Romani shqip për fëmijë (autorë nga Kosova)

07 gusht 2024 | 15:21

VESEL ISLAMI

Letërsia shqipe ka shkrimtarë të shumtë të cilët me krijimet e tyre i kanë dhënë asaj vlerë të rëndësishme në rrugëtimin shpir­tëror të kombit tonë. Shkrimtarët tanë, përmes krijimeve të tyre, pa dalluar gjinitë letrare, i kanë sjellë begati edhe letërsisë sonë për fëmijë. Meqenëse jemi të fokusuar në fushën e letërsisë për fëmijë në Kosovë, konkretisht në roman si zhanri më i madh i gjinisë së prozës, mund ta shohim se nuk kanë munguar veprat e shkrimtarëve tanë në këtë lëmë, edhe pse “romani për fëmijë krijohet më vështirë se romani për të rritur, sepse këtu para krijuesit shtrohen kërkesa suplementare ndryshe nga romani për të rritur”.[1]

Gjithnjë është vazhduar me ritëm në shkrimin e këtij zhanri që nga fillet e tij e deri në ditët e sotme. Është provuar që për­mes romanit të trajtohen tema dhe koncepte, të shprehura si ide, mesazhe, motive, porosi apo në forma të tjera, gjithnjë të rëndësishme për moshën e fëmijëve dhe, po ashtu, me mjaft ndikim për ta. Po ashtu, “një nga synimet e romanit tonë për fëmijë është ai për ta dhënë heroiken e së kaluarës sonë. Kjo është bërë qoftë në formën e heroit të identifikuar, qoftë si per­sonazhe të krijuara mbi cilësitë e tyre pozitive”.[2]

Meqenëse themelet e kulturës dhe të traditës së leximit vihen pikërisht me këtë lloj letërsie te të gjithë individët, atëherë është e rëndësishme të hulumtohet dhe të vlerësohet kjo letërsi, sido­mos romani, i cili “është i ri në moshë, por i larmishëm, me stile nga më të ndryshmet, gjë që dëshmon për origjinalitet…”[3]

Agim Deva është ndër studiuesit e parë që ka ngritur çështjen e kritikës letrare mbi romanin për fëmijë në Kosovë. Atë e ka bërë me një qasje të gjerë që nga fillet e para të këtij zhanri, nga viti 1959 deri në vitin 1976.

Numri i romaneve të periudhës së lartshënuar (1959-1976) nuk është dhe aq i madh, po ashtu as emrat e shkrimtarëve nuk janë të shumtë në këtë periudhë kohore, gjë që ka mundësuar një qasje të përgjithshme të studiuesit Deva mbi tekstet letrare. Mirëpo, ne jemi munduar të vazhdojmë tutje, më konkretisht nga viti 1977 e deri në vitin 2015, gjithnjë duke u mbështetur në atë se “tematika e letërsisë shqipe për fëmijë begatohet pas vitit 1970 e këtej”.[4]

Prania e një numri të madh shkrimtarësh, por edhe romanesh, ka sjellë tema, ide, motive dhe personazhe me karaktere të lloj­llojshme, që kanë pasuruar edhe letërsinë tonë për fëmijë, por edhe kulturën dhe artin në përgjithësi. Sidomos vërehet prania e shkrimtarëve me romanet e tyre që ndryshojnë qasjen e shkri­mit romanor, në ide dhe tema, varësisht prej rrethanave, duke sjell vlera të mirëfillta të artit letrar. Në raste të caktuara mund të vërehen motivet e njëjta apo të përafërta, të përsëritura nga njëri shkrimtar te tjetri, ku mund të themi dallon vetëm mjesh­tëria e artit të fjalës dhe artikulimi i temës. Në këtë mënyrë, “kriteret e vështrimit të ndërtimit të tij janë heterogjene dhe varen nga përparësitë e subjektivitetit të interpretimeve të elementeve përbërëse të tekstit”.[5]

Nëse marrim parasysh faktin se romanet për fëmijë janë edhe pjesë e pandashme e planprogrameve mësimore në shkollimin fillor dhe të mesëm të ulët, që hyjnë në kuadër të lekturave shkollore, atëherë është shumë e rëndësishme të hulumtohen dhe vlerësohen për atë se çfarë paraqesin para lexuesve të kësaj moshe. “Sidoqoftë, romani ynë për fëmijë e ka rrugën e vet zhvi­llimore, e ka rrjedhën e vet mjaft të suksesshme, i ka krijuesit e vet seriozë, në pjesën më të madhe i ka plotësuar nevojat e fëmijëve tanë, duke u kushtuar kujdes të posaçëm kritereve pedagogjike-letrare”.[6]

Prezantimi i romanit, qoftë përmes obligimit në kuadër të lekturës ose si lexim i lirë, luan rolin e tij të rëndësishëm për formimin intelektual dhe njerëzor të lexuesve të vegjël. Mosha së cilës i përkasin ata, kureshtja që shfaqin për tema dhe perso­nazhe të ndryshme, janë me mjaft ndikim në botën e tyre shpir­tërore.

Koncepti i romanit është mjaft i gjerë. Mund të themi se është universal përderisa brenda fabulës së tij nuk trajtohet vetëm një temë, por mund të inkuadrohen nëntema të shumta.

