Romani “Shtëpia pa pasqyrë” i Majlinda Bregasit përurohet sonte në Prishtinë

16 prill 2025 | 08:11

Romani “Shtëpia pa pasqyrë” nga autorja Majlinda Bregasi do të përurohet sonte në Prishtinë. Për të diskutuar rreth librit, në panel do të jenë: Majlinda Bregasi, autore e librit, Albulena Blakaj, redaktore letrare e librit, dhe Latif Mustafa, studiues i filozofisë.

“Shtëpia pa pasqyrë” sjell histori njerëzish me fëmijëri të grabitur. Përmes tri linjave rrëfimtare, lexuesi udhëton nëpër hendekët e fatit të individëve që janë vetëm pasojë e historisë së popullit të tyre.
Një shtëpi ku mungojnë pasqyrat, ku reflektimi bëhet i pamundur, shndërrohet në metaforë universale që ngacmon lexuesin t’i përgjigjet pyetjes thelbësore: A je ky njeriu që doje të ishe?

Ky roman prekës dhe befasues është një eksplorim i thellë i kujtesës kolektive të një populli të cilit historikisht i është kërcënuar ekzistenca. Vepra ofron një reflektim mbi mundësinë për ripërtëritje në një shtëpi që, edhe pse e zhveshur nga pasqyrat, mbi kokën e fëmijëve që luajnë pa lodra, ka gjithmonë një dritare.

Përurimi do të bëhet në orën 19:00 në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
(Rreth soneteve të Eqrem Çabejt) Nga: Anton Nikë Berisha Deri më 2008,…