Romani “Eskadronët e Vdekjes”, një sakrament historik mbi sakrificën kombëtare…
12 prill 2024
| 14:13
Romani «Eskadronët e Vdekjes»(kronikë e një kasaphane) – një sakrament historik mbi sakrificën kombëtare, një «prokurë» e moralit juridik ndërkombëtarë dhe një avokim autorial i ndërgjegjes humane mbi të vërtetën e përjetëshme
Ibraim Kazimi
Uvertura simbolike e tematikës
«…-Është e pabesueshme, z.Smith, se si mbetën të pandëshkuara krimet e Rajhut të Tretë! Dhe pothuajse i kemi harruar tërësisht ato tmerre.
-Nuk më habit aspak që është harruar ajo që ka ndodhur para pesë-gjashtë dekadash!- u përgjigj, duke mohuar njëkohësisht edhe me kokë.- kanë harruar edhe se çfarë ndodhi para pesë-gjashtë vjetësh në një tjetër Rajh të Tretë!»
Ky ekstrakt i shkëputur nga prologu i faqeve hyrëse të romanit ”Eskadronët e Vdekjes-kronikë e një kasaphane” të autorit Bardhyl Mahmuti, botuar nga Qendra «Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur» në 15 janar 2021, është fragmenti debativ mes z. Robertson dhe z. Smith, në promovimin e romanit historik «Master of death-SS Einsatztruppen» të autorit Richard Rhodes. Autori, në fakt, përcjellë sinekdodën paralajmëruese të ilustrimit simbolik të mesazhit tematik autorial, të laboruar në brendinë rrëfimore të librit. Hyrja, mbase, edhe shpalos uverturën e kompozicionit letrarë. Thurrjen përmbajtësore të rrjedhave të së vërtetave të dokumentuara historike, të konceptuara si fabulë tematike e romanit.
Idea e autorit për të ngjizur zënafillen e ligjërimit prozaik me paralelen krahasimtare të eliptikës hyrëse dhe metaforën e koinçidencës simbolike të ”reinkarnimit simultan” të njësive speciale demoniake (”Master of death-SS Einsatztruppen”), përkon me intezitetin e thellë analogjik të realitetit tragjik, të ngjashmërive flijuese mes fateve historike të dy popujve.
Skenat përçojnë koeficient të lartë të paralelizmit figurativ
të mendësive etiologjike kriminale dhe fakteve kriminogjene. Ky prelud hyrës, në fakt, zbulon artin elegant dhe refleksin e përsosmërisë sinkretike, të konceptit autorial dhe sensibilitetit tematik të lëndës. Një paralele dramatike e metodave torturuese dhe akteve mizore të dhunës- ndaj atij holokaustian dhe kosovarë- të bartura në dy segmente kronologjike, me determinime makabre të fatit historik.
Profili meta-autorial
„…Ndërsa Llavica përgatiste darkën, njëri nga fëmijët më kacavirrej në qafë dhe m’i shkarraviste librat, ndërkaq tjetrit i pëlqente të mbështetej tek unë, si te një jastëk, dhe të…“ (f.147)-
Ky veçim, i selektuar si një derivat skenik i dinamikës rrëfimore, projekton një moment karakteristik të pikëtakimit sublimues, mes prezencës së letrarizuar të siluetës autoriale dhe marrëdhënieve sintetizuese të kriterit krijues. Respektivisht, një pikëtakim përceptues i gërshetimit letrarë mes universalitetit dhe substancës individuale.
E them këtë vështrim të mësipërm, ngase, leximi i librit, më rregjoi edhe një pikëpamje retrospektive të përjetimit tim personal- portretizimin identifikues të autorit. Subjektin narativ, “sozinë” e romanit, respektivisht, elementin biografik të autorit Bardhyl M. Ndonëse romani nuk është një ditar autobiografik.
Përgjatë leximit, kjo skenë më ka përfytyruar një „deja-vu“ të vizualizuar deri në përsosmëri, të riprodhimit përjetues nga njohja ime me autorin.
Ndërkaq, nga takimet e mëvonshme, në banesën familjare të mikut Bardhyl, kujtoj: një fotografi në skaj të kryevendit. Portreti në fotografi, ishte e mikut tij-i rënë martir i kauzës. Prezenca frymore e mikut tij, qëndronte në një sfond të ndritshëm me tufën e karënfilëve në krah të fotografisë. Freskia e luleve kundronte aromë hyjnore të besnikërisë dhe përkushtimit të miqësisë e idealit (freskia e të cilave i nënshtrohej një rituali „mbinjerëzorë“ të kujdesit). Aty dukej një qoshe e vërtetë alltari, e devotshmërisë, e dinjitetit dhe integritetit njerëzorë.