Specifikat zhanrore në romanin për fëmijë

Romani është formë letrare që jep mundësi të mëdha shkri­more dhe artistike. Ky zhanër është i rëndësishëm edhe për mundësinë e interpretimit të idesë, prezantimin e temës, perso­nazheve, motiveve etj. Mundësia e analizës dhe interpretimit nga pozicioni i studiuesit ndaj tij është më e hapur. Si zhanër letrar, “romani u zhvillua si një formë e lirë, duke realizuar vazhdimisht modifikimin e mënyrave të organizimit të brend­shëm dhe të jashtëm për trajtimin e raporteve universale midis njeriut dhe botës që e rrethon”.[7]

Për arsye të strukturës së tij të përbërë prej shumë elementeve, që ndërthuren përmes mjeshtërisë së autorit dhe strukturojnë vijën fabulare, te ky zhanër zakonisht fabula krijon dimensione dhe shtresime të shumta, gjë që zgjon edhe interesimin e stu­diuesit për mundësi analize dhe interpretimi. Secila prej gjinive letrare që prezantojnë format dhe llojet e tyre artikulohet në stilin e vet, e në këtë mënyrë “zhanri paraqet nënndarje të gjinisë artistike, që përfshin vepra që dallohen nga disa veçori të cak­tuara të brendisë e të formës”.[8]

Meqë letërsia jonë është zhvilluar vonë, një fat i tillë e ka ndje­kur edhe zhanrin e romanit për fëmijë, ku për herë të parë në vendin tonë botohet në vitin 1959. E kemi fjalën për romanin Lugjet e Verdha të shkrimtarit Rexhep Hoxha.

Vonesa e shfaqjes së këtij zhanri në letrat tona ka ndikuar që edhe zhvillimi i tij të mos jetë i hovshëm në fillim. Rexhep Hoxha është shkrimtari i parë në vendin tonë që solli romanin e parë në letërsinë për fëmijë. Po ashtu, mund të themi se as në Shqipëri nuk ka një traditë më të hershme të zhvillimit të këtij zhanri. Ndoshta vonesat e tilla mund të kenë qenë edhe për shkak të mosinteresimit të shkrimtarëve, kur letërsia për fëmijë nuk ka zgjuar aq shumë kureshtje për t’u shkruar e, fatkeqë­sisht, edhe sot e kësaj dite nuk zgjon as kureshtje për hulumtim, studim, kritikë dhe interpretim nga studiuesit tanë.

Mirëpo, pas botimit të romanit të parë për fëmijë në vendin tonë, shfaqen interesimet edhe të shkrimtarëve të tjerë për shkri­min e këtij zhanri letrar. Kështu që nuk vonojnë dhe vijnë pru­rjet e reja në këtë drejtim. Interesimet shtoheshin dhe “bazë theme­lore e romanit është realiteti bashkëkohor, e kaluara, mito­logjia etj”.[9]

Më vonë shkrimtarë të rinj sjellin ide, tema e motive të reja, nganjëherë me situata e ngjarje nga realiteti i kohës, të cilat shndërrohen në tema bosht, nganjëherë të ndikuara edhe nga folklori. Po ashtu, vërehen shenja të qarta edhe të kreativitetit artistik, meqë nisin të shfaqen edhe idetë autoriale të artiku­luara përmes botës së artit, si tekste të veshura me figuracion stilistik e shenja vizive, me ilustrime, që bartin mesazhe dhe porosi për të vegjlit tanë.

Kësisoj, dalëngadalë, letërsia jonë për fëmijë, konkretisht romani si zhanër në vete, gjithnjë e më shumë shkruhej prej shkrimta­rëve të cilët përpiqeshin ta ndërtonin tematikën që përkonte me nivelin dhe moshën e lexuesve. Qasja e tillë është shumë më rëndësi për nivelin e lexuesve. Një gjë si kjo ka kufizuar edhe mundësinë e prezantimit të temave para këtyre lexuesve, por është munduar që ato të vishen me figuracion.

Përmes leximit të romaneve fëmijët do të pajisen me njohuri të shumta që ndërlidhen me jetën, shkollën, shoqërinë dhe rrugë­timin e tyre për formimin e vlerave personale. Temat që traj­tohen në këto romane janë shumë me interes për moshën. Ata mësojnë shumë gjëra për të cilat nuk kanë mësuar apo dëgjuar më parë.

Romani si i tillë, me një mundësi inkorporimi të situatave, ngjarjeve, motiveve dhe nëntemave, përveç ndërthurjes së dimen­sioneve shumështresore tematike brenda vetes, po ashtu ofron edhe mundësinë e inkuadrimit të personazheve të shumta. Ato na dalin, secili me rolin, funksionin dhe karakterin e tij, prezan­tojnë vlera të ndryshme e të veçanta. Idetë e autorëve shpesh­herë janë përqendruar në mundësinë e transmetimit të mësi­meve përmes temave që trajtojnë romanet e tilla, ku janë prekur çështje me interes të përgjithshëm në të gjitha aspektet e jetës shoqërore.

Struktura e romanit për fëmijë (përshkrimi, rrëfimi, dialogu)

Duke marrë parasysh strukturën e romanit tonë për fëmijë dhe larminë e tij tematike, mund të themi se ai është i rëndë­sishëm si në aspektin formal, po ashtu edhe në atë tematik. Në romanin tonë për fëmijë ideja i paraprin artikulimit të një teksti dhe nga këtu rrjedh edhe tema e tij.

