Ronaldo blen Valladolidin në La Liga
Luis Nazario Da Lima, i njohur si Ronaldo, arriti t’i fitojë zemrat e tifozëve në aventurën e tij në kampionatin spanjoll të futbollit, por tani, vite larg nga paraqitjet mbresëlënëse në kryeqytetin iberik, vendos të rikthehet në një Real tjetër.
Fenomeni ka vendosur të investojë një pjesë të mirë të pasurisë te skuadra e Real Valladolidit, klub që militon në La Liga dhe nga muaji shtator do ta ketë brazilianin pronar dhe president të ri.
Ish-sulmuesi i Interit, Milanit dhe Realit të Madridit, po finalizon blerjen përfundimtare të aksioneve, në një operacion financiar që do të shkojë deri në 30 milionë euro. Pas kompletimit të procedurave dhe miratimit nga organet fiskale spanjolle, Ronaldo do ta marrë postin e presidentit, ndërsa kreu aktual i klubit të Valladolid, Carlos Suarez, do të mbetet administrator i deleguar.
Fenomeni po mbyll kështu një tratativë të gjatë, të nisur në muajt e parë të vitit 2018. Blerja e skuadrës nga La Liga dukej diçka e largët, pas futjes në tratativa të meksikanit Ernesto Tinajero, që kishte ofruar më shumë. Por, Ronaldo ngadhënjeu mbi palët duke marrë edhe aksionet e Valladolidit.