Në dekadat vijuese, pelegrinazhi patriotik i Bardhyl Mahmutit, do të përmendet me vokacionin e tij në fushën e politikës, diplomacisë, korrespondencave e polemikave intelektuale, me parime të larta objektiviteti. Një zë i rrallë autorial, i përveçëm për nga fondi i “epistoleve” diplomatike, në mbrojtjen dhe prezentimin e së vërtetës, të së drejtës demokratike dhe çështjeve kombëtare, të drejtuara zyrave të ministrive dhe instancave ndërkombëtare.
Autor letërkëmbimesh të adresuara me integritet profesional, korrektësi apsolute, objekivitet, dhe, kulturë proporcionale konform „timingut“ në horizontin gjepolitik.
– “Gjërat duhet të thuhen ashtu siç kanë qenë dhe është e vetmja mënyrë që ta shpëtojmë kombin nga njollosja e krimeve që kanë bërë njerëzit e pushtetit.” (Bardhyl M. “Eskadronët e Vdekjes”, faq.103).
Kjo shprehje, artikullon edhe kuintencën e autorit, e cila lexohet si përngjitje në ritmimet kuptimore të periudhave
tekstuale, brenda motiveve në pesëqind faqet e librit. Përndryshe, një vegëzim filozofik që korrespondon sakrificën e substancës shqiptare me ekuivalencën e vlerave universale demokratike, të thirrura gjithandej në kapitalet historiografike të memories botërore. Atë që filloi Eskili në tragjedinë „Persët“ (si të parën dramë që njohim me subjekt jo nga mitologjia por nga një ngjarje e vërtetë) me përshkrimin e luftëtarëve të rezistencës „Ushtarët e Salaminës“ (titulli i romanit të Havier Cerkas). Sinonim dhe simbol për luftëtarët e rezistencave të të gjitha periudhave që u bënë ballë edhe perandorive (persëve, nazizmit…etj), ndonësë më të paktë në numër.
“Në kohë të zhgënjimeve masive, mbrojtja e së vërtetës është akt revolucionarë” – thoshte qartazi Orwell në pasqyrimin e tij të famshëm, duke iu referuar këtij similiteti global të principeve të unifikuara universale.
Makrostruktura semantike e narracionit
a) Proporcioni i faktimit historik dhe fiksionit estetik
“Eskadronër e Vdekjes” (Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës e ka shpallur librin më të mirë me tematikë nga gjenocidi serb ndaj shqiptarëve), megjithëse botohet si roman i parë i autorit, ai nuk është provë debutive e një materali imagjinativ, ku lexuesit do t’i ishte dashur të përballej me tundime të kërshërisë së absorbimit semantik dhe sinkronitetit estetik. Romani, është sediment pasues i sublimimit kolateral të vazhdimësisë së impulsit intelektual të autorit. Romani, për më tepër, vjen edhe si vlerë e shtuar e kontinuitetit kulturorë e politik, të vokacionit të autorit. Por edhe si suplement (shtojcë) shtesë e promovimit të horizontit artistik, të opusit autorial.
Libri i botuar së fundmi i autorit Bardhyl Mahmuti, rezulton si nënprodukt i punës kolosale, nga vepra e tij paraprake “Mashtrimi i Madh”*. Vlerës madhore të së cilës i atribuohet: vendosmëria sizifiane në zbardhjen e të vertetës, karakteri i patunduar përkushtues dhe parimet autentike të autorit mbi relevancën e vlerës së objektivitetit. Parim ky, që ai manifeston me konsekuencë unike, gjithandej në spektrin e tij etik të aktiviteteve intelektuale.
*(Një vepër voluminoze ku me forma të detajuara hulumtimesh periodike, përshkruhen ç’montimet e propagandës dezinformuese të fashizmit serb, deshifrimi i tendencave serbe për kurthime diplomatike dhe demaskimi i doktrinës dhe strategjive manipulative, të akteve gjenocidale të regjimit milosheviqean. “Mashtrimi i Madh” është një enciklopedi e vërtetë dokumentare që zbërthen synimet sabotuese të së vërtetës dhe të tmerreve çnjerëzore të mbi 13.500 viktimave të luftës (mes tyre, fëmijë, gra e pleq të pamundshëm); masakrave; zhdukjeve; dhe dhunimeve makabre të kryera nga struktura e aparaturës shtetërorë dhe hordhive të formacioneve paramilitare serbe).