Artikulimi i temës realizohet në përputhje me kërkesat që parashtron natyra e asaj teme. Studiuesit pohojnë se “ai (shkrimtari), me veprën e vet, lexuesve më të vegjël u ofron kënaqësi, sikur bota të jetë krijuar për shkak të zbavitjes dhe lojës”.[10] Ta zëmë, nëse romani është i llojit përrallë, atëherë domosdoshmërisht duhet të prekën indikatorët e rëndësishëm që qëndrojnë mbi parimet e përrallës, qoftë përrallë popullore apo e kultivuar. Po ashtu, edhe në raste të tjera, kur natyra e temës prek edhe dimensione të tjera, si motivet historike, soc­iale, psikologjike apo çfarëdo lloj tjetër, gjithherë duhet përmbaj­tur natyrës së motiveve se çfarë pretendon ta paraqesë në fabu­lën e saj. Në këtë mënyrë janë të rëndësishme kategoritë e gjinisë së prozës që përfshijnë: përshkrimin, dialogun dhe rrëfimin.

Përshkrimi: Që tema e një teksti të jetë e kompletuar në aspek­tin artistik, pa dyshim që përshkrimi, si kategori e prozës, në këtë rast e romanit, luan rolin më të rëndësishëm. Ajo që na sjell përshkrimi është e rëndësishme për kohën dhe ambientin. Kur themi për kohën, kemi parasysh faktin se ngjarjet që rrje­dhin në temën e një romani duhet të jenë të vendosura në kohë, pra cilës kohë, epokë i takojnë ato? Sidomos kjo ndërlidhet me shumë tema të rëndësishme që përkojnë me realitetin faktik, ngjarjet historike apo diçka tjetër. Ndërsa nëse lloji i romanit është i tillë, që na ofron trajtimin e temave me prani të gjerë të fantastikes, atëherë koha mund edhe të mos merret si faktori kryesor.

Përveç kohës, edhe hapësira është element i rëndësishëm në ndërtimin e prozës. Pra, ngjarjet e atij teksti, romani, përveçse na njohin me rrjedhën e zhvillimeve, është mirë të dihet edhe hapësira se ku janë të vendosura. Gjithmonë kur autorët përdo­rin kategorinë e përshkrimit për plotësimin artistik, stilistik e figurativ të tekstit, i japin atij një ngjyrim edhe në aspektin e leximit emocional. Nga një përshkrim i bukur krijohet përshty­pja edhe për një temë të mirë që do të na shpalosë teksti në vazhdim. Po ashtu, përshkrimi si kategori e prozës plotëson vakumin e krijuar mes situatave kur ndërpriten linjat narrative/ rrëfimtare përgjatë fabulës. Në këto raste zënë fill mjeshtëria artistike dhe figuracioni stilistik. Krijohet një përshtypje tjetër që për pak momente e largon lexuesin nga zhytja e thellë e tij në tekst.

Përmes përshkrimit thyhet monotonia e leximit të një teksti letrar, varësisht edhe prej paraqitjes që bën autori. Si i tillë, mund të na dalë përshkrim që përkon me suazat e realitetit, të cilat, ndoshta, mund t’i njohë lexuesi, por mund edhe të mos i njohë fare, e që mund të krijojnë përshtypje psikologjike për­gjatë aktit të leximit si akt subjektiv. Mirëpo, në rastet kur për­shkrimi mishërohet me një narracion të thellë fiksional, deri në diskurs fantastik, pa dyshim që është shumë më tërheqës dhe më i pranueshëm për lexuesit e vegjël. Atëherë çdo gjë e ofruar përmes teksteve letrare për këta lexues është e rëndësishme dhe luan rol të veçantë.

Rrëfimi: Edhe rrëfimi, pa dyshim, si një prej kategorive më të rëndësishme të prozës, është esencial, sidomos në romanin për fëmijë. Narratori, që në këtë rast nga lexuesi perceptohet në këndin e pozicionit autorial, reflekton mjeshtërinë e të rrëfyerit të ngjarjeve dhe ofron mundësitë më të mira për ta inkurajuar lexuesin lidhur me atë se teksti që ka para vetes është i rëndë­sishëm. E tërë kjo mund të bëhet nëse mjeshtëria e ndërtimit të strukturës përmes rrëfimtarit/tregimtarit është dhënë në mëny­rën sa më tërheqëse dhe nxit motivimin e lexuesit. Mënyra e tillë e rrëfimit është dhënë prej pozicionit të vetës së tretë njëjës, kur ngjarjet ndodhin dhe, si të tilla, rrëfehen përmes një ndër­lidhjeje logjike të të gjitha zhvillimeve në temën e tekstit. Rrëfimi i ofruar në këtë pozicion është më pak i ndjeshëm emociona­lisht, pasi që situatat e prodhuara në brendinë e fabulës na dalin në pozicionin e vetës së tretë njëjës.

Megjithatë, mundësia për ta analizuar dhe kuptuar rrjedhën e këtyre zhvillimeve në këtë pozicion është më e madhe. Lexuesi në të njëjtën kohë mund të hamendësojë e të arrijë në aludime që orientohen drejt përfundimit të ngjarjeve në temën e atij teksti, por gjithçka mund të mbetet vetëm mendim, ide apo para­gjykim, sepse gjërat gjithmonë rrjedhin sipas idesë së tekstit që mjeshtëria e autorit ka menduar ta interpretojë në atë mënyrë.

