Ronaldo: Jam i dashuruar me futbollin, po e shijoj momentin
Cristiano Ronaldo ka qenë edhe një herë protagonist. Ylli i Al-Nassr i realizoi dy gola për Portugalinë në fitoren 3-0 ndaj Irlandës, në miqësoren para “Euro 2024”.
39-vjeçari me këtë rast arriti në kuotën e 130 golave për Portugalinë, derisa është golashënuesi më i mirë në histori të Kombëtareve. Gjithashtu, ai shkoi në shifrën e 895 golave në karrierë, një numër i jashtëzakonshëm dhe i paarritshëm deri tash.
Derisa po i kalon vitet e fundit të karrierës, ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Manchester Unitedit, Real Madridit dhe Juventusit thotë se po e shijon çdo moment.“Nuk më kanë mbetur shumë vite në futboll. Kështu që, më duhet ta shijoj këtë”, ka deklaruar fillimisht CR7 pas lojës. “Jam i dashuruar me futbollin. Çdo ndeshje është speciale, imagjinojeni në ‘Euro 2024’ me Portugalinë, ndihem krenar… Është një ëndërr, njëjtë si kur isha 20 vjeçar”, ka shtuar Ronaldo.