Edhe në romanin “Eskadronët e Vdekjes”, autori risjell sërish “mashtrimin e madh“. Mbase, tashmë, shumës së kronikave të dokumentuara, “u kushtëzon” njëkohësisht edhe reflekse të zhanrit përceptues estetik. Respektivisht, duke i sublimuar ato edhe në rrafsh sentimental, përmes sintetizimit frymorë të karaktereve personifikuese dhe dinamikës prozaike të ngjarjeve.
Kopertinat, thënë figurativisht, „mbështjellin“ materialin e sintetizuar empirik të shumës së kultivuar informative e kulturore, të strukturës poliedrike të patosit intelektal dhe misionit politik të autorit.
Ky variant i gërshetimit të fiksionit dhe faksionit, për katarsën e frymëzimit dhe stimujt krijues të shkrimtarit, në krahësim me kronikën, ofrojnë variantin më alternues të fakteve e të së vërtetave, në procesin e materializimit letrar të po atyre kronikave historike. Gjinia e prozës avanson me hapësirën dhe favorizimin e lirisë përshkruese. Veçanërisht, në nxitjen e kufijve të përceptimit dhe stimulimin e zhytjeve përfytyruese të përjetimit. Realisht, lexuesi ndeshet, që në hapat e para të faqosjes, me valët frontale të fuqisë tunduese. Involvimi emocional i lexuesit dhe vrullet frymëzuese të motiveve retrospektive dhe porosia e materialit informativ, transmetojnë sinjale të thella në ndërgjegjen memorizuese të koshiencës së lexuesit.
Përndryshe, këtë korrelacion letrarë të sintagmës dhe subjektit, autori e përmend qartazi edhe tek nënkapitulli “Shënim i autorit” :
-“Rrëfimet janë krejtësisht të vërteta, ndërsa personazhet janë reale dhe imagjinarë, në varësi të konteksteve të caktuara rrethanore, ndërsa përjetimet e tyre pasqyrojnë një sintezë të praktikave që përdorte ai regjim.” (Po aty, f.508)
Vëmendje të veçantë reflektuese, në vullnetin rezonues të lexesit, zgjon talenti metodologjik i autorit. Ai, arrin përmes artit të tij të veçantë letrarë, deri në nyansa perfeksioni, që përmes stimulimit imagjinativ dhe intensitetit psikologjik,
të realizojë tek subjekti lexues, shkrirjen e kufijve dimensional të reales dhe ireales. Gjatë procesit të leximit, vullnetit lexues, i ndodh, gati pashmangshëm, që të dorëzohet plotësisht në thellësitë e vizualizimit paralel të realitetit retrospektiv, të bazuar në koshiencën abstrahuese të materialit lexues.
Fuqia dramatike e dialogjeve dhe rikonstruimi energjetik i mjedisit ambiental, në roman, vibrojnë efekte të larta cilësore, të fokusimit identifikues me aurën e personifikimeve, qofshin ato frymore apo jofrymore.
Ndërkaq, ndonëse ballafaqimi i drejtpërdrejtë me fizionominë e tmerreve dhe akteve mizore të ekzekutuara, mbi fatet e personazhëve, rishfaqen me ngarkesa skenash që mbajnë relieve plagësh të përgjakura e vragë të pashëruara të shpirtit popullorë, megjithatë, në krerët e librit, dalin si episode të evokuara me subtilitet të lartë komunikues, me tonalitete harmonizimi dhe konsideratë të kujdesit permanent mbi dëlirësinë e argumentit.
b) Autorefleksioni
Aspekt tjetër kompozicional i ndërlidhjes së dinamikës rrëfimore me strukturën e tërësisë tekstuale, paraqet edhe përzgjedhja, jo e rastësishtme, e teknikës së mbrothësimit letrar të ligjërimit vetvetorë. Vetëkritika, vetërrëfimi, hulumtimi i dëshmive dhe pubikimi mediatik i së vërtetës nga ana e kryepersonazhit, (të gazetarit Mifi- Miroslav Filipoviqit), aludon një aspekt qendror metaforik, në fushën synuese të stilistikës autoriale.
Teknika e ligjërimit autokritik, mes tjerash, manifeston instancën esenciale të çiltërisë- zërin e brendshëm. Mbase, një mekanizëm instiktiv i „thirrjes proviniente“ në koshiencën humane e intelektuale. Një instrument provokues i ndërgjegjes dhe konsideratës së objektivitetit, për të vërtetën si kategori universale.
Protesta intelektuale e disidentëve serb, në romanin „Eskadronët e Vdekjes“, përfton lidhshmërinë e idesë së paralelizimit emocional, të sprovave të kobshme të popullit shqiptarë, dhe, sfidimin shpirtërorë e të shijuarit të hatasë së dhimbjes në lëkurën përsonale.
