specializuar në veprat e një romanciereje bashkëkohore pak më të vjetër, së cilës në tekst i referohet me inicialet JL. Ai e fton të ligjërojë në universitet dhe, për habinë e tij, ajo e fton në shtratin e dhomës së mysafirëve. Këtë ngjarje dhe vazhdimin e saj, ai e përshkruan në një seri letrash drejtuar mikut të tij, po ashtu akademik, me bazë në Australi.

Ai gjendet midis pasionit dhe dyshimit. Nga njëra anë lav­dërohet për marrëdhënien intime me gruan, studimit të veprave të së cilës ia kushtoi karrierën profesionale; nga ana tjetër frikësohet se ajo do ta shfrytëzojë këtë marrëdhënie për ta kthyer në fiksion, duke e botuar dhe keqinterpretuar. Ai e admiron aftësinë e saj letrare, e ka edhe zili dhe në mënyrë paradoksale e ka zët. Shqetësohet se, pavarësisht prej zotërimit të trupit të saj (pas një kohe martohet me të), në të njëjtën kohë, ai nuk e kontrollon imagjinatën e saj fiktive. Përfundon duke u përpje­kur, më kot, ta blejë “mashtrimin” (d.m.th. shkruarjen e fik­sioneve). Kjo është temë e njohur satirike – dallimi midis aftë­sisë kritike dhe krijuese – e dhënë në mënyrë të re dhe argëtuese me anë të rrëfimit mjeshtëror.

Romani epistolar është lloj rrëfimi në vetën e parë, por ka disa tipare të posaçme që nuk gjenden në format e zakonshme auto­biografike. Përderisa storja autobiografike është e njohur për narratorin para se të nisë, letrat janë proces i vazhdueshëm ose, siç thotë Richardsoni, “Shumë më i gjallë dhe më prekës… është stili i atyre që shkruajnë në kulmin e një shqetësimi aktual, ku mendja torturohet nga brejtja e pasigurisë… sesa stili i thatë dhe i ftohtë i rrëfimit të një personi që ka kapërcyer vështirësitë dhe rrezikun…”

Sigurisht, i njëjti efekt arrihet duke përdorur formën e ditarit, por romani epistolar ka dy përparësi shtesë. Së pari ai mund të ketë më shumë se një korrespondent dhe, kështu, e njëjta ngjarje tregohet nga këndvështrime të ndryshme, me interpretime krejt të ndryshme, siç e provoi shkëlqyeshëm Richardsoni te Clarissa. (P.sh., Clarissa i shkruan shoqes së saj Miss Howeit rreth një bisede me Lovelacein, ku ai vërtet dukej se po hiqte dorë nga e kaluara shthurëse; Love­lacei, të njëjtën bisedë, ia tregon mikut të tij Belfordit si skenë intrige dinake për ta joshur vajzën.) Së dyti, edhe nëse kufizoheni siç bën Frayni, vetëm në një shkrim­tar, në një letër, ndryshe nga ditari, ajo gjithmonë i drejtohet një adresuesi specifik, përgjigjja anticipuese e të cilit kushtëzon diskursin dhe retorikisht e bën më kompleks, më interesant dhe më zbulues.

Frayni e shfrytëzoi këtë formë të fundit për një efekt shumë të mirë. Akademiku i tij është personazh i krisur, komik, plot sqimë, ankth dhe paranojë, që vazhdimisht i tradhton, duke anticipuar ose imagjinuar reagimet e mikut australian (“S’më duhet tash ai vështrimi yt, faleminderit…”). Ndonjëherë letrat lexohen si monologë dramatikë, ku ne dëgjojmë vetëm njërën anë të dialogut dhe nxjerrim përfundime: “Çfarë? A janë mba­thjet e mia të purpurta? Sigurisht që nuk janë të purpurta! A nuk di asgjë për shijen time?” Këtu, stili i afrohet skazit, imiti­mit të rrëfimit gojor që e trajtuam në kapitullin e mëparshëm; por ai përshtatet vetëdijshëm edhe me shkrimin letrar, si: “Ku ndonjëra nga heroinat e saj të mençura, të çuditshme, lëviz pazakonshëm kur sheh mbathjet e purpurta të ndonjë akade­miku të ri arrogant”. Nëse kjo fjali duket si hije e mbishkruar, e rënduar me shumë mbiemra dhe ndajfolje, ky është qëllimi i Fraynit. Narratori duhet ta përçojë gjallërisht komedinë e hallit të tij, por nuk i lejohet elokuenca e vërtetë, sepse kjo do të qe në kundërshtim me paaftësinë e zotërimit të “mashtrimit”.

Ta them të drejtën, të shkruarit mund ta imitojë besnikërisht vetëm të shkruarit. Paraqitja e të folurit dhe, për më tepër, e ngjarjeve joverbale, është shumë artificiale. Por, letra fiksionale nuk dallon nga letra e vërtetë. Referimi ndaj rrethanave ku shkru­het romani, në vetë tekstin, normalisht do ta tërhiqte vëmen­djen për ekzistencën e autorit “real” prapa tekstit dhe kështu ta thyente iluzionin fiksional të realitetit, por në romanin epistolar ai i kontribuon iluzionit. Për shembull, unë nuk i fus telefonatat e agjentit tim në tekstin e romanit që jam duke e shkruar, por thirrja e studentit që e ndërpret, në mes të fjalisë, akademikun e Fraynit, është sa realiste, aq edhe demaskim i karakterit (ai është kaq i vetobsesionuar saqë shpërfill përgjegjësitë zyrtare).

Realizmi pseudo-dokumentar i metodës epistolare u dha romancierëve të mëhershëm fuqi të paparë mbi audiencën e tyre, të krahasueshme me magjinë e ushtruar në audiencën televizive moderne nga telenovelat. Derisa u botua, vëllim pas vëllimi, Clarissa voluminoze, Richardsonit shpesh i luteshin lexuesit të mos lejonte vdekjen e heroinës. Madje lexuesit e parë të Pamelës supozuan se korrespondenca ishte e vërtetë, ku Richardsoni ishte thjesht redaktor. Natyrisht, lexu­esit modernë të letërsisë artistike s’do ta merrnin kështu, por këtu kemi një mashtrim të pastër të Fraynit, i cili bëri që akademiku të ankohet për mënyrën sesi romancierët e kthejnë faktin në fiksion (“Kështu bëjnë këta njerëz. Zbukurojnë, përmirësojnë të vërtetën – gë­njejnë”.) në një lloj romani të projektuar ta bëjë fiksionin të duket si fakt.

(Marrë nga numri 18 i revistës “Akademia”. Përktheu nga anglishtja: Meliza Krasniqi)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me pikëllim…