Ronaldo: Maqedonia nuk mund të na befasojë
Portugalia është afër Botërorit, por duhet të kalojë nesër ndeshjen me Maqedoninë e Veriut, kur kjo e fundit la jashtë Italinë. Në prag të kësaj sfide, ka folur lideri i skuadrës portugeze, Cristiano Ronaldo. Ai ka thënë se nuk ka Botëror pa Portugalinë, duke u shfaqur i bindur se kombëtarja e tij do të kalojë më tej.
“Është një finale dhe ne jemi gati. Tashmë e dimë që nëse fitojmë do shkojmë në Botëror, nëse humbim do eliminohemi. Ne kemi përgjegjësinë të jemi pozitivë dhe të fitojmë ndeshjen. Nuk ka Botëror pa Portugalinë, nuk ka individë këtu, është një grup, të gjithë jemi këtu për të njëjtin qëllim”, ka thënë Ronaldo.
Po ashtu Ronaldo u shpreh se Maqedonia e Veriut ka bërë disa befasi, por kjo nuk do të ndodhë ndaj Portugalisë.
“Maqedonia e Veriut befasoi dhe e bëri në shumë ndeshje, por besoj se nesër nuk do të na befasojë. Portugalia do të jetë më e mirë dhe ne do të shkojmë në Kupën e Botës. Gjithmonë ka presion për lojtarët profesionistë, por mendoj se të gjithë janë gati”, ka shtuar Ronaldo.