– “Sado e trishtueshme që ishte pamja, ndjeva njëfarë ngushëllimi,që në shkrimet e mia kisha thënë botërisht,se unë nuk isha si ata që, në emër të popullit serb,pra, edhe në emrin tim, kishin vrarë pleq, gra dhe fëmijë, kishin dhunuar seksualisht femra, kishin djegur shtëpi, kishin spastruar etnikisht Kosovën…”(Po aty, f.206)- rrëfehet në një pasazh kryepersonazhi.
Kundërvënia e kryepersonazhit ndaj regjimit totalitar, ndaj ngulfatjes despotike dhe cenzurimit diktatorial të fjalës së lirë dhe vërtetësisë së realitetit, (alias gazetarë serb), artikullon tensionin e shtypjes totalitare të opinionit publik, si instrumentin primar të kontrollimit dhe nënshtrimit, nga ana e pushtetit apsolut. Sovraniteti i së cilës, të vetmen mbrojtje kishte gënjeshtrat dhe manipulimet e bëmave : -”…të flisja për torturat dhe kërcënimet që më ishin bërë e që do t’u dukeshin si lodra fëmijësh, në krahasim me krimet për të cilat kisha shkruar në artikujt e mi…” (Po aty, f.256).
Ravizimi i karaktereve desidente dhe oportuniste (Natasha Kandiç, Sonja Biserko, Miroslav Filipoviq, Sllavko Quruvijës), me virtyte të ndërgjegjes, me ndjenjën e përgjegjësisë kolektive dhe me atribute të moralit intelektual e human, në librin e autorit, rreshtohen me korrektësi të jashtëzakonshme autenticiteti dhe respekti për integritetin e tyre personal ndaj orteqeve të propagandës serbe : “mijëra kralevas të tjerë i kishin shpërndarë gjithandej. Gjatë bisedave shprehnim habinë pse kishte aq pak ushtarë nga Beogradi dhe asnjë fëmijë politikani“ (Po aty, f.57)
Përmes perspektivës së protagonizimit të autorefleksionit të figurave publike serbe, autori, stimulon e apelon ndërgjegjen e përsiatjes bashkëndiesore të opinionit publik dhe përballjen vetvetore me makabritetin objektiv, në një arenë me përbindësh, në duel për tharmin e të së Vërtetës.
Sepse: – “…ata kishin në kontroll çdo gjë: nuk mund të vdisje pa lejen e tyre” (faq.149).
Është jashtëzakonisht e vështirë të anashkalosh një paragraf të vetëm, apo një fragment, nga faqet e librit, e të mos e nëvizojmë e veçojmë atë në cilësinë e një citati, apo të një urtie, ose edhe të një fakti dëshmie. Fjalitë kanë thurrje me rrëfenja autenticiteti, kanë pavarësinë e objektivitetit dhe njëherësh, marëdhënie uniteti me tërësinë lëndore.
Përndryshe, libri, realizon së fundmi edhe një „epifani intelektuale“, me besnikëri të pashoq, në vijimësinë e trashëgimisë intelektuale e kulturore të porosisë antike.
Vijimësinë e diskursit analog, nga burimet e shkollave të civilizimit evropian, tek historiani, politikani e senatori romak Tacititi (Pubilus Cornelius Tacitus, v.58 p.e.s.- v.120), ai që përmes librave të tij u mësonte botës, mekanizmat e diktaturës.
Anafora sakrale e lirisë
Faqet e romanit “Eskadronët E Vdekjes” (Kronikë e një kasaphane), shfletohen me anaforën e përsëritur dhe kruciale të artikullimit të hapur të sintagmës dominuese- idealin e frymës etnike për liri e pavarësi.
Lufta e Kosovës, u bë intonim qendrorë i agjendave politike e mediatike, si një emër që pushtoi botën, me dëshminë e rezistencës më madhore të vlerës hyjnore- të lirisë.
Kosova do të ringjall simbolin mitik të instiktit mbinjerëzorë të sakrificës dhe vetflijimit (Adem Jashari dhe familja e tij).
Bota humane u ballafaqua me përgjegjësinë e dëshmitarit. Dhe libri e dëshmon këtë.
Kosova, republika e fundit nga mbetja e kreaturës artificiale të ashtuquajtur Jugosllavi, luftonte në mbrojtje të sistemit të vlerave civilizuese e demokratike dhe të drejtën elementare për liri e pavarësi.
Asgjë nuk i paraprinte lirisë-liria i paraprinte edhe ekzistencës.