Ndërkaq sa i përket pozicionit të narratorit në vetën e parë njëjës është më ndryshe kur flasim për aspektin e të përjetuarit psikologjik. E themi këtë për arsye se pjesa më e madhe e romaneve të letërsisë për fëmijë kanë edhe personazhe që mund të jenë përafërsisht aq sa mosha e lexuesve. Pra, kur mund të konsiderohen edhe si bashkëmoshatarë, atëherë ambiciet për t’u identifikuar me ndonjërin prej heronjve të romanit, nëse jo me vetë kryeheroin, gjithherë janë të pashmangshme. Kjo manifestohet kur narratori është personazh.

Edhe pse s’mund ta mohojmë se nganjëherë heronjtë bien në situata të palakmueshme, prapëseprapë me peripecitë, sukseset dhe triumfet që ata arrijnë të korrin, mund të prodhojnë identi­fikimin e lexuesve të vegjël me sjelljet dhe karakteret e tyre. Veçanërisht në romanet kur personazhe kryesore janë fëmijët dhe zhvillimet e ngjarjeve janë të ndjeshme, e rrëfimi është dhënë në veten e parë njëjës, atëherë ndikimet psikologjike dhe emocionale reflektojnë efektin e tyre përgjatë dhe pas leximit.

Dialogu[11]: Zakonisht dialogu si kategori e tekstit vendin pri­mar e zë në zhanrin e dramaturgjisë, mirëpo edhe në zhanrin e prozës, me theks të veçantë në romanin për fëmijë në Kosovë është shumë i përdorur. Veprimet që marrin hov zhvillimi në raste të shpeshta rrjedhin pikërisht prej dialogëve të persona­zheve. Personazhet janë ato që me anë të dialogut gjejnë kom­promiset e ndryshme në fabulën e tekstit dhe shprehin mirëkup­timin e bashkëpunimin e ndërsjellë për t’i ndihmuar njëri-tjetrit gjithnjë. “Gjatë kësaj rruge të shkurtër të zhvillimit si zhanër i gjatë i prozës, megjithëse me një numër të konsideruar titujsh dhe me një fond të cikleve tematike, me ata tipa që i ka kulti­vuar, romani shqiptar ka arritur ta trasojë dhe ta zgjerojë një strukturë të re të prozës së jetës sonë.”[12]

Fakti që dialogu në romanin për fëmijë na shfaqet në një profil më të pazakontë, pasi mundësia e komunikimit është univer­sale, përfshirë të gjitha kategoritë e personazheve, e bën më të rëndësishëm dhe më të veçantë këtë kategori të tekstit në këtë zhanër.

Për t’i ilustruar më mirë pikëpamjet tona teorike kemi për­zgjedhur romanin “Një piknik me tre kreshnikë” të shkrimtarit Avdi Shala. Tema e cila trajtohet gërsheton linjat e rrëfimit ndërmjet fiksionit e realitetit, por vendin qendror e zë fiksioni. Kategoria e dialogut, si komponenti më i rëndësishëm që gjen zbatim në prozë, ka shtrirje të gjerë në tekstin e këtij romani, duke mos lënë anash as përshkrimin dhe rrëfimin.

Me praninë e personazheve nga jeta reale, gjyshit Dindon dhe nipit të tij Didi, lexuesi veçse fillon të hyjë në brendinë e ngjar­jeve për t’i zbuluar dalëngadalë trajtat e narracionit. Janë të zakonshme bisedat përmes dialogut të zhvilluar nga këta dy personazhe, sidomos në mënyrën e komunikimit përmes pyetje-përgjigjeve, kur nipi pyet e gjyshi përgjigjet. Për nga ana emocionale është e ndjeshme mënyra e parashtrimit të pyetjeve që i bën nipi gjyshit të tij, me një entuziazëm të theksuar psiko­logjik, për të kuptuar më shumë rreth jetës, natyrës, gjërave që e rrethojnë dhe fenomeneve të tjera. “Gjyshi Dindon çdo gjë që ndodhte e merrte me durim, nuk ngutej”[13], pra përgjigjet e dhëna nga gjenerata e vjetër transmetohen përmes një dashurie të thellë, me motivin për përforcimin e raporteve midis këtyre dy gjeneratave.

Gjithmonë të vegjlit dinë të jenë kureshtarë për gjëra të cilat nuk i dinë ende. Përmes kësaj mënyre komunikimi duan të mësojnë më shumë për të gjitha gjërat që atyre u interesojnë e që ndërlidhen me rrethin. Në këtë kontekst rrëfimi merr formën kryesore.

Për t’i dhënë shtresime shumëdimensionale tekstit dhe për ta veshur artistikisht atë, autori do t’i gërshetojë edhe elementet e fiksionit, më konkretisht personazhe fëmijësh të pazakontë të emërtuar si: Zjarmori, Bardhori dhe Flakorja, të identifikuar si fëmijë të Hënës dhe Diellit. Po ashtu, kur është fjala për afërsinë ndërmjet dy gjeneratave, dashuria e gjyshit na del të jetë hyjnore në raport me nipin e tij. Përshkrimet që sjell gjyshi për nipin, përgjatë linjave të rrëfimit, cilësohen edhe si posedim i karakteristikave të veçanta kur ky ishte në gjendje të komu­nikonte me Diellin.

Kësisoj, zhvillimi i ngjarjeve lëviz pozicionet e tij sa në botën reale, aq në atë fiktive. Edhe më të fuqishëm e bën fakti i insistimit të fëmijëve me karakteristikat dhe specifikat e tyre, të njohur si fëmijët e Diellit dhe Hënës, kur mendojnë të kalojnë në ambientin real të botës sonë të zakonshme. Në këtë kontekst zhvillohen nëntema që prekin elemente të rëndësishme të nacionalizmit, me përdorimin e emrit Shqipëri, Kosovë, gjuha, kultura, etnia etj., përmes të cilave mundohet të interpretohet mesazhi dhe porosia për dashuri dhe respekt ndaj vendit, të ndarë në dy shtete, por vetëm në një komb.

