Romingu dhe dogana dominojnë takimin tradicional Kosovë – Shqipëri
Pas zotimit për unifikimin e doganave, Kosova dhe Shqipëria pritet të aprovojnë edhe kërkesën e kahershme të Bashkimit Evropian për heqjen e tarifës së shërbimit të romingut, në kuadër të telekomunikimit ndërmjet këtyre dy shteteve.
Bashkimi Evropian u ka kërkuar të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që të heqin këtë tarifë, si formë lehtësimi për komunikimet në mes qytetarëve.
Tarifa e Romingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një vend tjetër nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile. Këto tarifa janë kryesisht dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda një shteti.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mblidhen të hënën, më 26 nëntor në mbledhjen e përbashkët, e cila mbahet në Pejë.
Për heqjen e tarifave të romingut në muajin qershor edhe Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë të veçantë.
Ekspertë të fushës së telekomunikimit dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, theksojnë se marrëveshja për heqjen e romingut në telekomunikim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është në dobi të qytetarëve dhe bizneseve.
Agron Dida, ekspert për çështje të telekomunikacionit, thotë për “Radion Evropa e Lirë”, se është koha e fundit që qeveritë e të dyja vendeve të marrin një veprim të tillë.
“Sistemi i telefonisë klasike është gati duke perënduar, se shpejti presim të mos të ketë fare, për arsye të teknologjive të reja në tregun e komunikimeve. Pra, ky është një hap i mirë dhe një dobi të operatorëve të cilët do të tregojnë një kujdes ndaj konsumatorëve të vet. Pra, të lejojnë komunikime të lira”, deklaroi Dida.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërkaq theksojnë se mbledhja e përbashkët e të dy qeverive po mbahet në kohën e duhur.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se marrëveshjet që pritet nënshkruhen të hënën duhet të zbatohen dhe jo të nënshkruhen për marketing medial.
Duke përmendur rëndësinë dhe nevojën për heqjen e tarifave të romingut, Shahini thotë se përfaqësues të dy qeverive duhet të diskutojnë edhe për mundësinë e heqjes se taksës rrugore në Rrugën e Kombit që kanë vendosur autoritetet e Shqipërisë.
“Deri sa ne flasim për heqjen e romingut mes dy vendeve tona, mos të harrojmë se kohë më parë Shqipëria vendosi taksën rrugore, taksë kjo që është vlerësuar nga të gjithë e panevojshme dhe ngarkesë”, u shpreh Shahini për Radion Evropa e Lirë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ndërkaq ka thënë se të hënën do të nënshkruhen disa marrëveshje të rëndësishme, të cilat do thellojnë edhe më shumë bashkëpunimin në fusha të ndryshme në mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Limaj në mbledhjen e fundit të Qeverisë se Kosovës, ka treguar se përveç heqjes se tarifave për roming, do të nënshkruhen edhe marrëveshja për vendosjen e pikës doganore të Republikës se Kosovës në pikën e Durrësit, deklarata e përbashkët për themelimin e dhomave ekonomike bilaterale Shqipëri – Kosovë. Po ashtu, do të bëhet nënshkrimi i protokollit për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor dhe marrëveshje tjera në sektorë të ndryshëm.
“Sido që të jetë, më 26 nëntor do të bëjmë hapa të rëndësishëm për disa marrëveshje konkrete që do të ndihmojnë thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve tona”, ka thënë zëvendëskryeministri Limaj.