Kosova, ndodhej në prag historie. Në muzgun e një shekulli në shkuarje dhe agun e një mijëvjeçari të ri, në djepin e kulturës evropiane, ndodhte ringjallje realiste mitesh të njëmendta të legjendave mbi epikat e mbijetesave.
Të gjitha urtitë klasike mbi stoicizmin e njeriut të idealit, të kohës, të së drejtës humane e ndërkombëtare, për liri e pavarësi kombëtare, do të projektohen në eterin kosovarë të luftës së fundit.
Dhe libri e dëshmon këtë.
„Ankthi për lirinë“ (Sartri) në cilindo kënd të rruzullit kosovarë nuk e denigroi shpresën dhe bindjen e qenies.
Epërsia e alltarit të lirisë, fryma kombëtare dhe primariteti identitarë i shpirtit kolektiv, e ndjerë përmes shqisës së përvuajtur të dhimbjeve e të sprovave të tmerrit, në faqet e fundme të romanit, do regjenerojnë satisfaksionin e një horizont të ri.
Ndërkaq, autori, duke risjellë përshkrimin himnizues të së vërtetës, detaje të momenteve tragjike dhe të sprovave makabre e flijesave masovike, vë në pah mesazhin, që liria në bërthamën e shpirtit popullorë të Kosovës, kishte tejkaluar për të satën herë ligjet e natyrës. Duke dëshmuar epërsinë e rezistencës frymore mbi dimensionin fizik, si vlerën më të lartë përhiruese të mbijetesës (episodet në burgun e Dubravës faq.306 dhe f.314)
Aktet e dëshmive janë të shumta dhe të hidhura. Ato qëmtojnë në detaje të sakta, një mori episodesh të monstruozitetit fashist, të ushtruar në qenien e pafajshme njerëzore : “Dhomat e burgut janë vendet, ku kronikat e tmerreve tregohen gojarisht“ (f.180)
…Sepse…protokolli parasheh që i arrestuari të bëj dush para tredhjes” (f.145)
“Fati i librit” është kronika e tmerreve. Rrjedha reale dëshmishë, shpalosje dokumentacionesh, përballje të vërtetash, janë skena që pulsojnë kuptimin dhe porosinë e kapitujve. Individin e esullut përballë një makinerie të motorizuar shtetërore.
-“…do të kishe parë se si një jurist dhe gazetar lufton deri në frymën e fundit për çlirimin e vendit të vet. U vra vetë i shtati në bjeshkët tona, te Rrasat e Zogut, afër staneve…” (Po aty, f.282)
Në shumë sekuenca përshkrimesh, autori gjen rastin të manifestojë vlerat e karakterit kolektiv shqiptarë, duke e tipizuar atë me mendjemprehtësinë e thukët tradicionale dhe trashëgiminë e parimeve fisnike, e që „fqinjët ballkanikë“ kishin fort mirë njohuri :
„…m’u kujtuan fjalët e Nexhos, se hakmarrja nënkuptonte që, paraprakisht, t’i kesh hyrë në hak dikujt. Kishte të drejtë, as unë as familja ime nuk i kemi asnjë borxh Millosheviqit, Stoilkoviqit, dhe Markoviqit !“ (f.299)
A është pafuqia e papushtet e individit -esenca e viktimizimit të heshtur jetik ? – janë dilemat e „yllëzuara“ në „fusnotat“ e secilës fundfaqe të librit.
“Eskadronët e Vdekjes”, lexohet si ditar rrëfyes i fateve dhe fatkeqësive; të përkushtimeve dhe kumteve; të dëshmive dhe dhe homazheve (Sadiku dhe Bekimi; Nexhmedin A. dhe Vllaznim P.).
Fatkeqësisht, janë tragjedi të panumërta të fateve individuale dhe familjare, të dokumentuara me njolla gjaku e imazhe martirësh, në faqet e librit.
Poaq të shumta janë edhe skenat makabre që përshkruajnë natyrën e deformuar të qenies së tjetërsuar ç’njerëzore :
– Milovani, duke ngërdheshur kishte thënë se ndaj shqiptarëve katolikë ishte treguar human: i kishte lënë të bënin kryqin para se të shkonin në atë botë.” (f.107)
– “Kolonel Stoilkoviqi para se të ekzekutonte familjet, kishte nxjerrë kafshët nga ahuri, duke u tallur :”bagëtitë nuk kanë faj”(f.96)
– Dragani mburrej me kërcënimet ndaj grave, nëse nuk bënin atë që u kërkohej…Tetë prej tyre kishin rezistuar më shumë, i kishin hedhur të gjalla në bunarë dhe ishin kënaqur duke i parë si përpëliteshin të shpëtonin : ”U mbytën për faj të tyre, ngaqë nuk dinin not”
– “…Ku e kishin tash amerikën dhe shtetet tjera katolike t’I
ndihmonin..” (f.107)
Të jetë universi gjygjësi proviniente e drejtësisisë është koncept metafizik.
