Ronaldo, afër një rekordi botëror
Nuk është më në skenën e rëndësishme të futbollit, por Cristiano Ronaldo ka një shans të artë për të vendosur një rekord të ri Botëror.
Ronaldo është sërish pjesë e Portugalisë, është përfshirë nga trajneri Roberto Martinez në listën e lojtarëve të grumbulluar për kualifikueset e “Euro 2024”, ndërsa përballë Liechtenstein, në sfidën e tyre të parë, mund të shndërrohet zyrtarisht në lojtarin me më shumë ndeshje në rang përfaqësuesesh. Ronaldo është në kuotën e 196 ndeshjeve me fanellën e përfaqësueses portugeze, aq sa Bader Al-Mutawa i Kuvajtit.
Nëse Ronaldo aktivizohet, gjë është thuajse e sigurt, portugezi do të shkoj në kuotën e 197 ndeshje, duke vendosur një rekord të ri. Jo vetëm ky rekord i mundshëm, shifrat e Ronaldos të imponojnë respekt pasi në 196 ndeshje me Portugalinë ka shënuar 118 gola, ka fituar një Evropian, një Ligë Kombesh, ndërsa ka marrë pjesë në pesë Botërore.