Ronald Sobowale pas fiton çmimin ‘Ylli i javës’: Malisheva do të qëndrojë në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 30-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Malisheva, Ronald Sobowale.
Sobowale ishte vendimtar në fitoren tejet të rëndësishme në garën për mbetje në elitë që FC Malisheva e realizoi si mysafir kundër Ferizajt. Ai shënoi të dy golat në fitoren e skuadrës malishevase, të cilat e stabilizojnë atë në pozitën e shtatë, me 33 pikë.
Pasi iu nda ky çmim, Sobowale u shpreh i lumtur për vlerësimin, derisa vuri në pah optimizmin e tij që Malisheva ta sigurojë mbetjen në elitë edhe në këtë edicion.
“Jam shumë i gëzuar për këtë çmim dhe i falënderoj shumë bashkëlojtarët e mi. Mendoj që Malisheva do të qëndrojë në Albi Mall Superligë, meqë gjithçka është në dorën tonë. Na duhet të punojmë shumë sepse kemi para vetës 6 ndeshje shumë të vështira. Eksperienca ime në Kosovë është shumë e mirë dhe e shijoj çdo ditë. Njerëzit këtu janë shumë të këndshëm dhe mikpritës”, ka theksuar Sobowale.