Motivin e nëntemës nacionale përbrenda temës qendrore të romanit më së shumti e forcon dhe ngre në qendër momenti i veprimit praktik, kur vihet në pikëpyetje kalimi i kufirit shqip­taro-shqiptar nga personazhet. Fuqia e fiksionit me ndikimin e tij dhe mundësinë e zhvillimit të ngjarjeve sipas idesë luan rolin kryesor edhe në komplikimin e situatave të caktuara, por edhe në zgjidhjen e tyre njëkohësisht.

Motivi i nëntemës nacionale luan rol të rëndësishëm edhe në pjesën tjetër të tekstit, kur vërejmë dëshirën dhe entuziazmin e tri personazheve fiktive, që dëshirojnë t’i prekin elementet nacio­nale për konkretizimin e vizitës në Kosovë dhe Shqipëri, e që shprehet në dialogun mes tyre, “Dita e madhe, Kosova e madhe!”[14]

Po ashtu, nuk mbetën pa u përmendur edhe disa nga qytetet më të mëdha shqiptare, si: Kruja, Durrësi e Tirana në Shqipëri dhe Ulpiana e Prishtina në Kosovë. Inkorporimi i qyteteve të lartpërmendura është reflektim i anës historike, në njërën anë, si dhe prezantim i civilizimit dhe arritjeve mbi zhvillimin që është bërë në këto qytete e shtete, në anën tjetër.

Personazhet e romanit kosovar për fëmijë

Meqenëse personazhet e romanit për fëmijë në letërsinë shqipe janë një nga pjesët kryesore të këtij libri, do të ndalemi konkretisht tek to. Pasi kemi të bëjmë me një letërsi që u dedikohet lexuesve të vegjël, atëherë edhe personazhet janë të grupmoshave të përafërta me ato të lexuesve. Një praktikë e tillë është ndjekur thuajse te të gjithë shkrimtarët për fëmijë që kanë shkruar romane. Mirëpo, letërsia për fëmijë jep mundësi më të hapur sa i përket gërshetimit të personazheve në këtë zhanër letrar.

Përveç kategorisë së personazheve që janë vënë në epiqendër të situatave reale, me veprimet dhe përpjekjet e tyre në përfun­dimin e ndonjë obligimi, misioni apo detyre të caktuar dhe që mund t’i konsiderojmë personazhe reale, romani për fëmijë krijon hapësira që në trajtimin e tematikave të ndryshme mund të inkorporojë personazhe edhe nga bota e kafshëve, shpezëve, insekteve, bimëve etj.

Në këtë mënyrë hasim në personazhe të shumta që përfaqë­sojnë karaktere dhe personifikime nga bota e përrallave, krye­sisht kur romanet janë të tipit përrallë, si kategoria më e dashur dhe më e pranuar për të vegjlit.

E veçanta e këtyre karaktereve është se fiksioni luan rol të rëndësishëm në formimin e tyre, duke i bërë ata të veçantë. Duhet të përmendim që “heroi jo rrallë ia del pa asnjë ndih­mesë. Ai është, si të thuash, vetë ndihmës i vetvetes.”[15] E themi këtë për arsye se personazhet që i takojnë tipit të romaneve përrallë janë gjithnjë më sfidues dhe më të sfiduar, por gjithherë arrijnë t’u bëjnë ballë sfidave dhe me sukses ta kryejnë misionin që kanë para vetes.

Zakonisht këto personazhe kanë aftësi më specifike. Kanë mundësi komunikimi edhe me të tjerët. Dinë të jenë të mirë­sjellshëm, solidarë, humanitarë, të devotshëm dhe nuk frikë­sohen asnjëherë nga sfidat që i presin. Në këtë mënyrë ata arrijnë të përballen me sukses gjithnjë dhe në fund të dalin triumfues.

Në kuadër të këtyre personazheve hyjnë edhe personazhet që i takojnë florës dhe faunës. Roli dhe funksioni i këtyre perso­nazheve është i veçantë në ngjarjet që trajton fabula e romanit. Dalëngadalë synohen të zbulohen karakteret e këtyre perso­nazheve kryesisht nga bota e egër shtazore, siç janë: ujku, dhelpra, ariu, dreri, lepuri etj. Prania e këtyre personazheve, me karakteret që ato përmbajnë, është edhe një lloj interpretimi didaktik mbi kategorinë e lexuesve, kur ata janë të vegjël, në formim e sipër dhe ende nuk njohin karakteret e veçanta të botës në të cilën ata janë duke u rritur. Po ashtu, herë-herë këto karaktere janë personifikime edhe të kategorisë së njerëzve, që botës së padjallëzuar të fëmijëve u paraqiten si karaktere që lehtë mund ta zëvendësojnë rolin e njeriut.

Sipas tipave të romaneve janë ndërtuar edhe personazhet e tyre. Disa mund të jenë të trilluara e disa jo, siç është rasti te personazhet e romanit historik. Ka shkrimtarë të shumtë që kanë shkruar romane për fëmijë me tema historike. Veçantia e këtyre romaneve me personazhet e tyre qëndron në faktin se mund t’i konsiderojmë edhe romane të rëndësishme me bazë didaktike, ku me anë të trajtimit të atyre ngjarjeve, shpaloset një pjesë e lavdishme e historisë sonë.

