Ronaldo e do Zidanen në Al Nassr
Cristiano Ronaldo i ngrehu pas vete shumë yje të futbollit evropian pasi vendosi të transferohej në Arabinë Saudite.
Ylli portugez është bërë lojtari më i paguar në botë me një rrogë vjetore prej 200 milionë eurosh kur vendosi t’i bashkohej ekipit nga Saudi Pro League, Al Nassr.
E tash, 39 vjeçari e ka një kërkesë të veçantë për drejtuesit e klubit, shkruan mediumi spanjoll “Marca”.
Më saktësisht, pesë herë fituesi i Topit të Artë po e kërkon një trajner të madh.
Dhe, ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Manchester Unitedit, Real Madridit dhe Juventusit e ka shprehur dëshirën që në krye të ekipit saudit të vendoset Zinedine Zidane.
CR7 kishte punuar me trajnerin francez në periudhën e suksesshme dhe historike në Real Madrid dhe do të donte të bashkëpunojë përsëri me “Zizou”.
Legjenda franceze është duke pushuar në vitet e fundit pasi e mbylli eksperiencën e dytë me Real Madridin.
Trajneri aktual i Al Nassr, Luis Castro është në presion të madh pas humbjes së dhimbshme në Superkupë nga Al Hilal, prandaj edhe drejtuesit e klubit po mendojnë ta ndërrojnë shtabin teknik.
Ronaldo ka influencë të madhe tek drejtuesit e klubit dhe e ka dhënë dritën e gjelbër për Zidanen.
Fernando Hierro, drejtor sportiv i klubit, po ashtu e luan një rol të rëndësishëm në procesin e vendimmarrjes.
E tash, drejtuesit e klubit mund ta nisin një ofanzivë për ta bindur Zidanen që ta marrë në dorë ekipin saudit.
Zidane mund ta thyejë akullin pasi trajnerët tjerë të mëdhenj të futbollit evropian i refuzuan ofertat që iu arritën nga Arabia Saudite.