Mirëpo, kjo proviniencë e „rrufesë qiellore“ do të ndez qiellin serb, në kapitullin e fundit të romanit të Bardhyl Mahmutit, “ESKADRONET E VDEKJES” (kronikë e një kasaphane). Kapitulli i fundit, është epilog faktik i përmendjeve emrore dhe mbiemrore të valës së burgosjeve, ndëshkimeve dhe dënimeve, të regjisorëve dhe aktorëve të pushtetit serb të krimit. Në ca raste, befason edhe probabiliteti i lartë i koinçidencave “paranormale” të numerologjisë së datave.
Një varg burgosjesh, gjykimesh e vetgjykimesh (suicidesh), do shfaqen në skenën politike serbe. Përputhja e datave të fundosjes tyre me ngjarje dhe kronika të kohës së bëmave tyre, krijonin asociacione të drejtpërdrejta me ligjin e karmës.
Shpresa drejtësie edhe për popullin serb po lindnin në qiellin e kontaminuar beogradas.
Ndonëse golgota e fatit të popullit shqiptarë të Kosovës, do të vazhdojë të durojë ferrin e sprovave të pritjes të së DREJTËS dhe të së VËRTETËS, për emrat e gravuara në shpirtin kosovarë :
– „…se, për të mbuluar shpenzimet e operacionit të zhvarrosjes dhe të kthimit në Kosovë të mbetjeve mortore të rreth njëmijë shqiptarëve, SHBA-ja kishte e kishte ndihmuar Serbinë me një shumë prej 40 milionë dollarësh! E tmerrshme!- thash me vete, 40 mijë dollarë për kokë arkivoli !”
– “…Që i largohemi errësirës me anë të rrëfenjave,që falë tregimeve mësojmë të bashkëjetojmë me kaosin, që trazojmë prushin e zjarrit me frymën e fjalëve tona,që përshkojmë distanca të gjata për t’ua shpënë të huajve historitë tona” – shprehet në njërin nga librat e saja, autorja dhe filolog’ja Irene Vallejo
Shumësia intertekstuale e sentencës bazike
Të përshkruash një tragjedi kombëtare gjenocidiale, të dokumentosh absurdin e instiktit fashist, vazhdimësinë e mentalitetit gjakpirës, nga vargoi i mramë i epokës zezone të quajtur “niaiserie balkanique” (tërbimi ballkanik), çfarëdo lloji të zhanrit letrarë që të praktikosh, për autorin, sërish do ishte tundim hapsira e pamjaftueshme letrare.
Të sjellësh në projeksion letrarë, një botë me kaq kompleksitet situatash e personazhesh, me detaje denjësisht të prezentuara, në sintezë krijuese artistike, me limit romanesk të hapsirës letrare, paraqet një sprovë serioze, sa të ndërgjegjes intelektuale, poaq edhe të vokacionit dhe horizontit krijues.
Spektri i gjërë i situatave, kronologjia e ngjarjeve dhe masiviteti i subjekteve përfshirëse, diktojnë një imanencë cilësore të kapacitetit kulturorë, nivelit artistik, dhe, afinitet të përveçëm intelektual.
Narracioni, leksiku, sintaksa, stilistika dhe konsistenca informative, në romanin e mësipërm, janë të vendosura me afinitet të përqëndrueshmërisë së lartë intuitive, në një ekuacion sinergjik të ndërveprimit tematik dhe lidhshmërisë funksionale.
Të kursyerit e hiperbolës (ekzagjerimit të realitetit) dhe rezistenca ndaj takteve të litotës (tkurrjes së realitetit) e bëjnë romanin të jetë vepër e veçuar me cilësinë e lartë të drejtpeshimit dhe harmonisë mes letrares dhe historikes, brenda kompozicionit të së njëjtës gjini letrare.
Si shkrimtar, me romanin «Eskadronët e Vdekjes»- Bardhyl Mahmuti, arrin të realizojë, me karakter të seriozitetit të lartë intelektual dhe mjeshtri të regjur letrare, një akt të suksesshëm të përcjelljes së mendësisë patriotike, në rezonancën e vetëdijes kolektive. Ndërkaq, theksi i mbamendjes koshiente përftohet me sintagmën e kultivimit të ndërgjegjes breznore dhe objektivitetin e historizimit të luftës çlirimtare ndër gjenerata.
