Ronaldo dhuron spektakël në stërvitjen e Al-Nassr, i shënon katër gola
Cristiano Ronaldo e ka shfaqur klasin e tij qysh në ditën e parë të stërvitjeve me ekipin e tij të ri.
Ylli portugez është prezantuar dje në mënyrë madhështore tek Al-Nassr, me të cilin ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2025, ndërsa është thënë se do të paguhet deri në 200 milionë euro në vit.
E 37-vjeçari, i cili është pritur si hero nga tifozët e klubit arab, ka dhuruar spektakël qysh në grumbullimin e parë më ekipin.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë i ka dhuruar madje katër golat e parë në stërvitjen e Al-Nassr duke e konfirmuar formën e tij optimale para nisjes së eksperiencës së re në futbollin e Arabisë Saudite.
Ronaldo i ka dhënë fund përvojës në Manchester United në nëntor të vitit që shkoi pas intervistës shokuese që e dha në dëm të “Djajve të Kuq”.
Ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Real Madridit, Juventusit e së fundmi edhe i Man Utd ka thënë se ka shkuar në Al-Nassr për të fituar, ndërsa ka zbuluar se i ka refuzuar disa oferta nga vende të ndryshme të botës.
Ai pritet ta ngrisë klubin e ri, Al-Nassr, por edhe futbollin arab në përgjithësi.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Ronaldo do të angazhohet si ambasador i Arabisë Saudite, në synimin e saj për ta fituar të drejtën e organizimit të Kampionatit Botëror në vitin 2030.