Karakteret e këtyre personazheve të profilit historik veçse njihen si më të veçanta, por që mjeshtëria artistike e shkrim­tarëve ka provuar gjithnjë t’i përshtatet nivelit të lexuesit që i dedikohet. Po ashtu, edhe profilet e personazheve që shfaqen në të gjitha tipat e romaneve, si në ata aventurierë, humoristikë, didaktiko-mësimorë, psikologjikë, realë etj., gjithnjë janë për­shtatur me natyrën e temës së romanit, në mënyrë që ta për­faqësojnë sa më mirë karakterin përbrenda tekstit. Pra, është synuar që në përputhje me natyrën e temës të projektohet roli dhe funksioni i personazheve të tekstit në përgjithësi, por i kryeheroit apo kryeheronjve në veçanti. Në këtë mënyrë mund të themi se “romani ynë për fëmijë deri sot është ndërtuar mbi një varg personazhesh e situatash interesante, nga të cilët pjesa më e madhe është në lidhshmëri me botën e fëmijëve, ndërsa një sferë tjetër e përbëjnë personazhet dhe situatat që kanë të bëjnë më tepër me të rriturit, me të cilët jeta e fëmijëve është e lidhur ngushtë, ashtu si ngjet edhe në realitet.”[16]

Më sipër u përmenden karaktere të ndryshme që përfaqësojnë tipa në ndryshëm personazhesh, mirëpo për analizë do ta veçojmë romanin “Majmuni me kurorë mbretërore” i shkrimtarit Rifat Kukaj. Mjeshtëria artistike e këtij krijuesi të madh të letërsisë shqipe për fëmijë është art në vete në ndër­timin e të gjitha llojeve të zhanreve letrare, veçanërisht në shkri­min e romanit. Ai ka përdorur figura artistike që e pasurojnë fabulën e tekstit. Në të shumtën e rasteve kemi personazhe të tipit të kategorisë së lartë të shtresës shoqërore, si mbretër, princër etj., andaj, marrë parasysh gërshetimin e një galerie të tërë personazhesh te romani në fjalë, kemi përzgjedhur për analizë.

Një vazhdimësi e traditës së ndërtimit të prozës duket se reflektohet edhe në romanin “Majmuni me kurorë mbretë­rore”. Menjëherë kur lexuesi nis së lexuari ngjarjet në fabulën e këtij romani, ndeshet me personazhet e tipit të shtresës së lartë, si mbretër e mbretëresha, princër e princesha. Me anë të një përshkrimi të bukur, dedikuar ambientit në të cilin vendoset zhvillimi i ngjarjeve, autori krijon një klimë të mirëfilltë fun­ksionale me praninë edhe të personazheve të tjera pjesëmarrëse në fabulën e tekstit. Personazhet e kategorisë së tillë i hasim jo rrallë të përdorura pikërisht nga i njëjti autor, por edhe nga autorë të tjerë të letërsisë për fëmijë.

E veçanta e shkrimtarit Kukaj në këtë rast qëndron në përshta­tjen e karaktereve të personazheve me nivelin e lexuesve të letërsisë për fëmijë. Kur i referohemi titullit të romanit, shenjon figurën e kontrastit, e cila funksionon si kundërvendosje me karakterin që gëzon emri i personazhit. Nga ajo që është mësuar të lexojë e dëgjojë lexuesi i vogël, e kupton faktin se kurorat mbretërore bartin vetëm shtresa më e lartë e kategorisë aristo­krate të shoqërisë njerëzore dhe jo një personazh i cili ka krej­tësisht tjetër karakter. Në rastin e dialogut si në vijim, “Majmu­nin me kurorë mbretërore e ruajmë si tepër sekret. Nga mësove për të?! – ai hapi sytë”[17], vihet në pah habia edhe mes persona­zheve në dialog i cili merr ton paradoksi dhe ironie.

Pikërisht këtu çmohet edhe mjeshtëria e madhe artistike e autorit, ku nëpërmjet funksioneve të veçanta arrin të krijojë karaktere të caktuara, që detyrohen të pranojnë detyra dhe obligime që nuk i takojnë natyrës së tyre. Ndërsa “sipas psiko­logjisë fëmijërore, kafshët janë miqtë më të ngushtë të fëmijëve, ndaj miqësimin e tyre as antropologët më eminentë s’dinë ta shpjegojnë.”[18] Rrethanat e tilla krijohen në atë mënyrë kur maj­muni i ashtuquajtur Xhung, si banor i pallatit, nuk do t’u për­mbahet rregullave të caktuara të oborrit mbretëror. Me gjestin e tij prej humanisti vendos t’i lirojë zogjtë e ngujuar të shqipo­njës, e si shkas i këtij veprimi pëson dënimi meritueshëm ndaj tij.

Njësoj siç jemi mësuar të shohim së vepruari në praktikën e zakonshme, me rastet e caktuara në pallatet mbretërore përmes këshilltarëve dhe oborrtarëve e rrethit më të gjerë, është synuar ruajtja e kontinuitetit të brendshëm e funksionimi i të gjitha organeve, ashtu siç e duan rendi dhe rregulli.

