Ronaldinho: Messi është më i miri, ta mbyllë te Barça
Ronaldinho është një legjendë, është gëzimi në botën e futbollit, është magjia e futbollit, është buzëqeshja e futbollit.
Braziliani, i cili i zotëron të gjitha këto atribute është nderuar në Malaga nga gazeta spanjolle “Marca” me çmimin “Legjenda”. Ky është çmimi më i rëndësishëm që jep kjo gazetë për figura të shquara në botën e futbollit dhe të sportit. Këtë çmim e kanë fituar dhe ikona të tjera të futbollit botëror si Di Stefano, Pele, Maradona, Crouff, Ronaldo, Zidane, Maldini, Messi e Cristiano Ronaldo. Prania e tij në Malaga në fakt ka shkaktuar shumë bujë.
I shoqëruar nga familjarët e tij, Ronaldinho është shfaqur i emocionuar për çmimin e marrë dhe pritjen që i është rezervuar në Malaga. “I falënderoj të gjithë, është kënaqësi e madhe të jem këtu për dashurinë që më kanë dhënë gjithmonë”. Ronaldinho është bërë braziliani i radhës që e fiton këtë çmim pas mitit Pele dhe shokut të tij në skuadrën fituese të titullit botëror në vitin 2002, Ronaldo Nazario.
“Pele ishte më i madhi, mbreti, për të gjithë brazilianët që e duan futbollin. Edhe për ata që nuk janë brazilianë është e pamundur të mos e pëlqesh Pelenë. Të jesh së bashku me brazilianët e tjerë që kanë marrë këtë çmim është një burim krenarie”, ka nënvizuar Ronaldinho.
E ARDHMJA E MESSIT – Në diskutimin e tij, Ronaldinho nuk ka lënë pa përmendur edhe mikun e tij, Lionel Messin. Në këto kohë kur po diskutohet shumë për të ardhmen e Leos, Ronaldinho i ka bërë gati një ftesë të hapur që “pleshti” ta mbyllë karrierën aty ku e nisi, te Barcelona.
“Unë jam një mik i Messit, jam shumë i lumtur për të. Është kënaqësi e veçantë të shoh miqtë që përmbushin ëndrrat e tyre, kjo më bën të lumtur. Unë jam shoku i tij. Për mua më i miri është Messi. Do të doja ta shihja të lumtur. Nuk ka rëndësi se ku është. Pas gjithë historisë që ka pasur me Barcelonën, do të ishte mirë nëse ai do ta mbyllte karrierën atje”, ka thënë Ronaldinho.