Ronaldo është në superformë për të qëndruar pushim
Ronaldo është në një formë perfekte për të qëndruar pushim: ndaj Juves portugezi tregoi se është duke shfaqur më të mirën e tij. E thonë edhe numrat, golat dhe veprimet e tij teknike.
Edhe pse Real Madrid duket se kërkon ‘ta kursejë’ për finalen e sezonit, ku qëllimi kryesor mbetet fitimi i Champions League, Ronaldo kërkon të jetë me çdo kusht në derbin me Atletico Madrid që luhet të dielën. Sipas spanjolles Marca, Ronaldo i ka kërkuar trajnerit që të jetë patjetër në fushë.
Real Madrid prej muajsh është dorëzuar për titullin kampion, me Barçën që ka një diferencë prej 13 pikësh, por kur në lojë është derbi i qytetit dhe mundësia për të ngushtuar diferencën për vendin e dytë(4 pikë janë aktualisht), mund të luajë gjithçka. Një ndeshje shumë e rëndësishme dhe asnjëherë për t’u nënvlerësuar. Dhe për këtë duket akoma edhe më e vështirë që të heqësh dorë nga lojtari më në formë.
Ronaldo edhe pse tanimë 33-vjeç, vijon të përmirësojë rekordet personale dhe në këtë periudhë të sezonit duket pranë perfeksionit: 14 golat në Champions League plotësohen edhe 8 gola në 9 ndeshjet e fundit në kampionatin spanjoll.
Ronaldo vijon një betejë në distancë me argjentinasin e Barcelonës, Lionel Messi, i cili është golashënuesi më i mirë në La Liga me 26 realizime në këtë sezon, ndërsa portugezi është ngjitur i dyti me 22 gola.