Rol të rëndësishëm në këtë kontekst luan edhe mësuesi i fëmijëve të mbretit, respektivisht i princit dhe i princeshës. Arsimimi dhe edukimi i tyre luan rol të rëndësishëm në for­mimin e personalitetit të tyre dhe në udhëheqjen dhe mena­xhimin e jetës së popullit në të ardhmen, sidomos atëherë kur vendi mbetet në duart e këtyre gjeneratave. Shihet si fëmijë që janë princi dhe princesha. Marrë parasysh nivelin e tyre fëmi­jëror, ata kanë dëshirë të jenë miq të përhershëm me majmunin Xhingo, e në rrethanat e krijuara, shprehin dashurinë dhe dhembjen ndaj tij. Është karakteristik fakti se Xhingo do të ndihet i indinjuar nga prishja e raporteve me mbretin, ndaj edhe nuk do të qëndrojë duarkryq. Do të mundohet të mos qëndrojë afër familjes mbretërore edhe me gjithë faktin se gëzonte miqësi me princin dhe princeshën.

Epitetet të cilat ua vesh autori, si Mbreti Prapsh, Mbretëresha Prapushe, Princi Prapush etj., janë tipare që korrespondojnë me nivelin e karakterit të tyre, e që figurativisht konceptohet si Mbretëria Prapa Diellit. Në këtë kontekst, veshja e persona­zheve të familjes mbretërore me epitetin e prapanikëve është një paralajmërim pak a shumë edhe i kaheve të zhvillimeve në vazhdim, se si ngjarjet do të marrin karakter zhvillimi në struk­turën fabulare të romanit.

Edhe personazhet e tjera, si Gjenerali Trupmadh, Palaçoja, Kopshtari etj., secili ka rolin dhe funksionin e veçantë në zhvillimin e ngjarjeve të tekstit dhe bartin karakter në vete. Si duket, ideja për ta konkretizuar një ngjarje të tillë përmes veshjes së epitetit të të gjithë personazheve, veçanërisht familjes mbretërore, është e menduar mirë, meqë ironizohet dhe satiri­zohet pikërisht përmes nivelit të kategorisë së personazheve të dalluara të pushtetit.

Tipologjia e romanit kosovar për fëmijë

Sipas studiuesve dhe teoricienëve të artit letrar, me tipologji nënkuptojmë klasifikimin apo “ndarjen dhe nëndarjen e tek­steve letrare.”[19] Me një nënvizim e klasifikim të tillë mund t’i hetojmë llojet e ndryshme të teksteve letrare dhe veçoritë e tyre. Ndërkaq, nëse flasim mbi tipologjinë[20] e romanit për fëmijë në Kosovë, atëherë puna jonë kërkimore do të marrë kahe të veçantë. Meqenëse problemin e parashtruar e kemi në rrafshin e tematikës dhe të personazheve, atëherë një ndarje e tillë, sipas tipologjisë së temave, do të na ndihmojë jashtëzakonisht edhe në interpretimin e tyre kritik dhe studimor.

Studiuesit e rëndësishëm që janë marrë me zhanrin e romanit kanë shprehur mendimet e tyre lidhur me tipologjinë e tij duke bërë një ndarje. Këtë e kanë bërë “në tre tipa themelorë të roma­nit: romani i ngjarjeve (geschehnisroman), romani i fytyrës (figurenroman) dhe romani i hapësirës (raumroman)”.[21]

Sipas kësaj ndarjeje, ne do të përqendrohemi në tipin e parë, atë të ngjarjeve, pasi që përmes tyre trajtohet edhe tema e një romani, ku rrjedhimisht ndërlidhen edhe dy tipat e tjerë. Kështu që në harmoni me temën përzgjidhen edhe personazhet që më së miri u përshtaten rolit dhe misionit përbrenda fabulës së tekstit. Në këtë kontekst punën tonë hulumtuese do ta zhvillojmë të përqendruar mbi romanet e shkrimtarëve të ndryshëm, që kanë trajtuar tema të njëjta apo të përafërta. Kjo formë interpretimi na mundëson t’i shohim pikëpamjet e ndryshme të shkrimtarëve të shumtë kur një çështje, temë, motiv apo ide e njëjtë është trajtuar në këndvështrime të ndry­shme dhe nga autorë të ndryshëm.

Qasja e tillë hulumtuese na ka dhënë mundësinë të dallojmë tipa të ndryshëm të romaneve të letërsisë sonë për fëmijë në Kosovë. Jemi ndalur te secili tip veç e veç, për të provuar të shohim atë që na sjellin këto lloje romanesh, sidomos në rastet kur tekstet i takojnë të njëjtit tip apo lloj. Në këtë mënyrë shohim kryqëzim idesh të shkrimtarëve tanë për fëmijë, të cilët i trajtojnë temat e njëjta, por në pozicione të ndryshme. Ka raste të shumta kur letërsia popullore, më konkretisht folklori ynë, luan rol të madh ndikimi edhe në trajtimin e temave apo të motiveve të tilla, mirëpo gjithnjë duke u veshur me mjesh­tërinë artistike dhe fiksionale. Këtë gjë më së shumti e vërejmë te tipi i romanit përrallë, në të cilin përrallat bëhen materia kryesore në ndërtimin e temës së romanit. Pra, këtu shohim një qasje intertekstuale në raportin ndërmjet letërsisë së shkruar dhe asaj gojore. Siç e njohim nga tekstet teorike, me intertekst nënkuptojmë “ndërlidhjen në mes të një teksti të ri dhe të një teksti të vjetër”.[22] Sipas studiueses franceze, Natali Pige-Gross, “intertekstualiteti është lëvizja nëpërmjet së cilës një tekst rishkruan një tekst tjetër (teksti i mëhershëm rishkruan të tashmin), dhe interteksti tërësinë e teksteve letrare”.[23]