Brenda kopertinave të romanit “Eskadronët e Vdekjes”, semantika e aspekteve kontekstuale, ndjek një “formulë” të artikulluar me “prerje të artë” të hapsirës letrare dhe sofistikës së thellë trajtuese të profilizimit psikologjik të personifikimeve.
Tipizimi profilizues i aurës së personazhëve, edhe përkundër tmerreve e vuajtjeve përjetuese, me “aureola” të përndritura shprese dhe pozitivizmi, e me frymë stoike, është bashkëdyzim kooperativ i substancës biografike të shkrimtarit dhe mjeshtrisë së tij autoriale: a) si elemente koherente të intonimit dinjitoz të vullnetit intelektual, dhe, b) alkimia peripetike e trajaktoreve qëndrestare në tablotë shpirtërore të përvojave personale.
Sundimi i së vërtetës, është fronti dhe territori i strategjisë së parë dhe të fundit, mes betejës së makinerisë agresore serbe dhe faqeve të librit.
Korosi (koncepti grek mbi momentin e krijimit) artistik i autorit në romanin “Eskadronët e Vdekjes”, tërhiqet kryefund, në rend të parë, me deshifrimin dhe demaskimin e ambiguitetit (dykuptimshmërisë) të paraleles së realitetit jetësor.
Mendësia e propaganduar serbe dhe e vërteta faktike ishin në largësinë e njëmendtë, si ajo e dy poleve të rruzullit.
Lufta për të vërtetën është lajtmotivi që shfletohet në çdo gjymtyrë përshkruese. „Meqë gënjeshtrat arrijnë të ngrenë luftëra- ndërkohë, e vërteta mundet të ndalojë një armatë të tërë rrenash“ -thoshte Otto von Bismarck
Ky segment i ngulfatjes së arsyes së shëndoshë dhe cenzurimi i hapësirave autokritike ndaj krimeve dhe masakrave makabre të regjimit, në libër, lexohen të jenë mbrothësuar me një elegancë të rrallë krijuese të autorit. Trajaktorja peripetike e përndjekjeve, ndëshkimeve dhe përballjeve personale të kryepersonazhit, me të vërtetën, me sekretin e sjelljeve të organeve shtetërore dhe sidomos konfrontimi konkret me viktimat e drejtpërdrejta janë të pasqyruara me veçanti të rafinuar të ligjërimit profesional dhe apostrofimit dinjitoz.
Lexuesi i ndërgjegjshëm do të hetojë ekuivalencën e lartë mes ilustrimit të vrazhdësisë makabre të fabulës dhe kujdesit psiko-linguistik të absorbimit sentimental (përthithjes ndieore) të lëndës lexuese.
Koherenca stilistike e universit estetik
Koherenca stilistike, teknika e rrëfimit dhe vazhdimësia strukturore e naracionit, dhe, veçmas sinkroniteti kronologjik i kapitujve të librit me kronikat e raportimeve ditore të mediave, janë ndër komponentat e para referuese që fuqizojnë peshën dhe rëndësinë botuese të librit.
Organizimi dhe kahësimi rrëfimorë i intesitetit shprehës, gjuha argumentuese dhe refleksionet analizuese të personazheve, i atribuohen besnikërisë dëshmuese të situatave reale, nga jeta dhe skenat e përjetuara të jetëve protagoniste.
Ndërmjetësimet e figurave stilistike, retardimet dhe forca simbolke e tropeve, në roman, artikullohen me sens tejet të lartë të masës komunikuese mes përshkrimit sinonimik të marrëdhënies empatike të simbolit dhe aludimit tematik.
Gjuha e autorit, para së gjithash, dallon me një përcjellje elegante të qartësisë së thjeshtë. Ajo është e pasur për nga horizonti leksikologjik, e ligjëruar me morfologji të pedantë gramatikore, dhe, e zgjedhur me fokusim të lartë sintaksorë të masës përshkruese (autori, përndryshe është emër i njohur në mesin e ithtarëve të rreptë të respektimit të normave gjuhësore, deri në puritanizëm).
Gjuha është jodialektore, e sfiduar në ritmin e saj më vital dhe më thelbësorë të sferës komunikuese. Ajo arrin (me pikasje të veçantë) që përmes standartit letrarë dhe kulturës intelektuale të autorit, të unifikojë, deri në përsosmëri, prioritetin semantik dhe diskursin tematik.
Gjuha e qartë e ekuilibruar me frekuencat e thjeshta kuptimore, mandej, e pasuruar me idiomat dhe shprehjet popullore, shpesh edhe thumbimet satirike, me shumë takt elokuence, janë të përfshira në fondin e marrëdhënieve kundrinore të fjalisë.
