Ronaldinho: Jam i lumtur kur e kam topin në këmbë
Legjenda braziliane Ronaldinho ka thënë se ai ndihet më i lumtur më së shumti kur e ka topin e futbollit në këmbë.
Ronaldinho ka lënë shumë kujtime në mendjet e tifozëve të Barcelonës, Paris Saint-Germainit dhe Milanit gjatë karrierës së tij të shquar. Duket se braziliani kishte marrë kujtime të shumta pozitive gjatë kohës si futbollist profesionist, siç ka treguar në një intervistë së fundmi ku foli për karrierën e vet.
“Është e vështirë ta zgjedh vetëm një çast” ka thënë Ronaldinho për Ibai Llanos i pyetur se cili ishte çasti më i mirë në karrierën e tij. “Kur e kam topin, jam i lumtur. Kam kujtime të bukura nga secili klub në të cilin kam luajtur. Nuk mund ta veçoj vetëm një”, ka shtuar ai. Duke folur për lojtarët të cilët e marrin atë si shembull, legjenda braziliane i nxiti ata të dalin në fushë dhe ta shijojnë lojën. “Shijojeni lojën dhe mësoni”, ka deklaruar ai.