Edhe pse “tipologjia shtrohet si çështje themelore e delikate e teorisë së romanit,”[24] ndarja në tipa e romaneve të kësaj letërsie ndihmon procesin tonë hulumtues dhe analitik e interpretues, njëkohësisht duke përcaktuar metodologjinë e punës sonë. Pasi letërsia për fëmijë i dedikohet një moshe e cila ka nevojë për këshilla, sugjerime e udhërrëfime se si të jenë më të suksesshëm në jetë, të jenë më mirë të formuar e përgatitur, ku pikërisht idetë e tilla kanë tërhequr shkrimtarë të shumtë, që edhe tekstet e kësaj letërsie të jenë me motive të kësaj natyre.

Në konceptin e saj letërsia për fëmijë ka për synim ofrimin e informacioneve të shumta mbi këtë kategori lexuesish, ndaj edhe trajtimi i temave që ofron është universal. Pra, synimet janë edhe edukativo-arsimore, ku zënë fill edhe tema të shumta, qoftë nga e kaluara historike, nga përditshmëria, rrethanat e kohës, ngjarje të ndryshme etj. Tërë këto janë bërë objekt trajtimi edhe i disa romaneve të shkrimtarëve tanë për fëmijë në Kosovë. Gjithnjë duke u munduar që temat e njëjta apo të përafërta t’i rendisim në një kapitull trajtimi, kemi bërë edhe ndarjen e romaneve sipas tipologjisë. Pra, nuk mund t’i vëmë në të njëjtin rend, ta zëmë, romanet përrallë me atë me temë nga historia apo romanet aventurë me atë që reflektojnë shtresime didaktike-mësimore.

Sipas parimit të tillë, kemi ofruar edhe tipologjitë e romaneve të letërsisë për fëmijë në Kosovë, ku gjithnjë në trajtimin e temës së një romani janë analizuar edhe romanet e tjera, qoftë të të njëjtit autor apo edhe autorëve të tjerë. Mbi këto parime edhe identifikimi i personazheve, lidhur me rolin, funksionin dhe karakterin e tyre që kanë në tekst, janë parë me të gjitha tiparet dhe karakteristikat e tyre. Në këto raste shohim pak a shumë edhe personazhe që u janë veshur me karaktere që njeh bota e lexuesit, mirëpo shenjimi dhe funksioni apo karakteri i tyre dallon nga teksti në tekst.

Marrë nga numri 21 i revistës “Akademia”.

©“Armagedoni”

[1] Mahmud Hysa, Polifonia e tekstit letrar: fiksioni në romanet e Ibrahim Kadriut, Libri Shkollor, Prishtinë, 2012, f. 179.

[2] Astrit Bishqemi, Histori e letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj, Dy lindje dhe dy perëndime, Tiranë, 2008, f. 441.

[3] Po aty, f. 441.

[4] Po aty, f. 26.

[5] Floresha Dado, Teoria e veprës letrare : poetika, Libri Universitar, Tiranë, 2006, f. 90.

[6] Agim Deva, Romani ynë për fëmijë, Rilindja, Prishtinë, 1977, f. 24.

[7] Floresha Dado, Teoria e veprës letrare : poetika, Libri Universitar, Tiranë, 2006, f. 79.

[8] https://sq.wikipedia.org/wiki/Zhanri

[9] Grup autorësh, Çështje të romanit, Rilindja, Prishtinë, 1980, f. 9.

[10] Gazeta Shkëndija, XXXIV, mars 2004, (autor Selajdin Mehmeti, f. 26).

[11] Ferdinand Leka, Fjalor i termave të letërsisë, Infbotues, Tiranë, 2013, f. 89.

[12] Nehas Sopaj, Paralelet letrare, Shkupi, Shkup, 1998, f. 337.

[13] Avdi Shala, Një piknik me tre kreshnikë, Libri Shkollor, Prishtinë, 2004, f. 68.

[14] Po aty, f. 53.

[15] Vladimir Propp, Morfologjia e përrallës, Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2004, f. 89.

[16] Agim Deva, Romani ynë për fëmijë, Rilindja, Prishtinë, 1977, f. 28.

[17] Rifat Kukaj, Majmuni me kurorë mbretërore, Flaka, Prishtinë, 2003, f. 81.

[18] Nehas Sopaj, Letërsia për fëmijë, Shkup, 2007, f. 112.

[19] David Lodge: Modern criticism and theory, second edition, Pearson Education, Edinburgh, Harlow-UK, 2000, f. 32.

[20] Klasifikimi i qenieve, i sendeve dhe i dukurive të ndryshme sipas tipit, ndarja e tyre në tipa. Për më shumë shih, Fjalor i gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2006, f. 1091.

[21] Grup autorësh, Çështje të romanit, Rilindja, Prishtinë, 1980, f. 292.

[22] Zherar Zhenet, Figura, Rilindja, Prishtinë, 1982, f. 137.

[23] Nathalie Piegay-Gros, Hyrje në intertekstualitet, Parnas, Prishtinë, 2011, f. 15.

[24] Grup autorësh, Çështje të romanit, Rilindja, Prishtinë, 1980, f. 9.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
George Orwell Rreth një vit më parë, bashkë me disa…