Frazat e toneve të buta dhe intonacionet e gjuhës letrare të dialogjeve, frekuentojnë me ekuilibër të jashtëzakonshëm sintaksorë e leksikologjik të normave gramatikore dhe të standartit ligjërues. Element ky, shumë specifik i karakterit literarë të autorit, si në rrafshin metatekstual- për të përshkruar tipizimin e relievit krahinor dhe masivitetin e përfshirjes (fatin e përbashkët popullorë), poaq edhe në kontekstin intertekstual- si faktor fokusues në dinamikën e marrëdhënieve ndërvepruese me lexuesin.
Autori, shpesh praktikon edhe spikatjet ironike kur synon të zbërthen konstruktet më komplekse të identiteteve shembëlluese. Dhe këtë e bën përmes sendërtimit të mprehtë të figuracionit metaforik të imazheve, që në rilidhjen
kuptimore, manifestojnë deshifrimin e natyrës diabolike të mentalitetit diktatorial.
Një ilustrim të kësaj finese „poetike“, sjell edhe skena e përshkruar nga shkrimtari në fragmentin vijues, ku paskrupëllsinë e thundrës despotike e pasqyron përmes spikatjes së shfryerjeve të mendësisë makiaveliste në të gjitha segmentet- edhe në zbatimin arrogant të trajtimit militarist të kafshëve:
„Kisha mbërritur te parku „Manezh“, që dikur kishte qenë stallë kuajsh e gardës së kalorësisë mbretërore jugosllave dhe shkolla ku mësonin kuajt të ecnin sipas ritmit të përcaktuar nga ushtarakët „(f.250)
Aftësia artistike dhe mjeshtria letrare (ndonëse jo aq numerike për nga lista e titujve dhe megjithatë e pazëvendësueshme), që dëshpërimin e individit në jetë, konfliktin midis luftës së thellë për një kuptim të lirë të jetës dhe rezistencën e çdo sundimi, ta „transkriptojë“ me gjuhë të denjë „alfabetike“ e rrjedhshmëri të thellë emocionale, deri në pikën e lotëve, paraqet vërtetë një punë të fisme, deri në himnizim.
Mandej, përtej fatkeqësive të historive tragjike e zymtive të kohës („Lufta është murtajë e kohës“-thoshte Franklin D. Roosevelt), autori, orienton fokusimin në vlerën e sfidave të mbijetesës, pushtetin e shpresave dhe frymën e durimit.
Eskadronët e Vdekjes“ është një roman që ndonëse për model ka të vërtetën e tmerreve dhe masakrave, thelbin e përjetimit dhe arkivën shpirtërore të plagëve, tragjeditë dhe martirët e alltarit të lirisë dhe atdheut, të përshkruara në një sfond të vetëm, megjithatë autori ia del me guxim e këmbëngulësi, përkushtim e stoicizëm, që në tingëllimën e kuintencës së saj të mos buajë vajtimi i së kobshmes, por të kokëlartësohet e devotshmja.
P.S.
Të kesh arritur instancën reflektuese e të qenurit subjekt frymëzimi, e sidomos -inspirim i instancave nga ana e palës mohuese, dëshmon para së gjithash, vlerën universale të asaj qenësie, dhe, së dyti pohimin kualitativ dhe rezonimin spektral të objektivitetit të saj !
Këtë ka arritur vepra e autorit Bardhyl Mahmuti !
Një ilustrim të tillë e argumenton romani i fundit i politikanit dhe autorit (përndryshe figurë kyqe e aktive në jetën politike të shtetit serb) Vuk Drashkoviq, me titull „Monah Hokaj“ (bot.“Laguna“,Beograd,2023). Lënda trajtuese e të cilit sjell subjekte, motive, fabula e episode- dhe mesazhe, tejet analoge me “Eskadronët” e Bardhyl Mahmutit.
Mesazhet dinjitoze, humane e realiste, të rrënjosura në histori vendore, ku e vërteta është kuptimi apsolut që nga „nature simple“ e deri në „philosophia perennis“, ngjason frymëzimin e Drashkoviqit që „Eskadronët“ të jetë model i botimit të tij pasues.
Një fragment në romanin e tij nënvizon: „Gënjeshtra triumfon në hapsirat tona…ku mungojnë pendimet..“
(Monah Hokaj është profesor i historisë që ëndërronte SHBA-në, me ofertën si asistent në një kolegj të atjeshëm, por ai bie në kthetrat e “Luciferit” të krimeve dhe i dorëzon shpirtin mobilizimit në luftërat serbe në rajon.)