Ronaldo: Nuk jam penduar që shkova në Arabi
Cristiano Ronaldo, ish-sulmuesi i Juventusit, Real Madridit dhe Manchester United, pesë herë fituesi i Ligës së Kampionëve, u vlerësua si lojtari me më shumë gola të shënuar në top-kompeticionin evropian për klube.
“Liga e Kampionëve është një kompeticion legjendar, ishte fantastike të luaja dhe shënoja kaq shumë në të. Kur fillon himni çmendesh fare, është fantastik. Kam kujtime fantastike nga ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe jam i lumtur që e marr këtë mirënjohje. Nuk pendohem për zgjedhjen time për të shkuar në Arabi, por do të shohim se çfarë do të ndodhë. E ardhmja është e paparashikueshme”, ka thënë Ronaldo.
I pyetur se cili ka qenë momenti më i mirë në Ligën e Kampionëve, Ronaldo është përgjigjur: “Është e vështirë ta them, por ndoshta Liga e Kampionëve e parë e fituar me Manchester United, me golin tim në Moskë. Një nga të preferuarit e mi. Më pas duhet të përmend qartë Real Madridin, fitimin e Ligës së Kampionëve të dhjetë më 2014, në Portugali, para popullit tim. Liga e Kampionëve është një kompeticion detajesh të vogla, shumë e vështirë për t’u fituar”.
Portugezi është pyetur edhe se a ka ende vende bosh për të vendosur çmime të tjerë në “palmaresin” e tij, onaldo ka deklaruar: “Ka gjithmonë vend për trofe dhe çmime të reja, madje edhe në Madeira. Të gjithë jeni të ftuar të vini dhe të shihni dhomën time të trofeve”.